K’tu është Shqipëria, për këta që ikin dhe ata që nuk vijnë

Nga Nga Avni Nezaj

Nëpër rrjetet sociale dhe me media ka nisur një farë melankolizmi ikjeje, ardhjeje, mos-ikjeje, mos-ardhjeje të shqiptarëve nga vendi i tyre e në vendin e tyre.

Shqiptarët e kanë provuar të ikin e të kthehen, të ikin e të mos kthehen për një kohë, të ikin dhe të kthehen si turistë, por edhe të ikin e të mos kthehen asnjëherë.

E dhimbshme është braktisja e vendit.

I tmerrshëm është trishtimi që lënë pas njerëzit kur ikin, largohen për në dheun e huaj, ndahen nga njerëzit e tyre, të afërmit e tyre, shpeshherë edhe nga fëmijët e tyre, e fëmijët nga prindërit. Kjo është jeta…

Por të ikësh e te keqtrajtosh trurin tënd duke gjetur fajtorin e ikjes dhe të justifikohesh vetëm me ikjen pa asnjë lloj reagimi tjetër, është fyese, është poshtëruese edhe individualisht, por edhe për shoqërinë që lind një person dhe e rrit atë pavarësisht kulturës apo shkollimit që ka pasur fatin të marrë në vite.

Pra, melankolia e “Shqipërisë vend i bukur”, por unë po iki, nuk vlen në këto raste. Sepse kuraja e ikjes është më e vogël se kuraja e reagimit.  Thjesht nuk kishe kurajë të reagoje dhe ike… I fut edhe një status në rrjetet sociale që mund të duket edhe si një reagim. Por që nuk është aspak kështu.

Poezia e “vend me diell dhe me det”, nuk funksionon kur e di shkakun e asaj që të nxit dhe të largon nga ky “diell” e nga ky “det”. Sepse para se të ikësh, duket të reagosh ndaj atij apo asaj që ta imponon ikjen. 

Edhe rreshtat prekëse në rrjetet sociale apo në media nuk japin zgjidhje, vetëm shtojnë radhët e atyre që ikin. 

Pra, për të justifikuar ikjen e padëshiruar individualisht, këta persona ndikojnë për të shtuar dëshirën e njerëzve të tjerë pë të ikur.

Kjo duhet të ndalet. Pra, duhet reagim.

Të kuptohemi, nuk kam asgjë kundër lirisë së tyre për të shprehur dhimbjen e ikjes, por me shqetëson fakti se pothuajse të gjithë ata që ikin nuk tregojnë ndonjë histori reagimi për të provuar të ndryshojnë fatin e tyre dhe të ndëshkojnë ata që u kanë sjellë këtë fat. Dhe gjithmonë bëhet fajtore politika dhe qeveria, ç’ka është e vërtetë. Dhe të jeni të sigurt që sa më shumë ikin ata që janë ta pakënaqur nga kjo qeveri, aq më e gjatë do jetë jeta e kësaj qeverie që ofron si shpresë për njerëzit e këtij vendi, vetëm ikjen…

Të gjithë shkruesit në rrjetet sociale në fund të shënimit thonë se do të kthehemi një ditë. Mirë do bëjnë që të kthehen. Po kush do ta ndryshojë fatin e vendit që të bëhet i pranueshëm që ata të rikthehen. Kjo është pyetja.

Nëse të gjithë ikin, kush do ta ndryshojë këtë vend të “bekuar nga Zoti”, “të magjishëm”, “të bukur sa s’ka më”, “me pasuri nëntokësore e mbitokësore”, “me diell, me ajër, me det, me male, me bukuri mahnitëse dhe me histori mijëravjeçare”. Kush? Ata që qeverisin, qeshin me statuset e qytetarëve në rrjetet sociale. Po ikin për diçka ndryshe, thonë. Kaq shumë e thjeshtëzojnë dramën e braktisjes së vendit.

Disa politikanë të tjerë u bëjnë thirrje njerëzve që të mos ikin. Po kombi po zbrazet. Do të vijë dita që do të ngelen në këtë vend vetëm militantët pensionistë të Rilindjes. Aq pak do ngelen saqë mund të ndodhë që opozita aktuale të kërkojë borxh “militantë rilindas” për ndonjë protestë paqësore për të rrëzuar qeverinë e krimit, të PPP-ve, të vjedhjes së shqiptarëve dhe të tradhtisë kombëtare.

Lotët nuk kanë vlerë për të ndalur ikjen, as thirrjet nuk kanë vlerë, as shkrimet në rrjetet sociale. Intelektualët heshtin ose ulin kokën e pëshpëritin të zezën ndër dhëmbë e askush nuk i dëgjon.

Organizatat joqeveritare i “blen” shpejt e shpejt ‘Lali Eri’.

Mediat janë më sytë nga qeveria që t’u hedhë ndonjë “kockë”.

Që të shpëtohet ky vend nga shpopullimi i nxitur nga keqqeverisja, duhet të ndëshkohet qeveria. Dhe të kthehet shpresa e humbur tek njerëzit. Pra, vlerë ka vetëm reagimi.


Loading...
loading...