Mbi intelektualët-Bledi Elmazi

Bledi Elmazi

Në format e saj më të lartë, gjuha “e majtë” është një mjet i rrezikshëm dhe poshtërisht efikas. Falë saj, u desh më shumë se një shekull, u deshën shumë vajtime, për të kuptuar që pothuajse e gjithë ekonomia e Marksit është thjesht një lojë fjalësh: jo aq një kështjellë letre sa një kështjellë zërash të fjalorit. Më të mprehtët e kuptuan qysh në krye të herës, megjithatë ende sot nuk kemi një metodë të plotë për të demaskuar çdo lojë këtij lloji.
Kemi disa shënime të shpërndara, si në rastin e sistemeve socialiste të borgjezit Vifredo Pareto, ekonomisti më i mirë italian, në të cilat ju hiqet maska rregullave “të majta”. “Përdorimi në dobi të tezës së mbrojtur vetëm i termave që lidhen me një ide të miratueshme”. Qasja e ideve vlen më shumë se deduktimi logjik.
“Përkufizimet më të errëta janë më të mirat. Duken si jashtëzakonisht të thella dhe shumë veta besojnë se shohin gjëra të mrekullueshme, që në të vërtetë ekzistojnë veçse në imagjinatën e tyre. Është thjesht një rast vetësugjestionimi dhe halucinacioni.” Termat abstrakt preferohen ndaj atyre konkret: të parët pranojnë perfeksionin, të dytët jo. Kundërthëniet janë të ligjëruara në emër të dialektikës. Mënyra më e mirë për t’u mos u përgënjeshtruar është të pohosh çka nuk mund t’i nënshtrohet verifikimit. Irracionalja, asaj që i mungon kuptimi, është një nga elementët e pakundërshtueshëm të intelektualitetit.
Sigurisht, arti i mashtrimit me anë të fjalëve është i vjetër dhe përgjithësisht i respektuar nga njerëzimi. Në të vërtetë nuk ka arsye për të mos admiruar artistët e mëdhenj të çdo fushe, në rastet kur nuk hiqen si shkencëtarë apo filozofë të mëdhenj. Hilet retorike të sofistëve i argëtonin grekët, me kusht që të ishin të ndershme dhe haptazi, apo të nënkuptuara, të pafajshme njësoj si ato të iluzionistëve apo prestigjatorëve në teatër. Protagora u kërkonte studentëve të vet, të thurnin elozhe për diçka që sapo e kishin denigruar: u mësonte kështu, të vaksinoheshin kundër naivitetit, ndaj tërheqjes së fjalës aq të ngjashme me tërheqjen e muzikës, por shumë më e rrezikshme. Sot duhet ti tutemi artit që përdoret për qëllime jo të drejta dhe të cilin nuk guxohet të denoncohet pasi është art i madh. Pareto citon disa pjesë nga Hegeli, si kjo: “Shteti është realiteti i Idesë morale, shpirti moral për sa vullnet thelbësor, i dukshëm, i qartë ndaj vetvetes, që mendohet dhe dihet, dhe që kryen atë që di, në masën që di”. Pareto është Pareto dhe nuk druhet të thotë: “E gjitha kjo është pa kuptim dhe ngjan me halucinacionet e një ëndrre”. Shumë të tjerë nuk e kanë këtë guxim ndërsa disa të tjerëve u volit të imitojnë stilin hegelian, që ndërkaq është kthyer në stilin universal të atij që me kosto të ulët, do të hiqet si i kulturuar. Nëpërmjet tij jo vetëm që trafikohet çdo ide, por më keq, bëhet “kulturë” pa ide. Mjafton të mësosh përmendësh gjuhën e posaçme intelektuale, t’i frysh asaj, gjë që, në ndryshim nga gjenialiteti apo dhe vetëm inteligjenca, çdo kush mund ta bëjë. “Idioti i majtë ka një prirje të theksuar për çdo gjë që është e vështirë. Beson se vështirësia është thellësi” (Leonardo Shasha)


Loading...
loading...