Kush do ta zëvendësojë Katica Janevën?

Prokuroria Speciale Publike do të vazhdojë të përfaqësojë çështjet në sallën e gjyqit, pavarësisht faktit se shefja e tyre Katica Janeva u arrestua pardje për rastin “Zhvatja”. Ende mbetet e hapur çështja se kush do ta pasojë Janevën në funksionin shef i PSP-së, informon Koha.mk

Megjithatë, për zyrtarët qeveritarë, çështja “Zhvatja” tregon se askush nuk është i paprekshëm dhe se lufta jo selektive kundër korrupsionit është kusht pa të cilin nuk ka përparim drejt anëtarësimit në BE.

Prokurorja e PSP-së, Fatime Fetai dje deklaroi se PSP-ja vazhdon me përfaqësimin e lëndëve në gjykatë pa dallim që shefes së tyre Katica Janeva i është caktuar masë paraburgimi për rastin “Zhvatja”.

“Ajo çka ndodh mund të jetë vetëm një tregues i mirë se secili që ka gabuar para ligjit, patjetër të përgjigjet, se punët përfundimisht lëvizin në drejtim pozitiv dhe se askush nuk është i paprekshëm”, tha ajo.

Sipas saj, përgjegjësia individuale penale e një prokurori në PSP nuk duhet të jetë justifikim ose arsyetim të harrohet i gjithë kriminaliteti që është bërë në shtet në periudhën e fundit dhe ne ta ndërpresim luftën tonë. Ekipi i PSP-së në tërësi është i përkushtuar në luftën për drejtësi dhe ne vazhdojmë me atë që është punë e jonë- përfaqësimin e lëndëve në gjykatë.

Pas arrestimit të Janevës, PSP-ja është pa drejtues, fati i saj është i pazgjidhur, për shkak të ngërçit në negociatat midis pozitës dhe opozitës për ligjin e Prokurorisë Publike. Mbetet e hapur pyetja se kush do të marrë postin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale Publike.

Sipas prokurorit publik Lubomir Joveski, i cili i referohet Ligjit për Prokurorinë Publike, në këtë rast Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të veprojë dhe të emërojë një ushtrues detyre. Kjo do të thoshte se zëvendësimi i Janevës do të bëhej nga dikush prej kolegëve të saj.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit të prokurorëve publik, Kole Shterjov konsideron se nuk mund të emërohet u.d prokuror special pa i skaduar mandati Janevës.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin sot pritet që me shkrim ta informojë Këshillin e Prokurorëve Publik për të gjitha aktivitetet e ndërmarra deri tani në procedurën parahetimore dhe hetimore në rastin “Zhvatja” mes tyre edhe arrestimi i djeshëm dhe paraburgimi i prokurores speciale Katica Janeva.

Pas arrestimit të Janevës PSP ka mbetur pa udhëheqës, fati i saj i pazgjidhur, për shkak ngecjes së negociatave mes pushtetit dhe opozitës për ligjin për Prokurori Publike, ku zgjidhet statusi i saj.

“Duke pasur parasysh se në procedurë parahetimore dhe hetimore nga ana e PTHPNKO janë ndërmarrë një sërë veprimesh, prokuroria kontrollin do t’i dorëzojë Këshillit gjatë ditës së sotme apo nesër në mëngjes”, shtojnë prej atje.

Kryetari i Këshillit Kole Shterjev pasi ta marr njoftimin duhet të caktojë seancë, në të cilën do të fillojë procedurë për shkarkimin e Janevës si njeri i parë i PSP-së.

Ligji për PSP-në në nenin 18 thotë se prokurori publik mund të shkarkohet nga funksioni para skadimit të mandatit për shkak të kryerjes joligjore apo joprofesionale të funksionit. Nëse Këshilli i prokurorëve publik fillon procedurën e shkarkimit të prokurorit publik në afat të arsyeshëm duhet të dorëzojë deri në Kuvend raport për situatën faktike dhe bazat e shkarkimit. Raporti do të ishte i qasshëm për publikun përmes komisioneve në Kuvend, vetëm nëse ndonjë prej komisioneve nuk e anulon ose e pengon publikimin e një pjese të raportit, nëse e gjen të nevojshme të mbrohen të drejtat e çdo personi në raport ose të pengohet ndikimi i palejuar në çfarëdo ndjekje penale.

Në bazë të raportit të dorëzuar, ndërsa me propozim të Komisionit parlamentar për çështje dhe emërime dhe pas ujdisë paraprake të katër partive politike me më shumë deputetë, Këshilli me propozim të Kuvendit e shkarkon prokurorin publik. Kuvendi e vërteton propozimin për shkarkim të prokurorit publik deri te Këshilli i prokurorëve publik me dy të tretat e shumicës, përfshirë edhe shumicë të votave të deputetëve që i përkasin bashkësive që nuk janë shumicë.

Konform nenit 19 të këtij ligji, prokurori i shkarkuar publik i cili udhëheq me Prokurorinë publike mund të dorëzojë ankesë deri te Gjykata themelore Shkupi 2- Shkup për shqyrtimin e vendimit për shkarkim. Me vendim të gjyqit, prokurori publik mund të kthehet në punë ose të merr lloj tjetër të kompensimit.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski thotë se Këshilli i Prokurorëve Publikë në procedurën e zgjedhjes dhe emërimit në PSP mund të veprojë vetëm me një propozim nga Kuvendi, të miratuar më parë nga Komisioni i Zgjedhjeve dhe Emërimeve, me një shumicë prej dy të tretave dhe shumicë të Badinterit.

Zyrtarë të lartë të qeverisë besojnë se çështja “Zhvatja” tregon se askush nuk është i paprekshëm dhe se sundimi i ligjit dhe lufta pa dallim kundër korrupsionit është një kusht pa të cilin nuk ka progres në rrugën evropiane.

In : Aktuale

Loading...
loading...