Maqedonia po shkon drejt një krize të re politike?

Maqedonia rrezikon të përfshihet në një krizë të re politike. Analistët thonë se zanafilla e kësaj krize është bllokimi i parlamentit nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, për shkak të debatit për shkarkimin e kryeprokurorit Marko Zverlevski. Ata nuk përjashtojnë edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja në Maqedoni.

 

Maqedonia rrezikon të zhytet në një krizë të re politike, të ngjashme me atë që shkaktoi zvarritjen disa-mujore të formimit të institucioneve të reja të vendit, të dala nga zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2016.
Bllokimi i foltores së kuvendit, të mërkurën e kaluar nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, kur diskutohej shkarkimi i kryeprokurorit Marko Zvërlevski, i risolli edhe një herë në kujtesë opinionit publik, skenat e dhunës kur manivestuesit e kësaj partie mësynë në parlament për të penguar zgjedhjen si kryeparlamentar të shqiptarit Talat Xhaferit.
Çështja e shkarkimit të prokurorit të përgjithshëm mbetet e bllokuar prej dy javësh. Qeveria kërkon shkarkimin e tij, pasi e konsideron si të ndikuar politikisht. Ndërsa VMRO-DPMNE kundërshton pasi ai është një person i zgjedhur në atë post prej qeverisë së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, të cilit i duhet ta ketë në krah në hetimet aktuale për akuzat për korrupsion.
Të këtij mendimi janë njohësit e çështjeve politike dhe juridike në Maqedoni. Nikolla Dujovski thotë se në debatin për Prokurorin e Përgjithshëm nuk bëhet fjalë për mbrojtjen e një prokurori të shkëlqyer, por të një personi i cili ka mbrojtur krimin në vend dhe këtë qytetarët çdo ditë po e shohin. Ai nuk përjashton mundësinë e çuarjes së vendit në zgjedhje të reja.
Ndërsa Mersin Maksuti, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Tetovës, thotë se zhvillimet e fundit në Kuvend dëshmojnë edhe një herë se partitë politike ende janë larg demokracive të zhvilluara perëndimore, pasi me punën e tyre po dëshmojnë se përveç pengesave, apo bllokimit të institucioneve, nuk mendojnë për çështje tjera në të mirë të qytetarëve.
Ekspertët, debate dhe pengesa më të mëdha presin kur në procedurë parlamentare të hyjë propozimi për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike, me të cilin parashihet avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe në nivelin qendror.
In : Aktuale

Loading...
loading...