Kush do i fikë dritat më 12 prill!

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 27 janar – Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit 2020 në skenën politike shqiptare pritet të sjellin ndryshime rrënjësore, nëse opozita arrin të koordinohet ashtu siç duhet. Nëse nuk ndodh një bashkim i mirëfilltë i opozitës, BDI do të vazhdojë të qëndrojë edhe më tutje në politikë.

Bashkimi trepalësh mes ASH-LB-Alternativa do të dërgonin BDI-në në opozitë

Të gjithë partitë opozitare shqiptare synojnë të vijnë në pushtet duke dashur që ta dërgojnë në opozitë për herë të parë BDI-në pas gati 20 vite pushtet. Megjithatë, të ndara e përçara siç po funksionojnë deri më tani, nuk mund kurr të arrijnë një synim të tillë. Vazhdimisht ka kërkesa edhe nga votuesit opozitarë që të tre partitë shqiptare që nuk kanë raporte të mira me BDI-në, të bashkohen nëse duan fitore.

Aleanca për Shqiptarët – Lëvizja Besa – Alternativa, të tre partitë që kanë deputetë në Kuvend, duhet të bashkohen nëse synojnë të arrijnë më shumë deputetë dhe kështu të bëhen pjesë e ndonjë qeverie të ardhshme. Megjithatë, problemi te shqiptarët është se ata mbi të gjitha vendosin intatet personale, se sa të shohin interesin e përgjithshëm.

Gjasat për ta çuar BDI-në në opozitë nëse bashkohen të tre partitë janë të mëdha, por fatkeqësisht edhe gjasat për t’u bashkuar këta tre parti janë të vogla. Mosmarrëveshjet midis Lëvizjes Besa dhe Alternativës duken të pariparueshme dhe inatet nga përçarja e mëparshme e tyre nuk mund të rezultojnë me bashkëpunim.

BDI do të fitonte 11-12 deputetë nëse opozita mbetet e përçarë

Është fakt se nëse partitë opozitare shqiptare nuk arrijnë të bashkohen atëherë BDI-së do t’ia lejojnë sërish luksin që të udhëheqë në skenën politike shqiptare. Parashikimet janë se ata mund të fitojnë 11-12 deputetë, që do të thotë një rritje prej një ose dy deputetësh.

Megjithatë, nëse bashkohen vetëm Alternativa dhe ASH-ja, ka gjasa që në listat zgjedhore BDI-ja të përfshijë edhe Vesel Memedin ose edhe të bëjë një bashkëpunim me BESË-n.

Por, nëse çdo parti shqiptare në opozitë shkon e vetme në zgjedhje, atëherë BDI do të lejojë që votat e tyre të përçahen dhe kjo me lehtësi të fitojë një ose dy deputetë më shumë.

Koalicioni mes ASH dhe Alternativës, përfitim vetëm i ASH-së

I ndodhur në situatë që mos të mund të bashkojë Lëvizjen Besa dhe Alternativën, duket se Zijadin Sela do të duhet të zgjedhë midis bashkëpunimit me njërën prej këtyre dy partive. Më afër në këto kalkulime, Sela duket se do të bashkëpunojë me  Alternativën, por që në këtë rast, ai duket se do të ketë më shumë përfitim. Sela ka nevojë për mjete financiare për ta financuar fushatën zgjedhore dhe ruajtje të votave në Shkup e Kumanovë.

Deklaratat e ditëve më parë se nga Aletrantiva mund t’ia mbulojnë shpenzimet ASH-së për fushatën zgjedhore e ka bërë Selën që të ndalet e të mendojë këtë ofertë.  Dihet se mjetet financiare janë shumë të rëndësishme për fushatën zgjedhore, gjë që Sela nuk është në situatë të lavdërohet.

Gjithashtu, problem kryesor i Selës është që të mbulojë gjithë pjesën e votuesve shqiptarë, e në këtë drejtim çalon në Shkup e Kumanovë, ku nuk ka organizim të mirëfilltë. Prandaj, një bashkëpunim me Alternativën do të nënkuptonte më shumë përfitime në këto dy qytete dhe grumbullim më i madhi votave. Nga dy opsionet e mundshme, duket se Sela do të dalë më shumë përfitues.

BESA fiton 2-3 deputetë!

Lëvizja Besa me apo pa koalicion ka gjasa të fitoj 2 deri 3 deputet. Kalkulimet për këto vota kanë të bëjnë me faktin se lideri i kësaj partie vjen nga Zona zgjedhore nr. 6, që ka më së shumti vota të shqiptarëve. Nëse merren si bazë votat e grumbulluara në zgjedhjet e fundit lokale, del që Besa mund të përfitojë minimum dy deputetë, por me një organizim më të mirë mund të arrijë edhe deputetin e tretë. Më e fortë duket të jetë në Komunë e Zhelinës, nga e cila komunë vjen edhe kryetari i tyre, por edhe në qytetin e Tetovës mund të marrin vota për deputetin e dytë. Në Zonën 1 dhe 2, por edhe në zonat tjera, është e vështirë që kjo parti të grumbullojë vota të mjaftueshme për deputetë.

Alternativa më e fortë në Zonën 1 dhe 2

Shumica e kryesisë së Lëvizjes Besa ishin nga Shkupi e Kumanova dhe pas përçarjes së kësaj partie, nën amblemën e Alternativës, ata mbetën sërish më të organizuar në këto dy komuna. Nëse analizohen zgjedhjet e fundit lokale, del që kjo parti ka shans të vetëm të fitojë 2-3 deputetë në këto zona ku bën pjesë Shkupi dhe Kumanova. Gjithçka do varet nëse kjo parti do të dal e vetme në zgjedhje ose do të koalicionojë me Selën, pasi vetëm në këtë formë do të arrini që në këto dy zona të fitonin minimum 4-5 deputetë. Alternativa mësohet se ka një shumë të konsiderueshme të votuesve në Gostivar, por nëse shkojnë të vetëm në zgjedhje rrezikojnë që në të gjithë njësinë zgjedhore nr. 6 të nxjerrin vetëm një deputet. Nëse bashkohen me ASH-në, atëherë votat e Alternativës do të ishin që mbështetje e fuqishme për kryesuesin e listës, Arben Taravari.

Fati i Menduh Thaçit do varret nga BDI-ja!

PDSH-ja e Menduh Thaçit, duket se e ka humbur rrugën në oborr. Kjo u vërejt edhe nga intervista e tij e fundit kur me gjithçka që kishte sulmonte të gjithë partitë kundërshtare shqiptare. Ai i vetëm mund të fitojë një deputet në Tetovë dhe një në njësinë zgjedhore nr 1., pasi Studeniçani është tabor i fortë i Thaçit. Por, kjo do të varet nëse BDI do të lejojë që Thaçi të dështojë ose të mbetet sërish në skenën politike. Ahmeti duket se nuk e donë Thaçin jashtë skemës politike, sepse edhe përkundër pakënaqësive dhe mosmarrëveshjeve të vazhdueshme, ai ka mundur të merret vesh me të për çështje kruciale. Partitë e reja opozitare nuk kanë aspak konsideratë dhe nuk shohin mundësi bashkëpunimi me Ahmetin. Veprimi i Ahmetit me Thaçin do të sqarohet pasi të dihet nëse opozita do të bashkohet ose jo.

Edhe koalicioni RDK-BDI, shpëtim për Vesel Memedin!

RDK-ja deri më tani edhe pse kishte vetëm një deputet ishte pjesë e qeverisë, për shkak të numrave që nevojiteshin për formimin e saj. Shtrohet dilema se çfarë e pret RDK-në në të ardhmen?

RDK nëse del e vetme në zgjedhje, rrezikohet të mos fitojë asnjë deputet, edhe pse gjasa më të mëdha ka që Vesel Memedi të grumbullojë më shumë vota në Gostivar, ndërsa më pak në njësit tjera zgjedhore.

Është vështirë që Memedi të bëhet pjesë e opozitës, pasi ai konsiderohej si një nga arsyet që ata nuk u bashkuan në zgjedhjen e fundit parlamentare. Megjithatë, Memedin mund ta shpëtojë vetëm BDI-ja e cila mund ta rendisë atë në listën zgjedhore nr. 6.  Edhe pse Memedi kur u largua nga qeveria, u ndie i tradhtuar nga Ahmeti, sërish ai në fjalimin në qeveri nuk foli fjalë të rënda për Ahmetin, duke e lënë derën hapur për bashkëpunim. BDI-së nuk i intereson që ta largojë nga skena politike Memedin, pasi i nevojiten votat e tij në komunën e Gostivarit, Vrapçishtit dhe Sarajit.

Sidoqoftë, këto zgjedhje parlamentare do të qartësojnë shumë dilema, pasi pritet që disa parti të shkojnë në histori. Më i miri prej tyre do të jetë ai që shtrin dorën e pajtimit dhe nuk bën vetëvrasje politike.


Loading...
loading...