Më pak prodhime bujqësore !

Periudha e gjatë pa shi si dhe temperaturat e larta prej më shumë se 40 gradë në periudhën e kaluar do të ulin dukshëm rendimentet e më shumë kulturave bujqësore. Më të goditura janë pemë, perimet, duhani, hardhia e rrushit, por edhe kulturat e tjera bujqësore, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, thatësia ka shkaktuar probleme edhe në blegtori për shkak se janë ulur edhe hapësirat me bar për kullotjen e bagëtisë, si dhe sasitë e pritshme të jonxhës. Edhe pse nuk mund të flitet për dëmet përfundimtare në uljen e prodhimtarisë bujqësore vlerësohet se do të ketë ulje  të madhe prej së paku 20-30  për qind të mjaft kulturave bujqësore. Në ndërkohë raportohet se në rajonin e Strumicës është përgjysmuar rendimenti i specit të kuq që mbillet në të hapur, ndërsa ka ankesa edhe për dëme në të gjithë kulturat e tjera të perimeve. Kushtet jo të volitshme të motit kanë dëmtuar edhe kultivuesit e duhanit në Prilep. Ato frikësohen se do të kenë rendimente të përgjysmuara. Thatësia do të ketë ndikim negativ edhe ndaj misrit.

“Dëmet janë shumë të mëdha për shkak të temperaturave të larta dhe periudhës së gjatë të thatë. Edhe situata hidrologjike është mjaft e keqe , nëse merret parasysh se kishim dimër të thatë dhe të ftohtë, ndërsa tani kemi temperatura edhe mbi 40 gradë celsius. Shi gati nuk ka, ndërsa edhe atje ku kemi të reshura shiu ato shpesh janë të rrëmbyeshme dhe shpesh edhe me breshër. Dëmet ndaj kulturave bujqësore shpesh përcillen me djegien e tyre, gjegjësisht frutat duken sikur janë të djegura”, thotë për KOHA profesori universitar i bujqësisë, Risto Vuçkov. Sipas tij, edhe në periudhën e ardhshme ju kanoset rrezik kulturave bujqësore për shkak se pas uljes së shkurtër të temperaturave gjatë vikendit të kaluar, ndërkaq në periudhën e ardhshme sërish pritet të rriten temperaturat. Edhe një pjesë e shoqatave të bujqve thonë se temperaturat ekstreme të larta si dhe ulja e rezervave të lagështisë në shtresat më të thella të tokës kanë ndikuar mjaft negativisht në dëmtimin e mjaft kulturave bujqësore duke ulur edhe rendimentet e tyre. “Thatësia ka dëmtuar shumë bujqësinë në Maqedoni që së pari është pasqyruar tek kulturat e drithit,  ku në disa rajone bile rendimentet janë ulur edhe me 70 për qind që vlen sidomos për Ovçe Polien, Shtipin, rrjedhën e lumit Vardar  dhe Koçanin. Gjithashtu moti i pavolitshëm i la edhe pendat pa ujë , andaj bujqit nuk kishin mundësi të vadisin fushat”, thotë Eftim Shakev kryetar i Shoqatës së  Bujqve. Agronomët thonë se definitivisht  në rajon po ndryshohet klima  që do të ndikojë në uljen e rendimenteve për shkak të mungesës së ujit. Andaj sugjerohet që prodhimtaria bujqësore të orientohet ndaj rehabilitimit sa më të madh të sistemeve për vaditje, shfrytëzimit efikas të ujit si dhe konservimit të truallit bujqësor. “Kjo është një tregues i qartë se ngjashëm me shtete e tjera që në mënyrë serioze përgatiten për ndryshimet kaq të mëdha klimatike , edhe Maqedonia nevojitet që seriozisht të përgatitet që në bujqësi të kemi vaditje sa më ekonomike , të ruajmë dhe të rinovojmë sistemet për vaditje për shkak se ujë do të ketë se vjen e më pak. Me fjalë të tjera vaditja paraqet një masë e domosdoshme agroteknike që do të duhet të zbatohet në të ardhmen”, thotë profesori universitar Ilija Karov. Sipas tij, shteti duhet të mendojë edhe për përgatitjen e një projekti serioz për mbjelljen e kulturave që kërkojnë më pak ujë për vaditje dhe kanë afat më të shkurtër të vegjetacionit. Në ndërkohë ndikim negativ nga temperaturat e larta dhe thatësia më shumë  pritet te ato kultura bujqësore që janë duke u kultivuar dhe nuk janë në sistemin e ujitjes, ndërsa ato  parcela bujqësore që janë duke u kultivuar, e që janë nën sistemin e ujitjes, qoftë nga kompanitë e ujitjes ose nga fermerët në mënyrë vetanake, do të kalojnë më mirë dhe dëmet do të jenë më të vogla  vlerësojnë agronomët.

MAQEDONISË I KA NDRYSHUAR KLIMAStrugaLajmStrugaLajm

Sipas analizave të Bankës Botërore, përcjell KOHA, në Maqedoni si rezultat i ndryshimeve klimatike veç më po vërehen rritje të temperaturave të mesme, deficite të lagështisë , dukuritë ekstreme si thatësia, valët e ngrohta dhe zjarret pyjore. Projeksionet për disa dekadat e ardhshme janë rritje e temperaturës së mesme vjetore për 1,9 gradë, ulje të reshjeve për pesë për qind dhe ekspozim më i madh i dëmtuesve të rinj dhe sëmundjeve të kulturave bujqësore, pyje dhe mallra.
“Për ballafaqim me ndryshimet klimatike është e domosdoshme shfrytëzim efikas i resurseve ujore, rehabilitim dhe sendërtim i sistemeve për ujitje dhe parashikim në kohë i kushteve të motit. Mjaft e rëndësishme edhe trajnimi i bujqve për zbatim të teknikave më adekuate gjatë prodhimtarisë, si dhe marrje të informatave të sakta për tregjet ku do të realizohej plasmani”, thonë nga Banka Botërore. Investim në infrastrukturë, edukim, përmirësim të sistemeve për paralajmërim të hershëm, publikim i shpeshtë dhe distribuim të parashikimeve bujqësore, afatshkurtra dhe sezonale, përmirësim të racave të gjedheve, përdorim të farës cilësore, vendosje të teknikave të reja për ujitje, janë vetëm një pjesë e rekomandimeve të Bankës Botërore për ballafaqim me rreziqet nga ndryshimet klimatike.StrugaLajm

DËME EDHE TE FQINJËT

Në ndërkohë, temperaturat e larta kanë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme të sektorit agrar në shtetet fqinje. Ato në fund të muajit qershor kanë  rezultuar fatale për midhjet në Butrint ku raportohet ngordhja e rreth 2 mijë e 700 tonëve prodhim. Gjithashtu është dëmtuar edhe  fara e re.  Në Kroaci vlerësohet se do të ulet rendimentet e kulturave më të rëndësishme vjeshtore si misri, soja dhe rrepa e sheqerit për së paku 30 për qind. Në Serbi thatësia ka zvogëluar prodhimtarinë bujqësore për 20 për qind në raport me rendimentet mesatare, dhe për 30 për qind në raport me vitin e kaluar rekord të prodhimit. Vlerësohet se  në Serbi, humbjet nga thatësia dhe temperaturat e larta do të jenë si vlerë e humbur më shumë se një miliardë dollarë.

In : Aktuale

Loading...
loading...