Kush po luan “déjà vu”?!-Festim Pollozhani

Nga Festim POLLOZHANI

Situata politike në Maqedoni është komplekse, në fakt Maqedonia si mozaik është kompleks. Një mozaik kompleks, i vogël në një gjendje jo të mirë. Një përshkrim – krahasim adekuat për këtë gjendje do të bënte kënga e Celentanos “La situazione non e buona”, që përkthehet se situata politike nuk është e mirë, situata ekonomike nuk është e mirë dhe kështu me radhë gjë që të kujton ngjashmërinë me situatën në Maqedoni.
U krijua përshtypja se në Maqedoni nevojitej ndërrimi i pushtetit, pra zëvendësimi i partive politike në pushtet (me theks nga blloku maqedonas) me qëllim që të ketë progres politik dhe jo vetëm. Shoqata të ndryshme, aktivistë, opinion bërës, intelektualë me vokacion i lidhën flamujt e dy etnive më të mëdha duke promovuar një bashkjetesë dhe jetë për të gjithë. U promovua njëfarë vëllazërim-bashkimi si të thuash dhe këto promotorë shërbyen si amortizues të ndërrimit të pushtetit (gjegjësisht bllokut politik maqedonas i piketuar si fajtor për stagnimin politik) thuajse pa kushtëzime. Në fakt çdoherë ka pasur një dozë skepticizmi në këtë aspekt. Guxim intelektual është të thuash se pozitën e shqiptarëve në Maqedoni e përmirëson vetëm konsolidimi i partive politike shqiptare, bashkëveprimi mes tyre dhe pastaj pak rëndësi ka se cila parti udhëheq në bllokun politik maqedonas.
Ndërrimi i pushtetit nuk mund të ketë efekte të menjëhershme, por diçka pozitive duhet të reflektojë. Po flas për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni. Meqenëse shoqëria në Maqedoni është multietnike dhe multifetare – e vetmja formulë duhet të jetë ajo e bashkëpunimit politik, e ndarjes së pushtetit në mënyrë funksionale, shtrirjes së kompetencave në mënyrë racionale duke mos bërë hapa prapa sa i takon decentralizimit të pushtetit. Është shumë e lehtë të luhet me kartën e përçarjes ndëretnike dhe ndërfetare ose më tej përçarjes politike në këtë mozaik, por a është kjo formula e duhur?! Në aparencë, a është duke luajtur dikush sipas parimit “Divide et impera” (përça dhe sundo) ?! Ky parim në thelb është strategji luftarake, por përdoret edhe si parim politik.
Konotacion politik i ka dhënë T. Boccalini në veprën “Bilanci politik”, ku më së miri e përshkruan këtë parim që ka për qëllim fuqizimin e pushtet mbajtësit për të kontrolluar subjektet, grupimet e organizuara politike ose fraksionet e interesave të ndryshme, të cilët kolektivisht mund të jenë në gjendje të kundërshtojnë sundimin e tij. Është i qartë si parim, shembulli është thjeshtë ilustrues.
Historia njeh shumë shembuj ku ky parim ka funksionuar që nga lashtësia kur Gabiniusi e ndau popullin hebre në pesë konventa, siç përshkruan Flavius Josehus në librin për Luftën e Hebrejve dhe dihet se populli hebre edhe sot e kësaj dite ballafaqohet me probleme të kësaj natyre. Ky shembull është shumë i gjerë për ta krahasuar me situatën politike në Maqedoni, të shqiptarëve në veçanti por metoda e deduksionit do të shërbente në këtë rast.
Duke qenë se askush nuk mund ta suspendojë demokracinë dhe kufizimin e numrit të partive politike, atëherë askush nuk ka të drejtë të fusë përçarje me qëllim të mos bashkëveprimit mes tyre, teoritikisht mendoj.
Më konkretisht, nëse garnitura e re politike qeverisëse e bllokut maqedonas vërtet ka për qëllim progresin politik dhe së këndejmi integrimin në UE dhe anëtarësim në NATO, duhet ta lejojë konsolidimin dhe bashkëveprimin e partive politike shqiptare, sidomos në bllokun opozitar sepse një opozitë e dobët reflekton një përfaqësim të dobët të pozitës, gjë që nuk është e natyrshme për demokracinë në vend. Ndarja e opozitës politike shqiptare në fraksione të vogla dhe ftesat e kohëpaskohshme për kyçje në qeveri për ta mbajtur pezull opozitën shqiptare me qëllim që të mos jetë në gjendje të reagojë për problemet eventuale, nuk është shenjë e seriozitetit politik.
Prolongimi i zyrtarizimit të Ligjit për gjuhët dhe zgjidhjes së çështjeve me rëndësi që i tangojnë shqiptarët si etni shtetformuese, duke u fshehur nën maskën e angazhimit të bisedimeve me shtetet fqinje për zgjidhjen e kontesteve , me qëllim hapjen e rrugës në strukturat euroatlantike gjithashtu është formulë e gabuar. Serioziteti ose mos serioziteti në reformimin e sistemit gjyqësor, gjegjësisht paanshmëria bazuar në ngjyra etnike, është një element që do të reflektojë në besueshmërinë ose mos besueshmërinë ndaj sistemit gjyqësor në Maqedoni. Marrja e pushtetit, gjegjësisht të ministrive përkatëse që u takonin partive politike shqiptare (Ministria e Shëndetësisë dhe tendencat për ministritë tjera), ndarja e buxhetit në mënyrë joadekuate, heqja e kompetencave nga sfera e arsimit komunave me shumicë shqiptare nuk besoj se janë hapa drejtë përmbushjes së premtimeve për të krijuar një situate reale në të cilën do të ketë “jetë për të gjithë”. Bile këta raste krijojnë precedente që me siguri nuk do të reflektojnë pozitivisht në të ardhmen.
Në fund, shqiptarët vazhdojnë të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë, të ballafaqohen me probleme të cilat ua krijon pikërisht ai status. Duhet reflektuar pak dhe të mos luhet me një lojë që e kemi pare më herët, të mos abuzohet me besimin që ndërkombëtarët ia kanë dhënë garniturës së re qeverisëse, sepse ata dinë të thonë edhe “Game over”. Atëherë faji do të mbesë mbi ata që e luajtën lojën me gabime.


Loading...
loading...