Menduh Thaçi: Zv.kryeministër me “veto” dhe Parlament me dy dhoma, oferta e PDSH për faktorizimin e shqiptarëve

Në një intervistë për Abcnews.al, Menduh Thaçi kreu i PDSH në Maqedoninë e Veriut ka folur për situatën politike në vend, teksa kanë mbetur edhe pak javë nga mbajtja e zgjedhjeve.

Thaçi ka folur për programin e partisë që ai drejton. Mes të tjerash ai vlerëson emërimin e një zv.kryeministri shqiptar me mundësi reale për të ndryshuar disa prej politikave kryesore të Qeverisë, posaçërisht ato financiare. Po ashtu ai propozon krijimi i një Parlamenti me dy dhoma.

Intervista e plotë:

Thaçi gjatë gjithë kësaj periudhe ju keni theksuar rëndësinë e demokracisë konsensuale në Maqedoninë e Veriut por kjo është një frazë që është dëgjuar prej kohësh tani. Çka e dallon Menduh Thaçin nga të tjerët dhe pse duhet elektorati shqiptar t’iu besoj juve kësaj radhë?

Menduh Thaçi: Formula ime është shume thjeshtë por megjithatë përmbajtësore. Pavarësisht përmirësimit relativ të gjendjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, gjendja e tyre është prap nën mundësitë reale të tyre. Madje, në njëfarë forme, mund të thuhet se gjendja e tyre është rënduar kohëve të fundit krahasuar me disa vite më parë. Prandaj, në këto rrethana, ne nuk kemi shumë nevojë për folklor patriotik po për një projekt të qartë dhe konkret në shërbim të fuqizimit të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ky plan, thënë thjeshtë e shkurtimisht, mund të përmblidhet në dy shtylla kryesore.

Shtylla e parë është emërimi i një zv. Kryeministri shqiptar me mundësi reale për të ndryshuar disa prej politikave kryesore të Qeverisë, posaçërisht ato financiare. Për shembull, me ndryshimin e rregullores së punës së Qeverisë, zv. Kryeministri mund të autorizohet që bashkarisht me Kryeministrin të nënshkruajnë propozimin e skemave buxhetore në Kuvend. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë pajisje me të drejtë vetoje e zv. Kryeministrit shqiptar për në përcaktimin e linjave të buxhetit të shtetit. Në këtë kuptim, zv. Kryeministri shqiptar do të ketë të gjitha instrumentet e nevojshme për siguruar ndarjen e proporcionale dhe të drejtë të buxhetit. Për më tepër, përveç marrjes së masave për të luftuar korrupsionin e krimin e organizuar që duhet të jetë një prioritet i padiskutueshëm i çdo qeverie, duhet patjetër miratuar patjetër një ligj i veçantë për investime të huaja që do të mundësonte jo vetëm forcimin e mëtejmë ekonomik të gjithë Maqedonisë së Veriut, por edhe ketë parasysh parimin e balancit etnik në veçanti.

Shtylla e dytë, ndërkaq, është më afatgjatë dhe më politike. Maqedonia e Veriut, duke pasur parasysh kompozicionin etnik të saj, duhet të shkojë gradualisht kah krijimi i një parlamenti me dy dhoma – dhoma qytetare, thënë kushtimisht, dhe dhoma etnike – në të cilën sigurohen instrumentet e nevojshme për të balancuar disa çështje etnike. Për shembull, për çështje të politikave të mjedisit, natyrisht, se duhet të ketë një gjykim pastërtisht qytetar. Sidoqoftë, për çështje që ndikojnë interesat etnike, shqiptarët duhet domosdoshmërisht ta kenë mundësinë e vendimmarrjes së tyre. Në këtë kuptim, ne kemi nevojë për krijim të instrumenteve institucionale që nuk i lejojnë shqiptarët të trajtohen thjeshtë si pakicë kombëtare, por si një faktorë real shtetformues me peshën e duhur të vendimmarrjes në nivel qëndror.

Maqedonia e Veriut për një kohë të gjatë është përfshirë në zbatimin e të ashtuquajturave politika të integrimit dhe tashmë pas hapjes së negociatave për anëtarësim në BE do të ketë detyrime shtesë ndaj grupeve të ndryshme etnike. Qasja juaj, ndërkaq, duket se shpërfillë jo vetëm të arriturat por edhe realitetin në tërësi për qëllime zgjedhore…

Menduh Thaçi: Nuk është çështja të mohohen të arriturat në përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Thelbi i gjësë është të sqarohet se beteja e shqiptarëve për ta ruajtur identitetin kombëtar apo për të mos lejuar trajtimin si pakicë etnike. Në këtë kuptim, duhet patjetër të theksojmë se veçanërisht ‘politikat e integrimit’ të BDI-së realisht kanë qenë ‘politika të nënshtrimit’. Ato për 18 vite nuk i kanë adresuar çështjet reale të shqiptarëve dhe nuk e kanë përmirësuar substancialisht gjendjen e shqiptarëve. Përkundrazi, sot shqiptarët janë ekonomikisht më të varfër dhe shoqërisht më të pashpresë, sepse BDI-ja ka qenë e interesuar në formim të vetvetes dhe klientelës së saj. Prandaj, zgjedhjet aktuale janë shumë me rëndësi: ato duhet ta prodhojnë shkëputjen nga e kaluara, nga mënyra se si e janë trajtuar shqiptarët për shumë vite dhe nga neglizhimi i vazhdueshëm i faktorit shqiptar për llogari partiake.

Procesi i integrimit në BE, ndërkaq, duhet të shfrytëzohet për të harmonizuar legjislacionin e sistemit vendorë të arsimit me atë të Bashkimit Evropian. Ndër të tjera, ne kemi nevojë për zhvillim të politikave bashkëkohore në arsim të bazuara mbi analizat reale të tregut që iu përgjigjen nevoja të tregut vendorë, rajonal e më gjerë. Pra, pavarësisht rëndësisë së anës etnike, duhet të kemi gjithmonë parasysh ndërtimin e një shteti modern.

Ali Ahmeti megjithatë ka shpalosur kërkesa shumë më të larta sesa ju kur vjen puna tek mbrojtja e të drejtave shqiptarëve. Madje, ai tashmë ka hedhur edhe tezën e një Kryeministri shqiptar për Maqedoninë e Veriut. Cili është komenti juaj për këtë çështje?

Menduh Thaçi: Kjo është thjeshtë një demagogji, hipokrizi dhe pafytyrësi tjetër e Ali Ahmetit. Kjo është thjeshtë gënjeshtër e mashtrim: ai e bën këtë kërkesë para zgjedhjeve dhe e di se nuk do të ndodhë pas zgjedhjeve. Nuk ka asnjë mundësi për homogjenizim të faktorit shqiptar dhe sigurim të mbështetjes e votave të nevojshme për zgjedhjen e një kryeministri etnikisht shqiptar. Ai për mëse 18 vite, Ahmeti ka qenë në pushtet dhe ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve në mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Madje ai ka pas edhe 17 e 18 deputet gjatë qeverisjes së tij me Gruevskin dhe asnjëherë nuk e kanë ngritur këtë çështje. Pra, ata jo vetëm që e ngrisin këtë çështje me vonesë, jo vetëm që e ngrisin vetëm për konsum elektoral, por edhe s’ka fare drejtë morale për një propozim të tillë. Ai është përgjegjës për për mosintegrimin proporcional të shqiptarëve tani e pothuajse dy dekada. Porpozimi im për zv. Kryeministër shqiptar, ndërkaq, është realist, pragmatik dhe i realizueshëm. Një zv. Kryeminister me të drejtë vetoje në disa çështje sikurse ndarja e buxhetit është i zbatueshëm në konteskt të rrethanave në Maqedoninë e Veriut: sidoqoftë, me një ndryshim të mandatit, kjo do të thotë praktikisht Kryeministër shqiptar. Prandaj, ka ardhë koha që të bëhet politikë e sinqertë me objektiva të zbatueshme e mos të zhvillohet një retorikë që nxit eufori po nuk prodhon rezultate.

Në fund, zv. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut është shqiptar dhe udhëheq procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Një zv. Kryeministër shqiptar a duhet ta udhëheqë këtë proces dhe çfarë kontributi të drejtpërdrejtë mund të ofroj?

Menduh Thaçi: Politika e PDSH historikisht ka qenë fare e qartë sa i përket objektivave gjeostrategjike: synimi ynë ka qenë i qartë – integrimi i shteteve shqiptare, Shqipërisë Kosovës, por edhe Maqedonisë së Veriut – në NATO dhe në BE. Shqiptarët janë populli më pro-evropian dhe pro-amerikan në rajon. Këtë frymë pro-perendimore shqiptarët duhet ta kurorëzojnë me marrëdhënie të veçanta institucionale me NATO-n dhe BE-n. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO përmbyllë një kapitull shumë të rëndësishëm jo vetëm për sigurinë e Ballkanit, por edhe të drejtat e shqiptarëve. Tani sfida e përbashkët është veçanërisht vazhdimi i rrugës evropiane për Maqedoninë e Veriut. Me negociatat për anëtarësim në BE, tash duhet një qasje e re institucionale, shumë më dinamike, për të kryer të gjitha detyrat e nevojshme që kërkon ky proces. Thënë të drejtën, procesi i integrimit ka stagnuar për një kohë të gjatë jo vetëm për shkak të çështjes së emrit shtetëror me Greqinë por edhe për shkak të keqqeverisjes së brendshme. E, këtu duhet shtuar se krahas faktit që ne nuk guxojmë të lëvizim nga objektivat tona gjeostrategjike, pro-BE dhe pro-NATO, por procesin e anëtarësimit në BE duhet shfrytëzuar për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve duke zbatuar standardet evropiane për marrëdhëniet ndër-etnike.

In : Aktuale

Loading...
loading...