Lufta për pushtet (lokal) mund të fillojë

 Xheladin MURATI

 

Zgjedhjet parlamentare ose lokale, në fakt janë garë sepse paraqesin konkurrencën e partive dhe kandidatëve me oferta dhe premtime për të mirën e qytetarëve. Megjithatë, titulli i esesë mu duk më i kapshëm, mbase për ne ato paraqesin një luftë të mirëfilltë me gënjeshtra, premtime, dhunë, fyerje, sharje e të ngjashme. Meqë këtu mungojnë vlerat, dijet, kompetencat, atëherë lufta është titulli më i qëlluar. Kjo edhe për faktin se zgjedhjet, siç jemi mësuar t’i shohim mbahen nën depresion dhe presion politik, aty reflektohet politika mes dëshirës, fushatës dhe marrëveshjeve, fillimisht brenda një partie e më pas midis partive. Puna e komunave dhe shërbimet komunale janë me rëndësi për qytetarët dhe mikropolitikën. Edhe aty ka kërkesa për makropolitikë. Prandaj, në zgjedhjet lokale popullata do të përballet me probleme surprizë dhe plotësisht të papritura. Gjithmonë ka pasur diçka magjike në zgjedhjet të cilat mbështeten në besim që fitorja do të zgjidhë, në një farë mënyre të gjitha problemet. Por, praktika tregoj se shkatërrimi i një imazhi i shton problemet. Ai nuk e bën rikonceptimin e politikës dhe veprimit politikë për të mirën e përgjithshme. Mund të thuhet se fitoret që lartësojnë të këqijat e tjetrit të cilat qëndrojnë në kujtesën e gjallë të qytetarit, vazhdojnë të shkaktojnë dhimbje të mëtejme. Problemi është se historia nuk është gjithmonë neutrale. Zgjedhjet i organizon pushteti me partitë politike, por qytetari është ai që voton. Qytetarët janë njerëz të cilët kudo janë dhe çfarëdo që të jenë duke bërë, fusin shpirtin në lojën e zgjedhjeve. Por politikanët më tej nuk kujdesen për te. Ato mbeten duke i pare duke marrë poza politikisht korrekte. Qytetari nuk rri rehat e nuk e bën qejfin e tij pa e prishur terezinë. Atij i intereson për çdo gjë dhe për të gjithë. Kjo është e keqja, sepse populli, qytetari është politizuar skajshmërisht. Prapëseprapë zgjedhjet nuk janë kaq të thjeshta sa rezultatet që dalin nga to. Kjo kërkon njëfarë konsensusi i cili shpesh nuk ekziston. Zgjedhjet kanë karakter politik, por nuk duhet të politizohen. Aty duhet të fiton ai që është më i mirë. Prandaj mendjen në kokë dhe lini anësh kontributet partiake. E kam parasysh faktin se për partitë shqiptare këto zgjedhje konsiderohen si identifikim i partive apo thjesht nga fitorja varet ardhmëria e partisë. Ai që fiton do ta bartë bajrakun. Këtu fillon lufta e pakompromist. Perceptimi i politikës jep imazhin se nuk jemi shoqëri normale, madje se i vardisemi pushtetit qendror e më pas nga ai ikim shkojmë në atë lokal, pse vallë? A nuk janë këto lojëra politike? Jo, mendoj se këtu del në shesh mungesa e resurseve njerëzore e profesionale, paraqitet besimi i tepruar vetëm te disa dhe mosbesim te të tjerët. Thjesht kam bindjen se partitë kanë krijuar rrethin e tyre të ngushtë të politikanëve dhe vetëm ato rrotullohen e transferohen. Nuk bën kështu. Partitë patën kohë të zgjedhin njerëz me kredibilitet, me autoritet, me dije dhe aftësi për të udhëhequr me zhvillimet politike dhe të garojnë në skenën politike lokale. U ndeshën me kalkulime zgjedhore dhe matematikë zgjedhore. Dija është pushtet dhe të jep pushtet, por në rastin e politikës tonë kjo nuk vlen sepse syri i pangopur i partisë dhe individit lufton për syrin e gjithëpushtetshëm. Dhe ngaqë nuk e pranojnë të vërtetën, humbasin vetveten. Prandaj nëse do të zgjidhnit luftën e gabuar, të paktën zgjidhni armët e duhura. Zgjedhjet duhet të zgjidhin krizën. Kriza nuk është vetëm midis partive, është një krizë e përgjithshme e ngulfatur edhe me elemente kombëtare që ka pasoja të caktuara për shqiptarët. Kjo mbase nuk respektohen rregullat themelore të luftës politike në ambientin tonë plural i stolisur me propaganda dhe manipulime për të ndërtuar alibi se votat u vodhën. Për të gjithë ato që këtë luftë e fitojnë dhe mbeten betejat të fitohen, kam këto rekomandime:

-Pas fitores filloni punën në realizimin e premtimeve të dhëna, por mos u hallakatni fortë. -Duhet të punoni pa orar e me agjendë konkrete.

-Duhet që t’i jepni kuptim fitores dhe punës.

-Bëni premtimet realitet që të jeni në qendër të vëmendjes dhe në fund do të keni sukses.

-Ndonjëherë nuk mund të jeni vetvetja, por mos u trishtoni.

-Duhet të bëheni pjesë e projekteve të mëdha që të jeni të suksesshëm në projekte të vogla. Zgjedhjet janë një luftë e pareshtur kundër tjetrit, papërshtatshmërisë dhe ndjesisë për problemet. Prandaj vija e fitores, tejet e mundimshme do të jetë sukses i shumëpritur dhe një ekzistencë më tej e kandidatit dhe partisë. Mendoj që me mbarimin e zgjedhjeve dhe selektimin e zgjidhjeve t’u lejohet protagonistëve të mbështesin këmbët në tokë dhe mos hedhin pareshtur shikimin nga qielli. (koha.mk)


Loading...
loading...