“Liqenet Shqiptare” dhe jo “Liqeni i Ohrit” e as “Liqeni i Prespës”

Nga Armand PLAKA/

Një skicë me ngjyra nga viti 1864, na sjell të gjallë atmosferën e atyre kohëve. Shtëpia e Mudirit, guvernatorit ( Pashait) të Ohrit. Një moment kur udhëtarja angleze, Adelaide Mary Walker ishte dhe vetë prezente. Një zonjë nga dyert fisnike shqiptare i bën një vizitë bashkëshortes së komandantit ( guvernatorit) osman, shoqëruar nga vajza e saj e vogël. Një shërbëtore ofron lule të freskëta nga kopshti i sarajeve të guvernatorit për vizitorët.

Por deri këtu nuk ka asgjë për të shënuar realisht, përveç ngjyrave të gjalla dhe një mjedisi interesant që na zhvendos në kohë të shkuara. Ajo që më duket edhe më interesante e më ka ngacmuar, është emri që ka zgjedhur qysh në titull, udhëtarja angleze Mary Adelaide WALKER, ndërsa ka botuar përmbledhjen e saj në vitin 1864, ku gjendet pra edhe kjo skicë. Në original ajo mban emrin “Through Macedonia to the Albanian Lakes”, thënë në shqip: “Nëpër Maqedoni tek liqenet shqiptare”, botuar në Londër, nga Shtëpia Botuese “Chapman and Hall”.

Kanali i Korfuzit për europianët e djeshëm, thirrej “Kanali shqiptar”

Pra, thënë më shkoqur, ajo zonë që mbart tre liqene e që sot njihen si Liqeni i Ohrit dhe “të Prespës”, e kur në asnjë rast, as nga shqiptarët nuk lakohen e nuk përmënden si “liqenet shqiptare”, jo shumë larg në kohë për të huajt njiheshin si “ liqenet shqiptare”.

E njejta gjë më ka ndodhur vite më parë, kur fare rastësisht zbulova në një revistë finlandeze, thuajse së njejtës kohë ( më konkretisht botuar në vitin 1879), se diçitura e një skice shoqëruese për Kanalin e Korfuzit, ishte: “Kanali Shqiptar”, çka më habiti jo pak, pasi konstatova se me shumë gjasa isha i pari që po e sillja në vëmendje si fakt.

Sigurisht se kjo do ketë qenë një referencë praktike, duke u nisur nga fakti se në atë kohë ajo zonë nuk ishte as e Jugosllavisë e as e Shqipërisë, sepse ato nuk ekzistonin, por si referenca gjeografike, ekzistonte Maqedonia, por ekzistonte edhe Shqipëria. E nga kjo pikëpamje, në mënyrë fare neutrale, nga të huajt ato liqene njiheshin gjerësisht si “liqenet shqiptare”, sikurse ato zona njiheshin si Maqedoni, edhe pse siç merret me mend, të banuara gjerësisht nga shqiptarët.

Kush ishte Mary Adelaide Walker?

Mary Adelaide Walker ishte një udhëtare britanike. I vëllai i saj ishte kapelan britanik që shërbente në Stamboll gjatë viteve 1850. Ajo mendohet të ketë mbërritur atje vetë pikërisht pas Luftës së Krimesë, rreth vitit 1856, duke zgjedhur të qëndronte në Lindje për rreth 40 vjet. Ndërsa jetonte në kryeqytetin osman, ajo u takua me Lady Hornby, e njohur për kronikat e saj të ilustruara me titull: “Kostandinopoja gjatë Luftësë së Krimesë”.

Në vitin 1860, Walker ndoqi të vëllanë drejt Selanikut, ndërsa ai mori një post si famullitar në atë qytet. Ajo si pasojë pati mundësi të bënte një tur të gjerë nëpër Greqinë Veriore. Nga Stambolli ajo udhëtoi drejt Kavallës dhe Philipoit nëpërmjet Dardaneleve. Më pas ajo udhëtoi rreth Malit Atos e gadishullit aty rrotull Selanikut duke vijuar nëpër Pela, Edessa, në Maqedoni, – Bitola (Manastir), Ohër, e pjesërisht në Shqipëri për të vijuar më tej me Kastorian dhe Follorinën.

Ajo shkroi një seri librash rreth udhëtimeve që kreu në atë që shihej si Turqia Europiane, duke u marrë posaçërisht edhe me doket, traditat e kostumet në ato zona të ish-Perandorisë Osmane. Gravurat, skicat dhe punimet litografike në librin me titull “Nëpër Maqedoni tek liqenet shqiptare” janë tërësisht punime origjinale të vetë zonjës Walker.


Loading...
loading...