“Koronavirusi , sprovë prej Zotit”, thonë klerikët

Llokman Kamberi, imam në xhaminë “Allaxha” në Shkup vlerëson se Kovid-19 është një sprovë prej Zotit, nga e cila duhet të dalim fitimtarë. “Nuk mund të them se është dënim prej Zotit. Mund të jetë sprovë, dhe prej sprovave normal që ndonjëherë kur njerëzit të devijojnë nga rruga e tij, disa punë të mira ti lënë, Zoti i kthen te sprovat. Por, si dënim, Zoti mund të dënojë një njëri, dy apo tre, por Zoti nuk e dënon komplet umetin (njerëzimin). Është një lloj sprove, e do Zoti e kalojmë me të mira. Kjo është sprovë, se si dënim asnjëherë nuk kisha thanë. Mësimi më i madh nga kjo është me iu rikthyer realitetit. Sprovë me u zgjuar prej gjumi dhe me u rikthyer në realiteti njerëzim. Edhe njerëzimi i ka kaluar kufijtë e vet. Dashuria mes veti jo, hakmarrje po, përgojim po, gjitha të këqijat mes veti janë duke ndodhë”, deklaroi për KOHA, Kamberi.

Në anën tjetër, Boban Mitevski, klerik nga Kisha Ortodokse maqedonase, thekson se kjo është një sprovë që duhet ta përballojmë dhe nga e cila duhet të kemi ndonjë dobi. “Ajo që duhet të mësojmë nga kjo sprovë është se njerëzit tu kthehen vlerave njerëzore. Kisha nuk e vlerëson këtë si dënim prej Zotit, por si një sprovë për tu rikthyer vlerave të vërteta njerëzore”, thekson Mitevski. Ndërkaq, Davor Topik nga Kisha Katolike e Maqedonisë konsideron se edhe në këtë situatë që ndodhet bota mund të jetojmë së bashku.

“Ne besojmë se Zoti shkruan histori, edhe në këtë rast që po ndodh që është goditur e gjithë bota duhet të shohim që të dalim si fitimtarë. Në kuptim të afrimit me njëri-tjetrin. Nga kjo ngjarje shohim një thirrje që tu rikthehemi vlerave të mirëfillta njerëzore, ti rikthehemi Zotit. Vlerësojmë se njerëzimi është larguar nga vlerat e Zotit. Kjo ngjarje mund të jetë për dikë vdekje, e për dikë shpëtim. Nëse jemi me Zotit edhe në këtë situatë mund të dalim si fitimtarë”, nënvizon Topik.

Ndërkohë, përfaqësuesit e të gjitha feve në Shqipëri janë bërë bashkë për të dhënë një mesazh të fortë në këto ditë të vështira për të gjithë. “Ju nuk jeni vetëm, Zoti është me ju, zemrat tona janë me ju, të dashurit tuaj janë me ju, lutemi për shëndetin tuaj, për të sëmurit dhe lënduarit, për stafin dhe ekipin mjekësor. Ju jemi mirënjohës për të gjitha sakrificat. Qëndroni në shtëpi dhe ruani shëndetin tuaj. Mos harroni të moshuarit dhe njerëzit në nevojë. Ne jemi shqiptarë dhe e duam njëri-tjetrin, ne e mbështesim njëri-tjetrin, ne e ndajmë dhe kafshatën me njëri-tjetrin”, qëndron mes tjerash në mesazhin e Baba Edmond Brahimaj, Pastor Ylli Doçi, Imam Gazmend Aga dhe Dom Gjergj Meta. Apelohet që të përhapet dashuri, respekt dhe shpresë: “Le të shpërndajmë dashuri, respektin dhe shpresën, le t’i hapim zemrën njëri-tjetrit, le t’i drejtohemi Zotit dhe ta duam njëri-tjetrin si veten tonë. Mëshira, ndihma dhe kujdesi, dashuria dhe paqja e Zotit qoftë mbi ju!”, është mesazhi që ata dhanë. (koha.mk)

Loading...
loading...











Loading…


loading…