Martesa 20%-she e shqipes me maqedonishten

Shkruan: Sulejman Mehazi

Gjatë zgjedhjeve lokale që do mbahen më 15 tetor në Maqedoni, partitë shqiptare, BDI e LR PDSH, po edhe Muhamed Zeqiri i LSDM-së, do na shurdhojnë e malltretojnë, por edhe do mundohen të na mashtrojnë e gënjejnë, sikurse përgjithëmonë me fjalimet e tyre, kinse, kanë zyrtarizuar 20%-in e  gjuhës shqipe. Do rrahin gjoksa e shpatulla, do krekosen e lavdërohen, se ja sa të aftë e të vërtetë janë, sa që ende pa 100 ditët e qeverisjes, kanë zyrtarizuar martesën 20%-she me gjuhën tjetër të kësaj republike maqedonishten.

Para se ta bëni kampanjën zgjedhore, disa pyetje të sinqerta e aspak të temsilosura, juve, udhëheqësve të partive qeveritare shqiptare?

-Martesën zyrtare 20%-she të gjuhës shqipe me gjuhën 80%-she maqedonase ju e kurrorëzuat, apo kryetari i LSDM-së, Zoran Zaevi?

Kush ishte ai që para zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit, 2016, së bashku me Zijadin Selën shkonte e premtonte para diasporës shqiptare se do ta zyrtarizonte gjuhën shqipe, mos ishit ju?, jo, Zaevi ishte.

-Pse 70000 shqiptarë e votuan Zaevin, normale, për shkak martesës zyrtare 20% të gjuhës shqipe.

-Pse ju të dashur kryetarë të partive shqiptare nuk koalicionuat me VMRO-në, por me LSDM-në, normale, për shkak se Zaevi premtonte martesën 20%-she zyrtare të shqipes.

-Përveç Zijadin Selës, cilën e plagosën dhe e përgjakën për hirë të martesës zyrtare 20%-she të shqipes me maqedonishte 80%-she, normale, Zaevin.

P.S.

Pse qyteti im, Tetova, me 85% shqiptarë, pas 27 vjetësh zgjedhjesh lokale, mbeti me emrat e shkollave të mesme maqedonase: gjimnazi “Qiril Pejçinoviq”, e mesmja e medicinës: “Nikolla Shtajn”, e mesmja e tekstiles: “Gjoce Stojçevski”  e mesmja e bujqësores: “Mosha Pijade”, ëëë?!

Pse qyteti im, Tetova, pas 27 vjetësh qeverisje nga shqiptarët është qyteti më i ndotur në Maqedoni, mos fajtorë janë maqedonasit, ëëë?!

Pse qyteti im, Tetova, pas 27 vjetësh zgjedhjesh lokale e parlamentare demokratike, s’ka ujë, normale, dhe, ju gjatë këtyre zgjedhjeve lokale do premtoni gënjeshtra uji, ëëë?!

Kot. Kur gënjeni, ju humb ndërgjegja, kur ju humb ndërgjegj, ju shtohet lakmia, kur ju shtohet lakmia vjen pasuria për udhëheqësit lokalë të qyteteve tona shqiptare.


Loading...
loading...