Kujtimi për mësuesin tim-Resul Bekteshi

Resul Bekteshi -Strugalajm.com  

Xha Vaiti kujton mësuesin e parë tani pas mbi se 70 vite.

Ishte e diel, nje ditë e rëndomtë për qytetarët e Strugës, të cilët  atë ditë e kalojnë nëpër kafenetë e qytetit që janë të shumta.

Këtë ditë edhe unë së bashku me një shokun tim të  fëmijërisë ishim ulur ne një lokal në qytet , për të biseduar dhe për të kujtuar të kaluarën , sepse shoku im një kohë të gjatë punon dhe jeton në botën e jashtme dhe rrallë kemi mundësi të shihemi.

 Moti bënte ftohtë, bile binte edhe nje dëborë e imtë ,e cila i detyronte njerëzit të futeshin në ndonje lokal për të kaluar disa çaste pushimi .

 Papritmas në lokal hyri një person i moshës së thyer. E ftuam të ulet dhe të na shoqërojë. Pranoi ftesën dhe  u ul pranë nesh. I ofruam një pije.Nuk e mendova se personi që hyri në lokal do të bëhet protogonisti i ketij shkrimi të rastit ,por që për baqshkëfolësin  ishte mjaft interesant . Personi i cili hyri ne kafene dhe na u bashkangjit në bisedë ishte Vait Ziba nga fshati Livadhi. Biseduam me xha Vaitin për shumë tema , por tema e cila ishte më me interes për bashkëfolësin ishte arsimi shqip në atë kohë. Xha Vaiti si duket kishte nevojë të kujtoj të kaluarën dhe papritmas filloi të flas për vitin e largët 1941 kur në Livadhi u çel shkolla e parë shqipe në këto troje.

Të kujtosh sot pas 75-80 vitesh atë vit dhe të kujtosh mësuesin e parë s’ështe punë e lehtë. Duhet t’i kesh përjetuar  ato vite, kur nxënësit shqiptarë të Strugës dhe rrethinës filluan të mësojnë në gjuhën e tyre të bukur shqipe dhe të mësojnë alfabetin e bukur të  gjuhës amtare.

Protagonisti i këtij shënimi i kishte përjetuar ato momente të mësimit shqip, prandaj pa dashur të ndalet vazhdon të përcjell kujtimet e atyre ditëve, flet ngadalë, rrjedhshëm dhe plot respekt kujton edhe mesuesin e parë që ka arritur në Livadhi në dhjetorin e vitit 1941.    StrugaLajmStrugaLajm

-Ishte vjeshta e vitit 1941,kur në Livadhi , ne këtë fshat të  vogël me vetëm disa shtëpi u hap shkolla e parë shqipe – kujtohet tani Xha Vaiti dhe vazhdon: -Unë isha ndër nxënësit e parë që u ula në bangat shkollore,së bashku me disa nxënës të tjerë nga Livadhia,Koroshishta, Dollogozhda etj. Ne të gjithë që u ulëm të  parët nëpër banka ishim të moshave të ndryshme, Kishte aty fëmijë të moshës 7, 8, 9 dhe 10 vjeçare, por të gjithëve na bashkonte i vetmi qëllim; të arsimohemi edhe ne si fëmijët tjerë per të cilët kishim degjuar.

 Bashkëfolësi na habiti për freskinë  dhe kthjelltësinë që fliste dhe kujtonte ato vite edhe pse tani i ka kaluar 86 vite.

-Më kujtohet si sot- thotë bashkëfolësi-momenti kur para nesh, para vocrrakëve të moshave dhe gjinive të ndryshme u paraqit mësuesi Enver Paluçi.

Për mësuesin e tij të parë kështu do të shprehet tani Xha Vaiti:StrugaLajm

-Ishte një burrë i pashëm, i veshur me tesha të zeza,jo shumë i lartë, në dorë mbante një cantë të zezë. Na përshëndeti dhe qëndroi para nesh, duke vërejtur secilin nga ne me një pamje tërheqëse dhe të ëmbël, ashtu na u duk neve vocrrakëve të Livadhisë mësues Enveri, si filluam ta thërrasim më vonë. E shihnim me habi, sepse ishte mësuesi i parë që shkeli në këto troje për të mësuar nxënësit në gjuhën e bukur shqipe dhe në alfabetin e saj që përbëhet nga 36 margaritarë – ashtu na thoshte mësues Enveri.

Mësues Enver Paluçi ishte nga Shqipëria, respektivisht nga Elbasani, ishte nga nxënësit e pare të normales të Elbasanit dhe kishte  ardhur këtu bashkë me shumë mësues të tjerë me urdhër të Ministrit, Ernest Koliqi, për të mësuar vocrrakët shqiptarë të Strugës, Ohrit, Tetovës, Gostivarit, Shkupit,  Dibrës etj.

Xha Vaiti vazhdon me respekt të vecantë të flas për mësuesin e tij të parë dhe thotë se ishte njeri me kulturë të gjërë ,edukator dhe pedagog i përsosur.  Fliste ngadalë dhe rrjedhshëm. Kishte sjellje korrekte ndaj nxënësve dhe prindërve, prandaj të gjithë në fshat e pranuan si djalin e tyre.

Bashkëfolësi me një kujtesë të freskët kujton vitin e largët 1941, kur së bashku me shumë djem dhe vajza të fshatrave u ulën në ato bankat e vjetra të shkollës dhe vazhdon të përmend emrat e disave na shokët siç ishin: Ilmi Lloga, Riza Ziba, Xhelal Ziba, Shefkate Ziba, Kadri Pollozhani, Murat Pollozhani, Inajet Dauti, Shefqet Dauti, Enver Oxha, Fikri Asani, Selim Ziba, Atmije Ziba, Meradije Lloga, Fuat Dika, Idriz Sela, Idriz Reçi, Ramiz Sela, Sejdin Lloga, Remzi Qoku, Xhemail Qoku etj  (kërkon ndjesë ndoshta dikë e ka lëshuar por pa qëllim). Por për fat të keq shumica prej tyre tani më nuk jetojnë, por kujtimi për ta është I përjetshëm, sepse ata më vonë vazhduan të arsimojnë gjeneratat e ardhshme të këtyre fshatrave

Unë – thotë xha Vaiti – kam qenë adhurues i madh i arsimit, isha nxënës i mirë, shkollën e doja shumë, por babai nuk më lejoi që unë të vazhdojë shkollimin dhe në vend të shkollës më dha shkopin dhe tufën e deleve. Dashuria e madhe për shkollën te mua nuk u ndërpre, prandaj atë që nuk mujta ta arrij vetë e përcolla te gjeneratat e ardshme të familjes sime, kështu sot në gjirin e familjes sime më të ngushtë ka kuadro të profileve të ndryshme si: mjek, inxhinier, jurist, profesor, ekonomistë, etj. Krenar ndihem edhe tani, sepse vajzat  e para që vazhduan shkollimin e mesëm dhe fakultetin nga Livadhia janë pikërisht të familjes time. Ata janë : Lirije Ziba, Nexhdete Ziba, Nexhlale Ziba, Dashurije Ziba, kurse djemtë janë të shumtë, vetëm fëmijët e mij janë 4, të gjithë me fakultet.

Xha Vaiti  edhe sot mundohet të kujtojë dhe të recitojë vargjet e poemës “Bagëtia e bujqësia” të Naimit, “Recital i malësorit” të Migjenit, vargjet e poezise “Anës lumenjve” të Nolit si dhe këngët: “A kanë ujë ato burime” dhe “O trima luftëtarë, të bijtë e Skëndërbeut” – të cilat I ka mësuar nga mësuesi I tij I parë dhe përmend me keqardhje duke thënë se kur mësuesi përmendte Naimin, Migjenin  apo Nolin ishte krenar dhe me plot gaz e shend fliste për ta, bile shpesh edhe përlotej.

Para se të përshëndetemi Xha Vaiti na thotë se një kohë të gjatë ka punuar në Gjermani dhe atë gati 30 vite. Nga ajo kohë përmend edhe vitin e largët 1982, kur në Shtutgard të Gjermanisë dora e armikut vrau Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, të cilët ishin ndër atdhetarët më të flaktë në Shtutgard dhe më gjerë. Thotë se me ta ka qenë I afërt dhe me keqardhje dhe lot kujton ata djem dhe atdhetarë të flaktë.

U përshëndetëm me xha Vaitin duke I dëshiruar jetë të qetë në këtë moshë dhe çdo të mirë në vitin e ri që porsa kemi shkelur.

    Resul Bekteshi


Loading...
loading...