KTHIMI I KREDIVE, qytetarët më të disiplinuar se kompanitë

Shkup, 12 shkurt – Përkeqësimi i gjendjes financiare të popullatës si pasojë e krizës së rëndë ekonomike 5 vitet e fundit në Maqedoni, rezultoi me rritjen e kredive të këqija për shkak se numër më i madh i shfrytëzuesve të kredive nuk arrinin në kohë të kthenin këstet e kredive, shkruan gazeta KOHA. Por, sipas raportit të fundit për vitin 2017 të Bankës Popullore të Maqedonisë, në krahasim me subjektet afariste, qytetarët janë më të disiplinuar sa i përket kthimit të kredive.
Analiza vë në dukje se gjatë vitit 2017 pagesat për kreditë e këqija po rritet falë trendit të rritjes së pagesave të kësteve nga ana e qytetarëve.

“Saldoja e kredive të këqija deri në fund të muajit tetor të vitit 2017 është përmirësuar dukshëm dhe përqindja e kredive të këqija të qytetarëve është në nivelin 6.5 për qind nga vlera e përgjithshme e kredive të qytetarëve, kundrejt 10.2 për qind sa është përqindja ne kredive të këqija të personave juridik. Sipas kësaj rezulton që qytetarët janë më të disiplinuar sa i përket kthimit të kredive në krahasim me sektorin afarist. Ndërkaq vlera e përgjithshme e kredive të qytetarëve për dhjetë muajt e parë të vitit 2017 ishte 2.27 miliard euro, ndërsa kreditë nga sektori i kompanive kishin vlerën prej 2.37 miliard euro”, thuhet në raportin e BPM-së.
Në anën tjetër edhe disa nga bankat më të mëdha vendore potencojnë se edhe përkundër problemeve financiare që kanë pasur viteve të fundit, qytetarët e Maqedonisë për shkak të pamundësive financiare për të kthyer këstet e kredive vitin e kaluar, megjithatë hetohet një trend pozitiv sa i përket pagesave të kësteve të kredive të këqija dhe se në këtë drejtim qytetarët janë më të përpiktë në kthimin e kredive të mbetura se sa personat juridik.
“Në përgjithësi qytetarët po bëhen më pak problematik sa i përket pagesave të kësteve të kredive nëse do të bënim krahasim me kompanitë. Kjo si duket ka të bëjë me faktin se çfarë pasoja mund të kenë qytetarët nëse nuk i kryejnë në kohë pagesat e kësteve të kredive si dhe në aspektin e detyrimeve me dhunë nga ana e përmbaruesve për të paguar kreditë”, thonë nga Banka Komerciale.

Edhe nga NLB “Tutunska Banka” informojnë se pavarësisht të gjitha ngjarjeve negative që kanë ndodhur viteve të fundit në ekonominë e vendit, para se gjithash si pasojë e konfrontimeve politike, pagesa e kredive të këqija po shënon rritje sidomos nga ana e qytetarëve të cilët po paguajnë këstet e kredive në mënyre të rregullt kundrejt sektorit afarist të cilët vazhdojnë të mos i paguajnë në rregull këstet e kredive.

“Ndodhitë makroekonomike që ishin prezente viteve të fundit kishin ndikim te bankat që të marrin masa dhe aktivitete për zbulimin e hershëm të problemeve me pagesën e kredive të këqija. Gjithsesi këto masa kanë ndikuar në zvogëlimin e përqindjes se kredive jo funksionale dhe se vitin e kaluar ta mbyllim në korniza të kufirit të lejuar të kredive të këqija. Mandej vitin që lamë pas vërehet qartë trendi i pagesave të kësteve për kreditë e këqija nga ana e qytetarëve ndërsa aktivitete më të ulët të kthimit të kredive të këqija ende ka nga personat juridik dhe se këto kredi edhe këtë vit do të kenë rrezikshmëri më të lartë”, thonë nga MLB “Tutunska Banka”.
Ndryshe të dhënat e fundit të Bankës Popullore tregojnë se përqindja me e lartë e kredive të këqija apo 13 për qind, janë kredi nga sektori i ndërtimtarisë, 9.5 për qind janë kredi të këqija nga tregu i automobilave, 4.9 janë kredi të këqija bujqësore dhe 1.9 – kredi të këqija banesore. (koha.mk)