Lajm i mirë për qytetarët: Do të shlyhen të gjitha kamatat e borxheve të qytetarëve në Maqedoni

Pozita dhe opozita në Kuvendin e Maqedonisë janë dakorduar për të miratuar bashkërisht propozim – ligjin për shlyerjen e të gjitha kamatave të borxheve të qytetarëve për energjinë elektrike, operatorët celularë dhe kabllor, shërbimet komunale siç janë uji, mbeturinat dhe të tjera, por edhe për harxhimet për mirëmbajtjen e banesave si dhe për tokën bujqësore.

Ligji është bërë me nismën e opozitës, dhe është përkrahur edhe nga maxhoranca. Qëllimi siç thuhet është që të zgjidhen problemet e mijëra qytetarëve që përballen me lloje të tilla të borxheve dhe pagesën e shumave dhjetëra herë më të larta nga ana e përmbaruesve. Pritet që ky ligj të miratohet brenda këtij muaji, ose më së voni deri në fillim të korrikut të këtij viti.

Nëse votohet, do përfitojnë rreth 200 mijë qytetarë. Fshirja e kamatave dhe borxheve për përmbarim është për borxhet e vjetra deri në vitin 2011. Kushti për t’u fshirë borxhi është pagesa e borxhit themelor, pa kamatat dhe harxhimet e përmbarimit, që shpesh herë tejkalojnë shifrat e harxhimeve themelore.

“Bëhet fjalë për periudhë nga dorëzimi i fletëpagesës, shlyerja të vlejë deri në ditën e pagesës, që do të thotë lirim i tërësishëm nga pagesa e normës së interesit. Lidhur me shpenzimet e përmbarimit propozohet zvogëlim prej 50%, që gjithashtu është shumë e konsiderueshme dhe këto dy faktorë deri më tani ishin arsyeja për mijëra qytetarë me borxhe pa fajin e tyre t’u nënshtrohen shpenzimeve të larta në bazë të normës së interesit”,- tha Panço Minov nga VMRO-DPMNE.

“Për të gjitha institucionet kreditore të cilat janë të themeluara nga Qyteti i Shkupit, nga komunat, për to në ligj qartë qëndron se do të shlyhet norma e interesit dhe norma e interesit me ndëshkim. Do të thotë se kemi dy lloj borxhlinj. Disa që atë do ta bëjnë në bazë vullnetare, ndërsa ato janë kreditorët privatë, siç është EVN dhe kreditorë para së gjithash për shërbime komunale”,- u tha nga LSDM.

Qeveria e kaluar në gusht të 2014 kishte miratuar një masë të tillë për shlyerjen e borxheve, por mijëra kërkesa të qytetarëve mbetën pa zgjidhje. Ishin ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonsë të shlyejnë borxhet për kartelat kreditore, tejkalimin e llogarive të transakcionit ndaj bankave afariste dhe kursimoreve, si dhe borxhet të energjisë elektrike ndaj EVN-së, energjisë së ngrohjes ndaj “Ngrohtores” dhe për taksën radiodifuzive ndaj MRTV-së, nëse i plotësojnë kushtet sipas shpalljes. Por nga ana tjetër, shumica e qytetarëve thanë se ishin përjashtuar dhe se ishin zgjidhur kërkesat e disa aktivistëve dhe anëtarëve të partisë VMRO-DPMNE.

In : Aktuale

Loading...
loading...