Miliarderi shqiptar do investojë 180 milionë euro në Shkup

Grupi Balfin ( në pronësi të miliarderit Samir Mane ) njofton blerjen nëpërmjet kompanisë së krijuar rishtazi në Maqedoni, Skopje East Gate, të një sipërfaqe prej 155,000 m2, të ndodhur rreth 1.5 km larg qendrës së Shkupit, në kryqëzimin e dy rrugëve kryesore, Aleksandri i Madh dhe Belasitsa. Kompania planifikon të zhvillojë projektin e parë të zhvillimit të pasurive të patundshme sipas një koncepti multifunksional me mbi 250,000 m2 sipërfaqe ndërtimi bruto, që vlerësohet të jetë investimi më i madh privat i këtij lloji në Maqedoni.

Planet e zhvillimit përfshijnë një qendër të re tregtare prej 45,000 m2, një bllok rezidencial dhe një qendër zyrash. Investimi total i kompanisë është planifikuar të jetë reth 180 milionë euro në një periudhë prej 5-7 vjetësh, duke krijuar mijëra vende të reja pune. Kompania deklaron se qendra tregtare do të jetë ajo që do të ndërtohet dhe zhvillohet fillimisht, e më pas apartamentet dhe qendra e zyrave do të ndërtohen përgjatë 5 – 7 viteve të ardhshme. Grupi Balfin është aksioneri më i madh i Skopje East Gate Real Estate Development dhe ky projekt do të zhvillohet më tej në të ardhmen me pjesëmarrjen e investitorëve lokal dhe ndërkombëtarë.

Grupi Balfin ka zhvilluar me sukses Skopje City Mall, një qendër tregtare, e cila u shit vitin e kaluar një investitori të huaj, duke shënuar transaksionin më të madh imobiliar në tregun e kapitaleve në Maqedoni. Grupi Balfin është një ndër Grupet private më të mëdha investuese në rajon, portofoli i të cilit përfshin investime në qendrat tregtare, zhvillime të zonave rezidenciale dhe tregtare si dhe aktivitete të shitjeve me pakicë me rrjetin e dyqaneve Neptun, Jumbo dhe dyqane Fashion.

Nisur nga suksesi i Skopje City Mall dhe dëshirës së madhe për të përhapur më shumë retailers në Maqedoni, hapja e një qendre të re tregtare u vlerësua si një mundësi investimi mjaft e leverdisshme, financimi i së cilës do të mbulohet nga ortaket e SEG në bashkëpunim me institucione financiare lokale dhe ndërkombëtare.

Qendra do të ndërtohet në 2 nivele me rreth 2500 vende parkimi nëntokësore. Vendndodhja dhe madhësia e qendrës së re paraqet baza solide, ku përveç markave ekzistuese në treg do të ketë edhe marka të reja ndërkombëtare. Së bashku me qendrën tregtare, zona e re me sipërfaqe ndërtimi prej 100 000 m2 për banesa të reja, është planifikuar të ndërtohet përgjatë 5 viteve të ardhshme.

 

In : Aktuale

Loading...
loading...