Kultura politike në Gjermani: një gabim i vogël dhe ministri përjashtohet nga qeveria për 50 sekonda

Në korrik të vitit 2002 kancelarit gjerman Gerhard Schröder iu deshën vetëm 50 sekonda për të larguar nga kabineti ministrin e Mbrojtjes, Rudolf Scharping. Para mediave Schröder tha: «Zonja dhe zotërinj, unë do të lusë zotin president federal, që Rudolf Scharpingun ta largojë nga posti i ministrit të Mbrojtjes. Sipas mendimit tim nuk ekziston më baza e domosdoshme për punë të përbashkët në qeverinë federale. Pas këshillimeve në organet e SPD (socialdemokratëve gjermanë, v.j.), të cilat do të zhvillohen sot dhe nesër herët, unë do ta lusë zotin president federal që ta emërojë për pasardhës si ministër të Mbrojtjes zotin Peter Struck. Me nënkancelarin kam arritur pajtimin e nevojshëm për partnerin e koalicionit». Kaq. Ditën e mirë.

Çfarë kishte bërë i gjori Rudolf Scharping? I dashuruar në një konteshë gjermane ai kishte shkuar për pushime në Mallorca të Spanjës dhe kishte lejuar një revistë gjermane të shkrepë fotografi, ku çifti i lumtur shihej në një pishinë të hapur. Në atë kohë ushtria gjermane gjendej para angazhimit në Maqedoni dhe ushtarët gjermanë e kishin të ndaluar të shkonin në pushime. Ministri në det dhe ushtarët para dërgimit në Maqedoni – kjo quhej sjellje joetike e Rudolf Scharpingut. Kishte edhe disa dyshime për raporte të paqarta të tij me një biznesmen, por afera e pishinës e mbushi kupën – dhe Schröder e largoi nga funksioni ministrin e tij të Mbrojtjes.

II.
Më 17 shkurt 2012 presidenti i Gjermanisë Christian Wulff dha dorëheqje. Një ditë më parë prokuroria në Hannover kërkoi heqjen e imunitetit të presidentit për shkak të dyshimit për favorizim të Christian Wulffit. Mediat kishin njoftuar se në vitin 2007 regjisori i filmit David Groenwold kishte paguar shpenzimet e hotelit për një fundjavë, të cilën Wulff e kishte kaluar në Sylt, një ishull në Gjermaninë veriore. Wulff e arsyetoi dorëheqjen me humbjen e besimit në opinionin gjerman. Ai po ashtu ishte fajësuar për mosdeklarim të një kredie. Të gjitha akuzat përfunduan me lirim të tij, por në postin e presidentit nuk arriti të qëndrojë. Vetëm dyshimi i vogël për veprime të paligjshme mjaftoi që mediat t’i bëjnë presion aq të madh, saqë Wulff u tërhoq.StrugaLajmStrugaLajm

III.
Në historinë e politikës gjermane dorëheqja e presidentit Horst Köhler në fund të majit 2010 mbetet e pashembullt. Köhler, një ekonomist i njohur dhe politikan pa asnjë njollë, gjatë një vizite që ua kishte bërë ushtarëve gjermane në Afganistan kishte deklaruar se «në rast dileme, në rast urgjent është e domosdoshme edhe një ndërhyrje ushtarake për të mbrojtur interesat tona, për shembull rrugët e lira tregtare, për shembull për të penguar jostabilitetet rajonale, të cilat me siguri godasin edhe shanset tona – negativisht përmes tregtisë, vendet e punës dhe të ardhurat. Të gjitha këto duhet të diskutohen dhe besoj se nuk jemi në rrugë të keqe». Mediat e akuzuan presidentin Köhler se përkrahte intervenimet ushtarake gjermane për të siguruar interesat ekonomike, gjë që nuk është e lejueshme sipas Kushtetutës së Gjermanisë. E majta gjermane (Die Linke) e akuzoi presidentin se po mbështeste «luftërat ekonomike», të Gjelbrit kërkuan që Köhler të tërheq deklaratën e tij, socialdemokratët thanë se fjalët e presidentit ishin «debat i pavend», kristiandemokratët e Angela Merkelit kritikuan deklaratat keqkuptuese të Köhlerit. Këto dhe qortimet nga shtypi mjaftuan që presidenti të largohet nga posti – madje as kancelarja Merkel nuk kishte arritur t’ia ndërrojë mendjen me lutjet e saj për të qëndruar në post.StrugaLajm

IV.
Në shkurt të vitit 2011 u detyrua të japë dorëheqje edhe ylli i politikës gjermane, ministri i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg pasi Universiteti në Bayreuth ia kishte marrë gradën e doktorit të shkencës për shkak të plagjiaturës. Largimin e tij nga posti portali Spiegel Online e kishte komentuar me këtë titull: «Copy, paste, delete». Fjalimin e dorëheqjes aristokrati Karl-Theodor zu Guttenberg e filloi me këto fjalë: «Në një bisedë shumë miqësore unë e njoftova zonjën kancelare federale se unë do të tërhiqem nga pozitat e mia politike dhe kam kërkuar largimin tim. Ky është hapi më i dhimbshëm i jetës sime. Dhe unë nuk po largohem vetëm për shkak të doktoratës sime me gabime, ndonëse e kuptoj se edhe kjo për shumë pjesë të shkencës do të ishte arsyeja». Kështu u largua nga skena politike Karl-Theodor zu Guttenbergu, të cilin disa media e shihnin madje edhe si pasardhës të kancelares Merkel.

V.
Shembujt e mësipërm tregojnë se në politikë duhet te ekzistojnë disa rregulla etike. Madje në shtete funksionale si Gjermania politikanët detyrohen të largohen edhe kur nuk kanë shkelur ligjin, por vetëm për shkak të dyshimit se mund të kenë shkelur ligjin – ose për shkak të një deklarate që konsiderohet si e pavend. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj deklaroi se ka paguar nga xhepi i tij 7000 euro për të bërë pushime në Zvicër. Ai nuk e ka demantuar ende se ka qëndruar në njërin prej hoteleve më të shtrenjta në botë, në «Carlton» në St. Moritz. Në Zvicër Haradinaj ka qëndruar me familjen e tij. Nuk ka dhënë asnjë dëshmi deri më sot nëse vërtet e ka paguar vetë hotelin dhe nga cilat burime. Nuk dihet kush ia ka paguar fluturimin nga Prishtina në Zürich. Nuk dihet si ka shkuar në St. Moritz – me tren, taksi apo avion privat. Nëse ka shkuar me avion privat nga Zürichu në Engadin Airport St. Moritz Samedan, është dashur të paguajë rreth 4500 euro. Atëherë Haradinajt, bashkëshortes së tij grabitqare dhe familjarëve të tjerë do t’u mbeteshin sall nja 2500 euro sa për nga një supë në çanakë jo aq të thellë në hotelin e tyre në St. Moritz. Shkuarja në St. Moritz është një përjetim edhe për këtë arsye: Engadin Airport St. Moritz Samedan është aeroporti në lartësinë më të madhe në Europë. Nga ky udhëtim banorët e varfër të Kosovës kanë marrë edhe përgjigjen në pyetjen epike: A shtrihet tash Kosova deri te Kulla e Zhlepit apo deri në St. Moritz? Shtrihet, natyrisht, deri në St. Moritz. Kur je kryeministër i Kosovës, kur ke një parlament me mentalitet të deleve, kur ke një opinion që e ndjen veten të pafuqishëm – atëherë pse të mos hidhesh edhe në këso aventurash. Dorëheqje? Fjalë e panjohur në fabrikën politike të Kosovës. Sa për kujtim: rroga minimale për punëtorë nën moshën 35-vjeçare në Kosovë është 130 euro. Gëzuar Vitin e Ri!

In : Aktuale, Rajoni

Loading...
loading...