KUJDES , sot deri në 42 gradë qeveria doli me rekomandime!

Gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronik të moshës mbi 60 vjeç të lirohen nga puna, ndërsa punonjësit ndërtimorë të mos punojnë në ambiente të hapura prej orës 11 deri në orën 17, janë një pjesë e rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë që Qeveria i miratoi në seancën e mbrëmshme për shkak të valës së nxehtë që e kaploi Maqedoninë.

Sot, sipas paralajmërimit të sinoptikëve, pritet temperaturat të arrijnë deri në 42 gradë Celsius, ndërsa edhe UV indeksi të jetë 9. Do të fryjë erë jugperëndimore e dobët deri në mesatare.

Për shkak të motit të nxehtë, Qeveria rekomandon në kopshtet e fëmijëve të mos nxirren fëmijët në ambiente të hapura prej orës 11 deri në orën 17, ndërsa kompanitë private ta organizojnë orarin e punës që të shmanget ekspozimi i drejtpërdrejtë i punëtorëve prej orës 11 deri në orën 17.

Njësiteve të Vetëqeverisjes lokale, Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë dhe Qendrave për punë sociale në rajonet e përfshira me valën e nxehtë u rekomandohet t’u ofrojnë ndihmë personave të moshuar dhe të pastrehëve.

Në seancën qeveritare është sjellë vendim rekomandimet t’i respektojnë edhe organet shtetërore dhe ndërmarrjet dhe institucionet publike.

“Qeveria vendosi që kjo masë të jetë në kohëzgjatje prej tre ditëve, deri në vendimin e ardhshëm. Qeveria dhe organet kompetente janë duke e ndjekur gjendjen dhe nëse ka nevojë do të ndërmerren masa në pajtim me Planin veprues për parandalimin e pasojave prej valës së nxehtë, ndaj popullatës në Republikën e Maqedonisë”, informoi pres shërbimi qeveritar. 

Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike paralajmëron se deri të shtunën rajoni jonë do të jetë nën ndikimin e masës shumë të ngrohtë të ajrit, ndërsa nga e diela masa më e freskët e ajrit nga veriu do të shkaktojë në shumë vende mot jostabil me reshje të rrëmbyeshme të shiut dhe paraqitje të bubullimave, veçanërisht pasdite. Temperatura e ditës do të ulet duke filluar nga pjesët veriore për rreth 5 gradë, ndërsa në pjesët e skajshme juglindore ende do të mbajë mot shumë i nxehtë. Do të fryjë erë nga drejtimi veriperëndimor.Të hënën moti do të jetë i ndryshueshëm dhe i freskët me shi lokal. Do të fryj erë e forcuar nga drejtimi verior e cila do të shkaktojë ulje të konsiderueshme të temperaturës, e cila të hënën dhe të martën do të jetë në interval prej 22 deri në 31 gradë. Pastaj temperatura do të jetë në rritje të vazhdueshme.

In : Aktuale

Loading...
loading...