Kosova duhet ta ketë kryeqytet Mitrovicën

(Shënim: Ky shkrim u botua para mëse dy dekadave dhe është pjesë e librit të autorit “Shqiptarët dhe sërbët në luftën finale për Kosovën” botuar në Tiranë më 1998. Aktualiteti i tij po shpërfaqet tani kur sërisht po sjellët në rend të ditës ndarja e Kosovës)

Nexhmedin Spahiu

Deklaratat e fundit të Gelbartit, të ngarkuarit amerikan për ish-Jugosllavinë, shënojnë përkrahjen më të fortë të deritanishme në drejtim të synimeve të shqiptarëve të Kosovës. Përkrahja e zgjedhjeve të 22 Marsit 1998 në Kosovë, nga ana e amerikanëve, shpreh momentin vendimtar në konfliktin shqiptaro-sërb rreth Kosovës. Pjesën tjetër të deklaratës së Gelbartitm atë se administrate amerikane i konsideron joreale kërkesat për pavarësinë e Kosovës duhet kuptuar si shprehje sa për t’u hedhur si syve sërbëve.

Kjo pjesë e deklaratës është e parëndësishme për momentin, sepse kjo nuk do të thotë se në një të ardhme jo të largët Amerika nuk do ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Madje kjo formulë është aplikuar edhe me rastin e referendumit në Bosnje. Në atë kohë amerikanët përkrahnin integritetin e Jugosllavisë (d.m.th moscopëtimin e saj) dhe poashtu përkrahnin referendumin në Bosnje ku qytetarët e Bosnje e Hercegovinës duhet të deklaroheshin në janë për qëndrim të mëtutjeshëm në Jugosllavi apo për shkëputje prej saj. Menjëherë pas këtij referendumi filloi lufta dhe Amerika e njohu pavarësinë e Bosnje e Hercegovinës.

Çfarë mund të thuhet për Kosovën tani? 

Pas gjithë këtij ndërkombëtarizimi të çështjes së Kosovës, është mëse e sigurtë se ajo nuk mundtë zhbëhet, siç u zhbë Çamëria, Kraina e Kninit, Zhepa, Srebrenica etj. Natyrisht, as edhe ndonjë zgjidhje e ndërmjetme në formë autonomie nuk është e realizueshme, sepse kjo tanimë është një gjë e sprovuar dhe e ezauruar, një foshnje që lind nuk mund të kthehet më në barkun e nënës.

Kosova tanimë ka lindur si problem ndërkombëtar dhe ajo nuk mund të kthehet më mbrapa e të bëhet problem i brendshëm i Sërbisë. Edhe aleatët më të ngushtë të Sërbisë, si Greqia e Rusia, e pranojnë se Kosova është, të paktën, problem ballkanik. Madje Greqia ka marrë edhe një nismë ndërmjetësimi nga ana e saj, të cilën shqiptarët nuk e pranuan pikërisht që Kosova të mos ngelet në suazat e çështjes ballkanike.

Tek e fundit, asnjë problem në Ballkan nuk u zgjodh përmes autonomive edhe pse kjo shprehje u përdor së tepërmi gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje. Problem i Kosovës është problem kolonial e jo problem minoriteti dhe, deshën apo nuk deshën shqiptarët, sërbët, apo të tjerët, ky problem ka për t’u zgjidhur ashtu siç janë zgjidhur edhe problemet e tjera koloniale në botë.

Kush mbetet rreziku më i madh për Kosovën?

Rreziku i copëtimit të Kosovës, përkatësisht i spastrimit etnik të një pjese të saj, e cila do të jetë më me interes për Sërbinë, dhe prurja e shqiptarëve dhe Bashkësisë Ndërkombëtare para aktit të kryer është rreziku më i madh aktual për Kosovën. Situata aktuale në Kosovë po shkon drejt kësaj. Në vija të përgjithshme sërbët duan pjesën e Kosovës, të cilën gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjermania hitleriane e ndali për vete dhe nuk ia dha aleatës së saj, Italisë, përkundër tendencës së saj për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë. Pra është fjala për Mitrovicën dhe rrethinën e saj, e cila në atë kohë ishtë me e rëndësishmë për Hitlerin se sa gjithë Shqipëria, Maqedonia, e pjesa tjetër e Kosovës bashkë.

Tani sërbët synojnë ta spastrojnë etnikisht këtë pjesë duke i shtyrë shqiptarët në pjesën tjetër, të cilën pas bisedave të gjata diplomatike me ndërmjetësues të fuqishëm do të detyrohen t’ia njohin pavarësinë. Për këtë nuk flasin vetëm pozicionimet e policisë dhe ushtrisë sërbe në momentin aktual, por edhe veprimtaria e shtetit sërb gjatë këtyre 8 viteve të fundit. Veprimi i pushtetit sërb në Mitrovicë dhe rrethinë të saj ka qenë i amplifikuar dhe shumëpërmasor. Çdo gjë që e pllakosi Kosovën gjatë këtyre 8 viteve, Mitrovicën e pllakosi në mënyrë të shumëfishuar (represioni, eksodi, varfëria etj.), aq sa qytetarët e saj, nga më të pasurit në Kosovë, u shndërruan në më të varfërit e saj. Madje ka kohë që sërbët propagandojnë se Trepça tanimë është shterrur dhe nuk ka ndonjë vlerë. Natyrisht, kjo bëhet që shqiptarët të anojnë nga propozimi potencial që ta lëshojnë atë  pjesë. Shtrohet pyetja:

A duhet shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në tërësi të pajtohen që Mitrovica me rrethinë t’u mbetet sërbëve?

Kur të vijë koha e këtyre dilemave do të dalin në skenë politikanë e intelektualë, që do të thonë: më mirë të shpëtojmë diçka se asgjë. Pra, të pajtohemi me fatin që Kosova të mbetet pa Mitrovicën dhe rrethinën e saj, me shpresë se mos bëjmë ndonjë gjë me vonë. E njejta dilemë u paraqit edhe në kohën e Ismail Qemalit: më mirë të pranojmë këtë gjysmë Shqipërie, se mos bëjmë ndonjë gjë më vonë për Kosovë e Çamëri. Pas 30 e ca vitesh Çamëria u fshi nga faqja e dheut dhe gjysmë Shqipëria tjetër nuk u bë e gjallë. Kurse sa i përket paralelizmit për Kosovën, dallimi është që, nëse do të bëhej kjo zgjidhje, Mitrovica dhe rrethina e saj do të mbetej e humbur përgjithnjë.

Çfarë do të thotë Kosova pa Mitrovicën me rrethinë?

Mitrovica me rrethinë paraqet Kosovën atë çfarë paraqet Durrësi për Shqipërinë në çfarëdo lloj preojeksioni. Ajo paraqet në radhë të parë pjesën më ta pasur të saj. Me gjigantin e saj xehtaro-metalurgjiko-kimik, “Trepça”, është e lidhur e gjithë industria e Kosovës. Pavarësia e Kosovës pa Mitrovicën me rrethinë nuk do të ishte asgjë tjetër veçse fiktive. Në një rast të tillë Kosova e mbetur do të përgjërohen për futje të sërishme nën Sërbi, sepse nuk do t’i duhej gjë pavarësia e tillë. Në planin gjeografik, Mitrovica është i vetmi qytet kosovar ku bashkohen 4 lumenjë, dy prej të cilëve: Ibri dhe Sitnica, janë më të mëdhenjtë në Kosovë. (Prishtina dhe Tirana janë të vetmet kryeqytete në botë që, o nuk kanë lumenjë, o nuk janë bregdetare). Pos Prizrenit, Mitrovica është i vetmi qytet kosovar që ka kalanë e vet.

Në planin gjeostrategjik, të kesh në dorë Mitrovicën do të thootë të kesh në dorë gjithë Kosovën.

Në planin historik, Mitrovica me rrethinë paraqet pjesën më të plleshme shqiptare, përsa u përket lëvizjeve dhe figurave historike. Në këto treva u lindën dhe u formaun: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Azem Bejta, Shote Galica, Dervish Mitrovica, Rexhep Mitrovica, Ajdin Draga, Nexhip Draga, Ferat Draga, Xhafer Deva, Shaban Polluzha etj.

Në planin shoqëror, Mitrovica paraqet qytetin më të socializuar të Kosovës. Mitrovica është qyteti i dytë në Kosovë (pas Prishtinës) për nga numri i banorëve, por është i pari qytet në kuptimin e qytetarisë, përsa i përket shtresëzimit social e krahinor në Kosovë. Është i vetmi qytet me një klasë të formuar punëtore, e domosdoshme kjo për qytetarizimin e mentalitetit politik. Në Mitrovicë, përveç se bashkohen 4 lumenjë, bashkohen edhe tri krahina: Drenica, Shala dhe Kosova e Vogël, dhe poashtu bashkohen tri nëndialekte.

Në planin politik, Mitrovica nuk arriti të krijojë klan sundues në Kosovë siç arritën Gjakova, Gjilani e Llapi, por tri lëvizjet më të mëdha politike dhe më ekselente në historinë e gjithëmbarshme të popullit shqiptar patën për bazë mentalitetin politik të kësaj treve dhe këtij qyteti: Kryengritja e Hasan Prishtinës e vitit 1912, që është më e madhja në historinë shqiptare (30.000 luftëtarë); 2.Lufta për mbrojtjen e Novi Pazarit (1941), dhe 3. Lëvizja e minatorëve të Trepçës në mbrojtje të autonomisë së Kosovës, që mblodhi mbi 500.000 demonstrues në Prishtinë (1989).

Si të mbrohet Mitrovica?

Siç u pa më sipër, Mitrovica është kryeqytet i natyrshëm i Kosovës (gjeografikisht, historikisht dhe politikisht). Kosova pa Mitrovicën nuk është më Kosovë. Elektorati i Kosovës jo vetëm që duhet të vetëdijësohet për këtë, por edhe duhet t’u tregojnë sërbëve dhe opinionit ndërkombëtar se është i vetëdijshëm për këtë.

Duhet ta thotë hapur dhe troç se Kosova pa Mitrovicën nuk na duhet gjë. Dhe jo vetëm ta thotë, por edhe ta dëshmojë këtë. E dëshmia më e mirë hëpërhë është shpallja e saj kryeqytet i Kosovës. Madje jo me dekret presidencial a parlamentar, por me referendum, i cili do të bëhej bashkë me zgjedhjet e 22 Marsit.

Ky ndërrim i kryeqytetit për momentin nuk do të kushtonte më tepër se sa transferim i barakës së Prisidencës së Kosovës nga Prishtina në Mitrovicë. Tani kur bisedimet (bashkë me luftën) shqiptaro-sërbe janë të pashmangëshme në praninë e faktorit ndërkombëtar, bërja e Mitrovicës kryeqytet i Kosovës do ta përjashtonte çdo lloj kombinacioni për ndarje të Kosovës. Natyrisht, kjo do të ishte një lëvizje e guximshme e Ibrahim Rugovës dhe klanit të Llapit, por është i vetmi hap politik shpëtimi.

Të mbrosh Mitrovicën do të thotë më tepër se sa të mbrosh një pjesë të Kosovës. Të mbrosh Mitrovicën do të thotë të mbrosh Kosovën.

“Blic”, Tiranë, 04.03.1998

“Fokusi”, Cyrih, 04.03.1998

“Bota Sot”, Cyrih, 05.03.1998

“Albania”, Tiranë, 07.03.1998

“Kombi”, Prishtinë, 13.03.1998

“Flaka”, Shkup, Mars 1998


Loading...
loading...