Kurbani, adhurim mesazhesh e urtësish


Dr.Bashkim Aliu

Kurbani është një institucion i cili haset te të gjithë popujt, në të gjitha periudhat historike dhe te të gjitha fetë e besimet. Nese ndiqen ajetet Kur’anore, e po ashtu edhe shkrimet historike, do të shihet se institucioni i kurbanit është i vjetër sa edhe vetë njeriu. Në fakt, institucionin e kurbanit, sipas dëshmisë kur’anore, e hasim në familjen e parë në botë, familjen e babait të njerëzimit, Ademit a.s. kur dy djemtë e tij patën një mosmarrëveshje.  Ata dy çuan kurban, ashtu që kujt iu pranua kurbani, ai pati qëndrim të drejtë, ndërkaq atij që nuk iu pranua kurbani, kishte gabuar. Prej njërit u pranua kurbani e prej tjetrit jo, e me këtë u pa se cili kishte të drejtë nga ata dy, e cili jo. I Lartmadhërishmi ka thënë:<< Lexoju (Muhammed) atyre (jehudive e të tjerëve) ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit, kur të dy flijuan kurbanë, nga të cilët njërit iu pranua,ndërsa tjetrit nuk iu pranua. Ai (që nuk iu pranua) tha: “Unë do të të mbys ty” (Kabili i tha Habilit). E ai (që iu pranua) tha: “Allahu pranon vetëm prej të sinqertëve” (27)  >>[El-Maide: 27].

Një ngjarje tjetër e rëndësishme që është e lidhur për kurbanin, është ngjarja e Ibrahimit dhe djalit të tij Ismailit, paqa e Allahut qoftë mbi të dy dhe mbi gjithë pejgamberët tjerë. Ibrahimi a.s., babai,  që ishte i dërguar i Allahut, u urdhërua në ëndër, e ëndra e pejgamberëve është realitet, që ta bën kurban djalin e tij. Me t’i treguar djalit, Ismailit, po ashtu pejgamber i Allahut, prej të cilit rrodhi edhe Muhamedi s.a.v.s., ai menjëherë tregoi gatishmëri që t’i nënshtrohet këtij urdhëri të Allahut të Madhërishëm. Ndodhi ashtu si u deklarua gojarisht, por kur u shtri që të zbatohet ndaj tij urdhëri i Allahut, erdhi shpëtimi nga Allahu i Madhërishëm, ngase ky e kaloi provimin me sukses, dhe në vend të tij u bë kurban një dash. I Lartmadhërishmi ka thënë:<<Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?” Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do Allahu, prej të durueshmëve!” (102)E kur ata të dy iu dorëzuan urdhërit të Zotit dhe përmbysi atë në fytyrë (në ballë) (103) Ne e thirrëm atë: “O Ibrahim!” (104) Ti tashmë e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët! (105) Vërtet, kjo ishte sprovë e qartë (106) Ne e shpaguam atë me një të therrur (kurban) të rëndësishëm (107)>>[Es-Safat: 102-107].

Të gjithë ata njerëz të cilët iu përgjigjën thirrjes së të dërguarve të Allahut, gjatë gjithë historisë njerëzore të dërgimit të shpalljeve dhe pejgamberëve, e gjetën rrugën e drejtë dhe i rregulluan si duhet çështjet e tyre jetësore, duke e përfshi këtu edhe institucionin e sakrificës. Me fjalë tjera, institucioni i sakrificës i njohur te të gjithë popujt, për disa qe tragjik dhe me përmasa shqetësuese, ngase të zhytur në injorancë e padituri, disa popuj objekt të sakrificës e bënë njeriun, apo më saktë thënë femrën, ashtu që femrat i sakrifikonin, gjegjësisht  i çonin kurban. Rasti i Ibrahimit a.s., dhe djalit të tij Isamilit a.s., tregoi se objekt sakrifice nuk mund të jetë njeriu, por kafsha, ngase njeriu nuk është i destinuar për sakrificë, gjegjësisht kurban, por për të kryer një mision madhështor në botë.

Institucioni i kurbanit mund të shtjellohet nga shumë kënde, respektivisht të flitet për shumë dimensione të tij, fjala vjen si:dimensioni fetaro-juridik, moral, social, historik, kulturor, etj. Por, ne me këtë rast do të ndalemi në disa mësime, mesazhe dhe urtësi që mund të nxirren nga institucioni i kurbanit. Në mes tjerash, do të veçojmë si vijon:

LARAMANIA E IBADETEVE: Institucioni i kurbanit, flet se ibadetet në islam manifestohen në forma të ndryshme. Kështu, kemi ibadete shpirtërore, e që aludojmë në atë se nuk kërkohet veprim konkret fizik, por edhe shpirtërisht mund të bëhet ibadet. Me këtë rast do ta kishim potencuar ibadetin e të menduarit dhe të medituarit për madhështinë e Allahut. Kemi ibadete trupore, si që janë namazi e agjërimi; ibadete materiale, si që janë zeqati, haxhi, lëmosha etj. Në mesin e ibadeteve materiale bën pjesë edhe kurbani. Pra, i shprehet adhurim Allahut duke sakrifikuar një pjesë të pasurisë për të çuar kurban.

KRYERJA E TË GJITHA VEPRAVE VETËM NË EMËR TË ALLAHUT: Kurbani therret në emër të Allahut dhe vetëm për hir të Allahut, që të arrihet kënaqësia e Allahut dhe të demonstrohet të qenit e besimtarit i përkushtuar në zbatimin e urdhërave të Allahut.

Popujt tjerë, në fakt ata të cilët nuk kanë qenë të udhëzuar në rrugën e drejtë, sakrificën, si institucion të rëndësishëm të besimit dhe kulturës së tyre, e kanë dedikuar për objektiva të gabuara dhe e kanë realizuar në emër të gabuar.StrugaLajmStrugaLajm

Para shpalljes së Kur’anit, arabët injorantë çonin kurbana, por në emër të idhujve të tyre dhe për hir të autoritetit të putave. Po ashtu, edhe popujt tjerë duke filluar nga kohët e lashta, çonin sakrifica në emër të hyjnyve të imagjinuara, për të arritur bekimin dhe simpatinë e tyre, apo për të shuar mllefin e hidhërimin e tyre.

Allahu i Madhërishëm urdhëroi qartë dhe në mënyrë të prerë që kurbani të therret vetëm në emër të Tij dhe për t’u arritur kënaqësia e Tij. I Lartmadhërishmi ka thënë:<<Andaj, ti falu dhe prej kurban për hirë të Zotit tënd! (2) >>[El-Keuther: 2].

Në këtë kontekst janë edhe fjalët e të Lartmadhërishmit:<< Thuaj:”Namazi im, kurbani, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve! (162) Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe i bindem)!>>[El-En’am: 162-163].

MBROJTJA DHE NGRITJA E QENIES NJERI: Në religjionet, besimet dhe popujt e vjetër, nuk kanë qenë të paktë rastet kur objekt i institucionit të kurbanit ka qenë njeriu, gjegjësisht kanë sakrifikuar njeri me bindje se zotrat e tyre e kërkojnë një veprim të tillë. Sa për ta ilustruar me shembull, do ta përmendim Egjiptin e vjetër, ku për hirë të lumti Nil dhe kënaqjes së zotrave të imagjinuar, për të vazhduar të rrjedh lumi, egjiptasit e vjetër për çdo vit sakrifikonin një vajzë të re.

Së këndejmi, rrëfimi kur’anor i momentit të sjelljes së dashit në vend të njeriut, gjegjësisht kompenzimi i birit të Ibrahimit a.s., Ismailit a.s. me kafshë, flet për vlerën e lartë që ia dha Islami njeriut duke e mbrojtur njeriun nga të qenit objekt sakrifikimi, por shprehja e devotshmërisë dhe përkushtimit të denjë në besim përmes institucionit të sakrificës, realizohet edhe përmes sakrifikimit të kafshës.StrugaLajm

Vërtet, po qese analizohet mirë ky moment, pra i kompenzimit të njeriut me kafshë, do të shihet qartë se Islami e mbrojti dhe e ngriti lartë qenien njeri, për dallim prej besimeve të ndryshme të devijuara që njeriun e bënë objekt sakrifikimi. Pra, duke therrur kurban, njeriu e përkujton vlerën e tij të lartë dhe mbrojtjen që ia bëri Allahu i Madhërishëm. Kurbani në këtë rast është mbrojtje e dinjitetit njerëzor.

GATISHMËRIA PËR SAKRIFIKIM PËR KAUZËN: Shiquar nga një kënd tjetër, momenti i shtrirjes së Ismailit a.s., për t’u sakrifikuar nga ana e babait të tij Ibrahimit a.s., manifeston ndjenjën e lartë pëpr sakrifikim për kauzën më të lartë-besimin.

Nuk mund të realizohen idealet pa sakrifica dhe as që mund të mendohet në fitore pa sakrifica, e kjo pikërisht dëshmohet në rastin e kurbanit, kur besimtari duke therrur kurban vërteton gatishmërinë e tij për të sakrifikuar për idealet dhe kauzën. Në këtë rast, kurbani ngërthen në vete të gjitha kuptimet e sakrificës, gjegjësisht:sakrificë me pasuri, mund, sakrificë intelektuale, bile edhe sakrificë me jetën, poqese e kërkon nevoja dhe nuk ka zgjidhje tjetër.

Të dy gjeneratat, ajo e re e prezantuar nga Ismaili a.s., dhe ajo e vjetër e prezantuar nga Ibrahimi a.s., manifestuan vetëdije të lartë islame dhe gatishmëri të plotë për sakrifikim në rrugën e idealeve. Realisht, ky është mesazh dhe mësim për të gjithë brezat dhe gjeneratat e këtij umeti që nëse dëshirojnë të arrijnë sukses, duhet të cilësohen me këtë veti madhështore. Në këtë kontekst janë edhe fjalët e intelektualit të shquar musliman të Ballkanit, Dr.Ahmed Smajloviq, i cili ka thënë:”Të dy gjeneratat, respektivisht të dy personalitetet e shfaqin besnikërinë e paluhatshme të besimit në Allahun xh.sh. Flijimi për besim nuk din për kufij, dashuria ndaj të besuarit nuk njeh vështirësi, malli për kënaqësinë e Allahut xh.sh. nuk njeh çmim. Babai e flijon për kurban gjënë më të shtrenjtë që e posedon, ndërsa biri nga ana e tij e ofron gjënë më të mirë që posedon”.

Në këtë kontekst, duhet potencuar në veçanti sakrificat që bënë shqiptarët për ta mbrojtur identitetin e tyre fetar dhe kombëtar në hapësirat e Ballkanit. Për të mbrojtur tokën e vetë dhe për mos të lënë të nëpërkëmbet nderi dhe dinjiteti i tyre nga pushtuesit, në kohën më të re, kur bota flet për epokën postindustriale, shqiptarët u dasht të përballen me makinerinë monstrume të pushtetit kriminel të Millosheviqit, për mos të lënë të vazhdojnë torturat, mundimet, persekutimet dhe pushtimi i tokës së tyre të larë me gjak gjatë historisë. Po kjo vazhdon sot e kësaj dite, me forma tjera, duke u dasht të përballen me obstruksionet e shtetit serb dhe qeverisë së Beogradit, e cila nuk len gur pa lëvizur për ta penguar integrimin e Kosovës në institucionet relevante ndërkombëtare. Imagjinoni, këtë e bën ky shtet i cili jo vetëm që ka statusin e vendit kandidat, por edhe i ka çelur bisedimet me BE-në për t’u anëtarësuar. Nuk dihet nëse marrëveshja me Kosovën do të jetë kusht, në fund të bisedimeve për anëtarësim të plotë. Por, sot për sot, krahas krimeve dhe obstruksioneve, si dhe sjelljeve arrogante dhe jo njerëzore ndaj Kosovës, Serbia ledhatohet nga shumë palë. Këtë fat e pati edhe Bosnja më herët.

Megjithatë, kurbani që për çdo vit praktikohet nga shumë muslimanë, është frymëzim dhe shtytje për sakrifica. Që ndryshe, do të përkthehet të pamposhtur, të vendosur.

SOLIDARITETI: Kurbani vërteton praktikisht karakterin solidar të besimit islam dhe ndjenjën e umetit islam për solidaritet. Duke therrur kurban, besimtari dëshmon se ai nuk është egoist, nuk mendon vetëm për vete dhe nuk është i izoluar nga shoqëria. Por, ai mendon dhe interesohet për hallexhinjtë, ua zgjat dorën e ndihmës dhe është pranë tyre sa herë që të kërkojë nevoja.

Në fakt, kurbani therret që të tregohet bamirësi ndaj tjerëve, të gëzohet edhe skamnori i cili ndoshta në tryezën e vet asnjiherë nuk ka vënë mish. Në këtë mënyrë, demostrohet vëllazëria islame ngase gëzimi i ditës së kurban bajramit ndahet nga të gjithë, të pasur e të varfur. Të varfërit, falë Allahut të Madhërishëm, pastaj solidaritetit të të pasurve, gëzohen bashkë me familjet e tyre për arritjen e kësaj feste madhështore. Muhamedi, paqja e Zotit qoftë mbi të dhe mbi të gjithë të dërguarit tjerë të Zotit, e pyeste familjen e vet se çka kanë bërë me mishin e kurbanit, gjegjësisht a e kanë shpërndarë nëpër familje tjera. Kështu, në një rast gruaja e tij Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha se e kemi shpërndarë gjithë kurbanit me përjashtim të njërës këmbë. I dërguari i Allahut  ia ktheu se gjithë e paskemi mbajtur për vete, me përjashtim të njërës këmbë. Kjo do të thotë se i dërguari i Allahut, pjesën e shpërndarë e konsideroi përfitim për vete, ngase me të është bërë bamirësi ndaj tjerëve, e me këtë ka përfituar fetarisht personi që ka therrur kurban.

MBROJTJA E AMBIENTIT: Ajo që duhet theksuar në veçanti me rastin e festës së Kurbanit, është kujdesi i muslimanëve që mos e ndotin ambientin kur t’i therrin kurbanat. Kjo vlen në ato vende ku kurbanat therren edhe nëpër shtëpi, për dallim prej disa vendeve tjera ku jetojnë muslimanë, ku ligjërisht nuk mund të therret kurbani në çdo vend. Me këtë rast, muslimanët nuk duhet që ta ndotin ambientin dhe nuk guxojnë t’i shndërrojnë vendbanimet e tyre, si lumin apo vendet tjera, në deponi të egër ku do t’i gjuajnë mbetjet e kurbanit. Kjo nuk është në përputhje me parimet Islame. I Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja e Zotit qoftë mbi të, na ka mësuar që t’i largojmë pengesat nga rruga dhe mos kryejmë nevoja fiziologjike, kur jemi jashtë në natyrë, dhe nuk kemi vende të posaçme afër, në vendet ku kalojnë njerëzit, ku ulen për të pushuar dhe ku ndotet uji. Atëherë, çka mund të themi për ata që e thejnë këtë porosi të të Dërguarit të Allahut dhe gjakun e kurbanit e derdhin në lum, si dhe mbetjet e tij, i gjuajnë nëpër vende që nuk janë të parapara për këtë gjë?! Pra, si muslimanë, jemi të obliguar që mos ta japim pasqyrë të keqe për festën e kurbanit dhe për institucionin e kurbanit duke bërë veprime të papërgjegjshme. Kjo, ngase me këtë veprim ne e dëmtojmë imazhin e Islamit dhe hapim rrugë për disa që ta sulmojnë Islamin, në vend që këtë t’ia adresojnë faktorit njeri që është përgjegjës.

Papërgjegjësia e organeve komunale në drejtim të mos gjetjes së vendeve të përshtatshme për deponi, nuk guxon të merret për justifikim. Çdo njëri duhet ta merr përgjegjësinë në vete, nëse organet komunale nuk kanë mundësuar deponi legale dhe zgjidhje adekuate për këtë çështje.

Le të jetë institucioni i kurbanit vetëdijësim për sakrificën tonë që duhet ta bëjmë për mbrojtjen e ambientit, e jo të abuzojmë me të, e ta ndotim ambientin.

In : Aktuale

Loading...
loading...