Ligji s’jep efekt,shtohen duhanpirësit

Gati gjysma, gjegjësisht 45 deri 50 për qind e popullatës në Maqedoni janë duhanpirës. Sipas analizave të Institutit për sëmundje të mushkërive, në vend janë regjistruar 700 mijë duhanpirës, që në vit harxhojnë 11 tonë cigare, apo në mesatare 5.5 kilogram duhan për kokë banori, shkruan gazeta KOHA. Analiza të tjera tregojnë se qytetarët e Maqedonisë harxhojnë çdo ditë nga 240 mijë euro për cigare, apo 80 milionë euro në vit. Analiza e Institutit për shëndet publik vërteton se viteve të fundit është rritur numri i duhanpirësve. Nëse në vitin 2002 42 për qind e popullatës ishte duhanpirëse, tani kemi një rritje në 46 për qind. Pra, të dhënat tregojnë se përkundër masave rigoroze të Ligjit anti-duhan, që e ndalon tërësisht pirjen e duhanit në objektet e mbyllura hotelerike, megjithatë në rritje është numri i duhanpirësve.

Nga ana tjetër, që prej vendosjes së rregullave të rrepta të Ligjit anti-duhan, nuk ka të dhëna relevante për uljen e sëmundjeve të shkaktuara nga duhani, apo edhe uljen e numrit të duhanpirësve, andaj edhe vite me radhë edhe kërkohet liberalizimi i pirjes së duhanit, së paku në hapësirat e objekteve hotelerike. Udhëheqësja e sektorit për promovim, analizë dhe ndjekje të sëmundjeve ngjitëse në Institutin e shëndetit publik, Elena Qosevska, thotë se në Maqedoni për çdo vit nga sëmundjet kardiovaskulare e pësojnë fatalisht rreth 20 mijë persona, duke shtuar se pikërisht duhanpirja e rrit rrezikun nga sëmundjet e tilla.

“Këto raste janë pasojë e duhanpirjes, por megjithatë duhet shtuar se ekziston edhe i ashtuquajturi efekt kumulativ. Kjo nënkupton se nëse një person është vetëm duhanpirës, ka rrezik shumë më të vogël që të sëmuret ose të vdesë si rezultat i përdorimit të duhanit nga ai person që i ka pesë rrezik faktorët, siç janë: alkooli, stresi, tensioni i lartë, lipidet apo yndyrat e larta dhe diabetin. Me fjalë të tjera, sa më shumë akumulohen rrezik faktorët, aq më të mëdha janë gjasat që më herët dikush të sëmuret”, thekson Qosevska.

Gjithashtu hulumtimet tregojnë se 80 për qind e rasteve të hershme të vdekjes ndodhin në shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, siç është rasti edhe me Maqedoninë. Por, ndërkohë një grup deputetësh nga mazhoranca propozoi ndryshime në ligjin anti-duhan. Propozimi, sipas tyre, bëhet për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike në shtet si dhe uljes drastike të punës së objekteve të ndryshme hotelerike. Sipas deputetëve, një pjesë e kafiterive dhe diskotekave kanë lëshuar nga puna një pjesë të personelit, ndërsa sektori i hotelerisë shënon ulje të punës prej madje 75 për qind, sidomos gjatë periudhës së dimrit apo edhe vjeshtës kur kushtet atmosferike nuk janë të përshtatshme për punë. Një nga ndryshimet kyçe që parashikohen me ndryshimet ligjore është t’u jepet mundësi hotelierëve që të përcaktojnë hapësirë të veçantë për duhanpirësit, ndërsa në të gjithë pjesët e tjera të përcaktohen si të ndaluara për konsumin e cigareve. Ndryshimet në ligjin aktual u japin mundësinë pronarëve për të caktuar një dhomë të veçantë për duhanpirësit dhe të gjitha pjesët e tjera të lokalit të vendosin etiketa që tregojnë në mënyrë të qartë ndalimin e pirjes së duhanit. “Në ndërtesat ku mysafirët janë të vendosur mund të përcaktohen dhoma për duhanpirësit, por më së shumti deri në 30 për qind të kapacitetit total të objektit”, thuhet në propozimin për ndryshimin e nenit 3. Parashikohet edhe ndalimi i pirjes së duhanit në ambientet publike, në bazë të nenit 2 të këtij ligji. Pirja e duhanit është e lejuar vetëm jashtë objektit të biznesit (tarracë, kopsht, etj), vetëm në qoftë se hapësira është e mbuluar dhe e hapur së paku në tri anët e së cilës nuk ka pengesa (xhami, fletë metalike, plastike, etj) ose në hapësira të hapura që nuk janë të mbuluara.

Hotelierët vite me radhë ankoheshin se për shkak të ndalesës së tërësishme të pirjes së duhanit kanë ulje të qarkullimit, që sidomos vlen për muajt më të ftohtë kur nuk mund të shfrytëzojnë tercat verore. Nga Oda ekonomike e Maqedonisë thonë se në vazhdimësi kanë kërkuar liberalizimin e ligjit anti-duhan, që njëherazi duhet të vlejë për të gjithë njësoj. “Disa herë janë dhënë propozime për vendosjen e lehtësimeve të caktuara, gjegjësisht që të lejohet konsumi i cigareve në restorante dhe objekte hotelerike në hapësira të caktuara për duhanpirësit, duke respektuar njëherazi ligje dhe standarde të caktuara ngjashëm me më shumë shtete në rajon dhe më gjerë”, thonë nga Shoqata e hotelerisë dhe turizmit të Odës ekonomike të Maqedonisë.

Ndryshe, sipas Ligjit që ndalon konsumimin e duhanit nëpër ambientet e mbyllura hotelerike, duhanpirësit për mosrespektim të Ligjit duhet të paguajnë 100 euro gjobë në vetë vendin e ngjarjes, ndërsa dënimet për mosrespektim nga hotelierët dhe bizneset janë prej 2.500 deri 4.500 euro, ndërsa për personat përgjegjës është prej 100 deri 300 euro. Sipas Ligjit për veprimtarinë hotelierike është parashikuar edhe mbyllja e objektit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

In : Aktuale

Loading...
loading...