Maqedonia pa Gruevskin, por me gruevizëm dhe me Zaevin pa zevizëm

Zaevi për momentin nuk ofron as bukë as lojëra. Nëse nuk ka ide të re me të cilën do të identifikohet dhe mishërohet populli që do të lidhet me Zaevin, kam frikë se gruevizmi do të mbetet përgjithmonë. A do të ketë zaevizëm, nuk varet vetëm nga ajo sa do të rrënohet gruevizmi, por edhe sa do të ndërtohet zaevizmi. Për këtë detyrimisht duhet të kesh një ide autentike për një Maqedoni ndryshe nga ajo e deritanishmja, që do të depërtojë në vetëdijen e njerëzve, do të mishërohen me te, por edhe simbolizohet me diçka

Nga Rizvan SULEJMANI

Gruevski iku. Nuk iku, por e përzunë. Një dëshirë e madhe e shqiptarëve u plotësua. Bile edhe mund të lavdërohen se pa ndihmën e shqiptarëve, për LSDM-n edhe shumë gjatë do të sundonte. Kush çka fitoj ende nuk mund të përllogarisim por një gjë e dimë, hija e tij nuk na hiqet. Sa për të mos na marrë “malli” çdo ditë e shohim nëpër TV duke u endur lartë poshtë nëpër gjykata pa epilog. Ai shkoi por gruevizmi mbeti. E shohim në fasadat i institucioneve shtetërore dhe në qendër të qytetit. E shohim kur organizojmë evenimente në teatrin e tij të famshëm. E shohim kur shkojmë në gjykata e operë përreth Vardarit. Na përkujtohet kur shohim shumë kisha e kryqe nëpër qytet e më gjerë të ngritura në kohën e tij. Gruevizmi vazhdon të jetojë dhe bashkë me te edhe ne. Dua të përkujtoj se në kohën kur ishte ngritur i gjithë opinioni kundër tij dhe sundimit të tij unë kisha shtrua pyetjen retorike, çka me gruevizmin, që të përgjigjem, Gruevski do të shkoj por gruevizmi do të mbetet. Aso kohe këtë kush nuk e mendonte, përgjigja ishte e thjesht, “vetëm le të ike ky një herë”. Ai iku kurse sot e kësaj dite nuk e dimë se çka bëjmë me gruevizmin. Dëgjojmë kryetarin e një farë komisioni për zgjidhjen e këtij problemi, prof Gërçev, që bën listë përmendoresh e monumentesh që duhet rrënuar. Për çudi, në atë listë edhe monumenti i Nënë Terezës, por edhe i Hasan Prishtinës. Çka është e përbashkëta e gruevizmit me Nënën Terezëz e Hasan Prishtinës? Apo edhe Aleksandri e Filipi me Nënë Terezë. Të parët luftarak e perandorë, e dyta paqësorë, mirëbërëse dhe mbrojtëse e të pamundurve dhe hallexhinjve. Po, duket se kanë diçka të përbashkët, që të dy e kanë shpie namin e “Maqedonisë” deri në Indi. Sikur të kishin jetuar në të njëjtën kohë do të mund të thoshim se njeri ka vrarë, Aleksandri kurse tjetra, Gonxhe Bojaxhiu ka mjekuar të vrarit. Kjo është koha e Zaevit, kemi Zaevin e shumëpritur kryeministër por nuk kemi zaevizëm. E dimë/nuk e dimë, se çka duhet rrënuar por jo edhe çka duhet ndërtuar. Cilat kishin mund të jenë pikat referuese që do të mund ta shënojnë qeverisjen e tij të deritanishme? Një, formoj komision për mbrojtjen e bashkësisë së LGB-së dhe dy, lirimi i një numri të madh përsosurve sa të fajshëm e sa të pafajshëm. Kjo mund të përputhet me një nga sloganet parazgjedhore të tija, liri për të gjithë. Por, liria nuk mbaron këtu dhe nuk është për të gjithë njësoj. Sot disa njerëz mund të parkohen kudo kurse policia të mos mund ti dënoj. Disa të tjerë mund të vrasin e plagosin në mes të ditës dhe policia të mos i zbuloj. Ka të tillë që sunetinë nga çështje religjioze e kanë trajtuar si kulturë. Bile ndodhë që nënkryetari i qeverisë të ndaj tender për firmën e vet, kurse funksionarët të kategorisë së tretë që vijnë nga “revolucioni i larmë” të udhëtojnë dhe ushqen me super vip-kushte. Paramendoni një artist antiregjim si do ta paraqes në artin post modern jo barok, zaevist. Një gjë të tillë e bëri Vladimir Millçini ne një dramë të tij. Dramën nuk e kamë parë por përshkrimi i funksionimit të shtetit për momentin me fjalët, “curi od site strani” (rrjedh nga gjitha anët), më jep idenë si do të mund të portretizohet zaevizmi nëse vazhdon kështu. Pasi statuja e Aleksandërit në qendër të Shkupit simbolizon gruevizmin, zaevizmi i tanishëm me fjalët e Millçinit mund të simbolizohet me një bure që rrjedh nga gjitha anët. As burja mbushet as uji shteret, një domethënie për sloganin, “zhivot za site” (jetë për të gjithë). Burja rrjedh, por nuk zbrazet, njerëzit ujin e shohin por janë të etur. Nëse kështu e shef situatën njeriu që më së shumti i mobilizoj shqiptarët për ta rrëzuar regjimin duke u mbajt nasijat për demokraci, shtet qytetarë dhe për Evropë e NATO që do të vijnë pas, pse ne të mos e komentojmë qëndrimin e tij për gjuhën dhe emrin. Fatkeqësisht nga ajo çka tha u binda se gruevizmi lere se është mbjellë thellë në kokat e intelektualëve maqedonas porse sa i përket çështjes shqiptare dhe të emrit, sikur dëgjoja britmën, “kthehu Grujo”.StrugaLajm

Kjo na bën të shtrojmë pyetjen cili është misioni i Zaevit? A është e vërtetë ajo që më tha një funksionar i lartë i partisë në qeveri; Zaevi nuk erdhi në pushtet por atë e sollën. E sollën me një detyrë; ta ndërroj emrin e shtetit për tu bërë anëtarë të NATO-s. Ndoshta ai i dinë obligimet që i ka marrë por njerëzit që e ndihmuan ardhjen e tij, janë larg për ta kuptuar atë. Të supozojmë se Zaevi i dinë detyrat shtëpisë, por sa dhe si i punon ata? Nga një optimist i papërmirësueshëm që ishte derisa flitej për pakon përplot premtime të bukura që do të vijnë pas ndërrimit të emrit, tani kur vjen fatura me çmimin që duhet paguar, duket se entuziazmi shndërrohen në ankth. Optimizmi bie, zërat kundër rriten, pakënaqësia shtohet. Faktorin ndërkombëtarë mundohet tˋia mbaj optimizmin. Çdo ditë e takon, e inkurajon dhe përgëzon duke i paraparë ardhmëri të ndritur. Në këtë funksion Junkeri shkoj më së largu, i bëri një puthje jo të zakonshme gjatë pritjes para qeverisë saqë la hapësirë për komente në një nga televizion më të shikuara në vend. Pastaj, kur u kthye në Bruksel sqaroj se askujt si ka premtuar datë, por tha se maqedonasit e kanë kuptuar kurse shqiptarët, jo (mendohet për ata të Shqipërisë). Slogani një shoqëri për të gjithë has në vështirësi. Pasi u harmonizua ligji për gjuhët me BDI-në, u dha besa shqiptare se do të përkrahet nga të gjithë, paraqitet të ketë probleme. I mëveshët si opstrukcion VMRO-DPMNE-s por shumë zëra kundër ka edhe nga ideatorët e revolucionit të larmë dhe brenda vetë LSDM-së. Përskaj premtimit se me këtë do të krijohen kushte për një shoqëri të përbashkët duket se ligji do të përshtatet për shoqëri të ndarë. Përdorimi i gjerë i gjuhëve të komuniteteve do ngushtohet, do të bëj distinkcion ndërmjet të parëve, maqedonasve, dhe shqiptarëve e të tjerët, sa për tu ditur se i “kujt është shteti”. Gjegjësisht, është më lehtë ligji të ndryshohet për të vërtetuar se shoqëria jo që është e ndarë por ka edhe hierarki, sesa të jetë një e përbashkët për të gjithë. Nuk do të më vinte inati sikur një epilog të tillë të mundshëm për këto dy çështje të rëndësishme të mos i kisha paralajmëruar me shkrime dhe paraqitje publike kur shumë të tjerë ishin në kulmin e euforisë për një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë, por ja që njerëzit duan tu besojnë më tepër dëshirave të mira sesa realiteteve të hidhura.StrugaLajm

Nga ky këndvështrim sot është vështirë të nxirret një portret se kush është Zaevi dhe çfarë është zaevizmi. Kur flasim për gruevizëm e zaevizëm kemi parasysh thënien e vjetër romake: “Populli sundohet me bukë dhe lojëra”. Gruevski nuk ju dha shumë bukë popullit, por u bëri shumë lojëra. Koloseumet janë dëshmi për sundimin e disa sundimtarëve romak me bukë e lojëra. Ndërtesat e përmendoret përreth Vardarit dhe në qendër të qytetit do të mbeten dëshmi për kohën e Gruevskit, kur sundohej vetëm me lojëra e pa bukë. Ky është gruevizmi që do të përkujtojë kohën e tij. Zaevi për momentin nuk ofron as bukë as lojëra. Nëse nuk ka ide të re me të cilën do të identifikohet dhe mishërohet populli që do të lidhet me Zaevin, kam frikë se gruevizmi do të mbetet përgjithmonë. A do të ketë zaevizëm, nuk varet vetëm nga ajo sa do të rrënohet gruevizmi, por edhe sa do të ndërtohet zaevizmi. Për këtë detyrimisht duhet të kesh një ide autentike për një Maqedoni ndryshe nga ajo e deritanishmja, që do të depërtojë në vetëdijen e njerëzve, do të mishërohen me te, por edhe simbolizohet me diçka. Sa do të ketë bukë e sa lojna, është herët për tu konstatuar. Të mos ndodhë buka e loja e këtij pushteti të jetë thënia boshnjake, “voxhen zhedan preku vode” (të kalosh ujin e të mbetesh i etur).


Loading...
loading...