Kush do të merret me arat dhe pyjet!

 

Paradoksi i mosinteresimit të studentëve në këto drejtim bëhet edhe më i madh në kohën kur pikërisht në fushat e agronomisë dhe pylltarisë ndjehet më së shumti nevoja e përfshirjes së kuadrove profesionistë që do t’i avanconin këto fusha në nivele të rentabilitetit ekonomik, por edhe një burim i shumëkërkuar punësimi për shumë të rinj

Nga Emin AZEMIStrugaLajm

Inercia për të braktisur vendin është më e madhe se strategjia shtetërore për të parandaluar këtë braktisje. Të rinjtë tashmë i kanë formuluar përgjigjet e tyre në kokë, sa herë që dikush i pyet se pse po ikin. Ata zakonisht përmendin paperspektivën, punësimin mbi baza partiake dhe mungesën e një klime të përgjithshme sociale e ekonomike që do t’iu mundësonte mirëqenie solide.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës kohët e fundit po promovon programe për arsim dual që do të mundësonte lidhjen e edukimit me tregun, mirëpo herët është të flasim për efektet e këtyre programeve. Nevojitet një sensibilizim i përgjithshëm që të ndodhë kjo, parasëgjithash nevojitet një aksion kombëtar që do të animonte të gjitha masat dhe veprimet që do ta nxisnin këtë skemë arsimore te ne.StrugaLajm

Janë disa drejtime në universitete, të cilat kanë lidhshmëri me tregun e punës, mirëpo përvoja po tregon se interesimi për të studiuar në fusha të biznesit, agroindustrisë, teknologjisë… po bie. Shteti është zënë i papërgatitur me këtë situatë, sepse të gjithë, sidomos klasa politike është përqendruar në tema që nuk prodhojnë ndonjë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social. Politikanët, shumica prej të cilëve vinë nga fushat sociale e pedagogjike dhe jo pak edhe me shkolla të mesme, nuk kanë edhe përgatitjen e nevojshme për t’u përballur me këto sfida që kërkon e ardhmja. Në rrethana të tilla, shanset për të ikur jashtë vendit janë më të mëdha se tentativat sporadike të institucioneve për të nxitur një punësim më substancial të të rinjve.

Pasqyra e sivjetme e regjistrimit të studentëve në disa fakultete, sidomos në drejtime ekonomike e agrare, tregon më së miri se në çfarë gjendje ndodhemi, kur janë në pyetje perspektivat zhvillimore dhe shanset për punësim.
Në Fakultetin e Shkencave Pyjore (FSHP) në Shkup, bie fjala, këtë vit janë regjistruar vetëm 18 studentë në tre drejtime, kurse numri që mund të pranoheshin ishte gjithsej 120. Ndërkaq në Universitetin e Tetovës vitin e kaluar ishin regjistruar vetëm 20 studentët në Bujqësi, ndërsa këtë vit edhe më pak – 15 veta.

Paradoksi i mosinteresimit të studentëve në këto drejtime bëhet edhe më i madh në kohën kur pikërisht në fushat e agronomisë dhe pylltarisë ndjehet më së shumti nevoja e përfshirjes së kuadrove profesionistë që do t’i avanconin këto fusha në nivele të rentabilitetit ekonomik, por edhe një burim i shumëkërkuar punësimi për shumë të rinj. Por, edhe për faktin se 40 për qind e sipërfaqes së Maqedonisë është me pyje dhe kjo vetvetiu imponon nevojën e nxitjes së një sërë degësh prodhuese e përpunuese që lidhen me drurin si lëndë të parë. Në një vend ku pyjet prehen pa kriter dhe ato përfundojnë në furra drush, aty është vështirë të pritet ndonjë perspektivë zhvillimore.

Arsyeja se pse të rinjtë nuk janë të interesuar të studiojnë këto drejtime, lidhet me faktin se nxënësit nga shkolla fillore dhe e mesme nuk kanë njohuri të mjaftueshme për pylltarinë dhe bujqësinë, si fusha ku do të mund ta gjenin vetveten si kuadro në të ardhmen.

Por, edhe një faktor tjetër destimulues është edhe punësimi i kuadrove partiake nëpër institucione ku bujqësia dhe pylltaria është e paraparë për profesionistë. Prandaj jo rrallë ka ndodhur që ndonjë agronom të ngelë në shtëpi, pa punë, dhe në vend të tij të punojë ndonjë dibidus me lidhje partiake(!). Ata që presin rendimente të larta në bujqësi e blegtori, duhet të mbajnë ndonjë konsilium partiak, ku do të qortoheshin aktivistët të cilët rrogat i marrin papengueshëm edhe pse ata nuk e dinë çfarë uji t’i japin gomarit. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...