Më të shtrenjtë se Evropa!

Brende të njëjta, por me çmime më të kripura ofrohen për blerësit tanë në raport me blerësit në shtetet fqinje si Bullgaria, Greqia, apo edhe ato perëndimore, shkruan gazeta KOHA. Pantallonat nga materiale të ndryshme, fustanet, këmishët, xhinset, këpucët, rrobat e fëmijëve dhe një sërë pjesësh të tjera të gardërobës verore apo dimërore, janë më të shtrenjta në Maqedoni, jo vetëm në raport më shtetet perëndimore, por edhe me ato fqinje. Për dallimet e mëdha në çmimin e veshmbathjes mund të binden edhe vetë qytetarët e Maqedonisë që me liberalizimin e vizave, dhe me ardhjen e kompanive me fluturime të lira të avionit, udhëtojnë më shpesh në shtetet perëndimore. Gjatë vizitës së familjarëve në Gjermani, Itali, Zvicër apo shtetet tjera – mund të vërehet se një xhaketë që këtu kushton së paku 50 euro, jashtë Maqedonisë e kanë paguar 20 euro. Qytetarët në Maqedoni bile edhe në shitjet sezonale, qoftë në muajt e janarit apo gushtit, nuk kanë mundësi të blejnë më lirë dhe më mirë qoftë atletet, këpucët apo edhe xhaketat e ndryshme të dimrit. Madje, dallimet e brendeve të ndryshme në Spanjë apo Bullgari dallojnë për një mantel femrash në shitjet verore prej 39 euro tek ne, deri në 25 euro në këto dy shtete evropiane. Sipas ekonomistëve, në çmimet më të larta në Maqedoni të rrobave në raport me shtetet fqinje dhe perëndimore, ndikon konkurrenca e dobët, tregu i vogël, shtrirja shumë e vogël e dyqaneve me marka të njohura, qiratë e larta të dyqaneve, qarkullimi i vogël, si dhe marzhat e larta të tregtarëve që mbulojnë harxhimet e ndryshme.

“Çmimet, në parim diktohen nga qendrat e shtëpive të modës që përcaktohen në disa nivele, duke filluar nga madhësia e tregut, zhvillimi i tij, fuqia e madhe apo e vogël blerëse. Andaj, edhe çmimi është më i lartë për shkak të qarkullimit më të vogël. Me fjalë të tjera, si rrjedhojë e qarkullimit më të ulët të mallit që, për shembull – në Shkup mund të llogaritet deri 10 herë më i vogël se në Vjenë, Munih, apo Milano, imponohet që tregtarët vetë të financojnë rezervat e mallit. Faktor tjetër është Ligji i shifrave të mëdha, ku për shembull – nëse një butik në Gjermani shet 500 deri 1000 copë në javë, nga ana tjetër një butik Shkup shet 10 deri 20 copë në javë, andaj mungon një qarkullim më i shpejtë i mallit sikurse në perëndim dhe, si rrjedhojë e kësaj ekzistojnë marzhat më të larta që duhet të mbulojnë këtë dallim. Këtu kemi parasysh edhe harxhimet e larta të qirave të dyqaneve që arrijnë edhe mijëra euro”, thonë ekonomistët.

Nga ana tjetër, duke marrë parasysh se analizat e ndryshme si ato të Instituti “Finance Think” tregojnë se gjysma e të punësuarve në Maqedoni marrin paga që nuk arrijnë as 200 euro, ndërsa gjysma tjetër marrin paga prej 200 deri 400 euro, si dhe me papunësi të lartë prej afër 23 për qind, del se blerja e brendeve të njohura është iluzion dhe tepër shtrenjtë për standardin tonë në raport me atë të BE-së. Instituti në fjalë raporton gjithashtu se fuqia blerëse e qytetarëve të Maqedonisë është 35 për qind e mesatares evropiane. Në ndërkohë, edhe të dhënat e EUROSTAT-it tregojnë se vetëm Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina me 37 për qind të mesatares evropiane lidhur me fuqinë blerëse për kokë banori renditen më dobët se Maqedonia. Andaj, vlerësojnë ekonomistët, qytetarët e Maqedonisë jetojnë sot për nesër duke hyrë në borxh në kredi apo kartela për të kapërcyer muajin, duke kursyer çdokund ku mundet dhe duke shkurtuar për çdo ditë nga harxhimet e ndryshme, por edhe duke blerë artikujt më të lirë si ushqimor ashtu edhe gjësende të tjera të nevojshme për një familje. Këtë e dëshmojnë edhe shtrirja e madhe në vitet e fundit në gati të gjitha qytetet, por edhe fshatrat më të mëdha në Maqedoni i zinxhirëve të dyqaneve me pakicë që janë përhapur nëpër mëhallët tona. Dyqanet e tilla që mund të gjenden çdokund. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...