Miliona euro për shpartallimin e Vetëvendosjes

Xhafer Shatri

Minimi i Lëvizjes Vetevendosje është një shembull shkollor se si në një shtet të kapur nga mafia të gjitha mjetet janë të lejueshme; se çdo kundërshtar i pushtetit posa të hapë gojën do të përballet me strukturat e kriminalizuara të shtetit.

Viti 2018 parashihej të jetë një vit vendimtar për kahet që mund të marrë Ballkani Perëndimor. E, sidomos çështja e Kosovës. Përvijimet po bëhen në një klimë acarimi gjeopolitik Perëndim-Rusi që i ngjan shumë Luftës së Ftohtë. Për mirë – a për keq, kep i përplasjeve do të jenë sidomos marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Në prapaskenat politike të Kosovës, ky vit është përgatitur gjatë, janë bërë investime e përgatitje maksimale në mënyrë që, si do që të vijë puna, prontomafia, e udhëhequr nga Hashim Thaçi, të mbetet, me çdo kusht, në pushtet dhe ta ketë fjalën kryesore.

Deri tash ky plan është realizuar, sepse sa herë që është rrezikuar pushteti i tij, Hashim Thaçi, ka arritur ta nxjerrë anijen e kusarëve në port pa dëmtime të mëdha. Sipas të gjitha gjasave, për këtë e kanë ndihmuar sidomos dosjet e SHIK-ut dhe strukturat e tij të ngulitura thellë në të gjitha institucionet e Kosovës. Sidomos në medie, në AKI dhe në gjyqësi e polici. Këto institucione vitale të Kosovës kanë ndihmuar që plafi i prontomafisë, PDK-ja, të mbetet në pushtet dhe ta ketë fjalën kryesore edhe sot, përkundër dështimeve dhe veprimeve shtetrrënuese shumëvjeçare.

Kundërshtarin kryesor prontomafia e kishte dhe e ka Lëvizjen Vetëvendosje, një subjekt politik, të cilin nuk arriti ta manipulojë asnjëherë. Zaten, në historinë politike të shqiptarëve Lëvizja Vetëvendosje është një fenomen krejt i veçantë që ka sfiduar me sukses jo vetëm parinë e kriminalizuar politike në Kosovë e në Shqipëri, por edhe guvernatorët e Kosovës, të njohur si bashkësia ndërkombëtare.

Merita kryesore historike e Lëvizjes Vetëvendosje ishte se ajo ruajti, kultivoi dhe vuri në pah idealizmin e qashtër dhe shpirtin e pathyeshëm e kryengritës të Kosovës. Kjo u shpërfaq gjithandej nëpër betejat e shumta e të gjithëllojshme politike. Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje me zgjuarsi, me guxim, vetëmohim e sakrifica të shumta sfiduan UNMIK-un e kriminalizuar, regjimin policor të Hashim Thaçit, hileqarët e LDK-së dhe mbështetësit e tyre ndërkombëtarë. Ata mbrojtën, si askush tjetër, interesat jetike të Kosovës dhe në rrethana të rënda bënë ta kuptojë gjithsecili se popullin e Kosovës nuk do të mundë kurrë ta nënshtrojë askush.

Kujt do t’i ngjante Kuvendi i Kosovës po të mos ishin vajzat dhe djemtë e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, shpeshherë, shkëlqenin me oratori, me vendosmëri, me guxim e me vizion?

Defaktorizimi dhe minimi i Lëvizjes Vetëvendosje

Zgjedhjet e fundit Lëvizjen Vetëvendosje e nxorën si partinë më të madhe politike në Kosovë, pa të cilën realisht nuk do të mund të zgjidheshin problemet kryesore që prontomafia dhe satelitët e saj ia kanë shkaktuar Kosovës; kapjen e shtetit, plaçkitjen masive të pasurive publike, rrënimin e sistemit të drejtësisë, të arsimit e të shëndetësisë, marrëveshjet e rrezikshme me Serbinë, Marrëveshja skandaloze për kufirin me Malin e Zi etj., etj.

Sipas të gjitha gjasave, udhëheqja e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kishte paraparë një sukses të tillë në zgjedhje dhe u gjet krejt e papërgatitur. Por më se shumti u befasua dhe u frikësua prontomafia dhe satelitët e saj. Prandaj priteshin kundërveprimet dhe grushtet e tyre. Siç dihet, çdo medalje i ka, të paktën, dy anë. Gufimi i shpejtë i Vetëvendosjes detyrimisht vinte në pah konfliktin e brendshëm mes cilësisë dhe sasisë, do të thotë se struktura organizative ekzistuese nuk arrinte as për së afërmi të absorbonte peshën dhe përgjegjësitë e fitores elektorale.

Në anën tjetër mbi dhjetë vjet opozitarizëm të paparë e kishin kalitur, por edhe kishin krijuar të çara brenda vetë Lëvizjes Vetëvendosje. Kështu që dihej se kishte kundërthënie të ndryshme mes disa aktivistëve të saj, gjë që është krejt normale në një luftë të gjatë dhe të ashpër politike, ku përplasen e përthyhen interesat strategjike dhe e ardhmja jo vetëm e Kosovës dhe jo vetëm e shqiptarëve.

Kuptohet vetvetiu se, kundër Lëvizjes Vetëvendosje është bërë një luftë frontale që prej fillimit. Asaj i janë bërë goditje të përditshme ku janë angazhuar pa kursim funksionarët e shtetit, prokurorët, gjykatësit, policët dhe natyrisht mediat e shumta të prontomafisë. Mirëpo, projekti për shpartallimin e Vetëvendosjes ka filluar të vihet në jetë menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit 2017 dhe kur bisedimet e fshehta të Thaçit me Vuçiqin, madje edhe për ndryshim kufijsh, ishin përthelluar. Synimi i Vuçiqit ishte dhe mbetet: përmes copëtimit të Kosovës, të krijohet kufiri definitiv serbo-shqiptar; qëllimi i Hashim Thaçit ishte dhe mbetet: ta shpëtojë me çdo kusht dhe me çdo çmim kokën e vet.

I vetmi faktor i brendshëm që do të mund t’ua digjte të dyve, si shumë herë deri tash, kartat në dorë ishte dhe, përkundër tollovisë aktuale, vazhdon të mbetet Lëvizja Vetëvendosje. Prandaj shpartallimi definitiv i saj doli një detyrë imediate e prontomafisë, e Beogradit dhe aleatëve të tyre të fshehtë e të hapur, pa harruar këtu edhe ndonjë kumbar nga Tirana.

Burime të ndryshme e të paanshme konfirmojnë se për ta defaktorizuar Lëvizjen Vetëvendosje është formuar një shtab ad hoc me funksionarë të shtetit, jeniçerë të dikurshëm të SHIK-ut, dhe aktualisht pjesëtarë të strukturave më të ndjeshme të shtetit dhe të mediave. Këta shtetrrënues aktivë e kanë bërë skemën për shpartallimin e një subjekti legal me numrin më të madhe të deputetëve në Kuvendin e Republikës. Janë skeduar aktivistët më me peshë të Lëvizjes Vetëvendosje në të gjitha nivelet, janë bërë analiza të hollësishme për karakterin e çdonjërit, për gjendjen e tyre familjare, për të afërmit dhe për raportet me njëri-tjetrin. Janë përgjuar në vazhdimësi telefonat e tyre, janë përcjellë në çdo hap nga njerëz të pajisur me mjete dhe të paguar me paratë e shtetit.

Për buxhetin e këtij shtabi shtetrrënues nga fondet e zeza të prontomafisë janë ndarë 8 milionë euro. Ka burime serioze që flasin për katërfishin, por po përmend shumën për të cilën organet tona shtetërore janë në dijeni të plotë. Anëtarët e shtabit i kanë përsaktësuar taktikat dhe i kanë ndarë detyrat. Pas dy-tre muajsh veprimtarie intensive janë parë rezultatet e para, është ravijëzuar përçarja e organeve dhe personaliteteve kyçe të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për t’ia arritur kësaj janë përdorur pakënaqësitë e ndryshme, hatërmbetjet, naiviteti, intrigat, shantazhi me dosje, frikësimet por, në raste të veçanta, edhe shumat kolosale të parave. Me një fjalë të gjitha mjetet e mundshme dhe sipas parimit: çdo shputë të ketë këpucën dhe çdo kokë kapelën përkatëse.

Rezultatet po i shohim. Por, të merremi vesh: gjërat nuk duhet përgjithësuar, jo çdonjëri nga të larguarit ka marrë para apo i është gjunjëzuar shantazhit. Sepse ka në mesin e tyre aktivistë të devotshëm që ishin krenaria e Lëvizjes Vetëvendosje. Për të qenë deri në fund i paanshëm, po përmend, spontanisht, dy prej tyre që i njoh vetëm përmes mediave: Fisnik Ismailin dhe Driton Çaushin. Jam krejt i sigurt se këta djem janë pasqyrim i idealizmit urban të Kosovës dhe nuk mund ta imagjinoj që këta t’ia fusin thikën subjektit që i kanë dhënë më të mirën e tyre – talentin, ndershmërinë dhe vetëmohimin. Me zemër.

Fisnik Ismaili, të cilin janë përpjekur ta demonizojnë në të gjitha mënyrat, është një artist i njohur. Një djalë i Kosovës që, kur e ka lypë nevoja, i ka lënë të gjitha, komoditetin londinez, mundësitë për ta vënë gjithandej në spikamë talentin e tij të padiskutueshëm, familjen etj., dhe ka ardhur të luftojë me pushkë në dorë për Kosovën. Më kujtohet si sot një manifestim te pika doganore afër Bujanocit, kur djemtë dhe vajzat e Lëvizjes Vetëvendosje kundërshtonin vërshimin e mallrave të Serbisë në Kosovë. Ishte një dimër i egër e me borë dhe disa jeniçerë të prontomafisë, duke keqpërdorur kriminalisht uniformat e shtetit, iu gjuajtën në shpinë Fisnik Ismailit dhe e rrotulluan kafshërisht nëpër borë. Pasi ia lidhën duart, autori i Newbornit, u tha me një zë qortues:

«Mosni more djem se kam luftu’ për këtë vend!» Nuk ka shqiptar që e ka parë këtë skenë të shëmtuar e që nuk i janë mbushur sytë me lot nga zemërimi, sepse ishte një shembull i neveritshëm se si prontomafia nëpërkëmbte e shqelmonte para krejt botës jo qytetarin Fisnik Ismaili, që me shumë të tjerë demonstronte paqësisht, por idealizmin e Kosovës që ata përfaqësonin me shumë dinjitet.

Të abuzosh me miqësinë e Fisnik Ismailit, Driton Çaushit, të djemve të heroit të Kosovës, Isa Kastratit dhe shumë të tjerëve si këta, për t’i futur në beteja të nëndheshme e të pista politike për hesape të prontomafisë dhe të Serbisë është krim që nuk e lajnë as Drini, as Ibri.

Në një analizë serioze, nuk duhet harruar as përgjegjësinë e Albin Kurtit, i cili, ani se subjekti që kishte themeluar ai me disa të tjerë, po pësonte një tërmet shumëballësh, sillej thua se nuk po ndodhte asgjë. Zëri i tij u dëgjua vetëm kur Vetëvendosjes i doli flaka nga të gjitha anët. Ndërkohë që aktivistët e shumtë të VV-së meritonin, qysh në fillim, një sqarim të qartë, sepse ishte fjala për shtëpinë e tyre. Nuk është tepër vonë as tash që Albin Kurti, jo vetëm ta sqarojë anëtarësinë për hisen e përgjegjësisë së tij por edhe të japë premtimin e prerë se nuk do të lejojë më që ai me 2-3 të tjerë t’ua imponojnë, siç doli nga polemikat e protagonistëve nëpër medie, vendimet e tyre organeve më të larta të Lëvizjes.

Tollovia në Lëvizjen Vetëvendosje u bë objekt i analizave më të ndryshme, i lajmeve sensacionale, i ushqimit me dezinformata të opinionit të etur për skandale. Por pati fare pak analiza të mirëfillta që do të sqaronin me argumente kundërthëniet publike në Vetëvendosje, e sidomos shkaqet dhe pasojat e tyre. Faktori i jashtëm nuk u përmend gati asnjëherë!

Për të mos e ngarkuar këtë analizë me citime të shumta duhet përmendur dy analistë që përfaqësojnë mendime krejt të ndryshme të analistëve të shumtë: Blerim Latifi, filozof, i njohur si mbështetës i Hashim Thaçit e i Kadri Veselit, në njërën anë, dhe Agon Hamza, po ashtu filozof, por pa zgjedhën e politikës në qafë, në anën tjetër. Në vështrimin e tij «Dilema bolshevike e Vetëvendosjes», botuar në Express, më 3 janar 2018, Latifi, me cinizëm, e çon lexuesin te përçarjet e partisë së Lenin-Stalinit, të gati para një shekulli, por duke i kokëpërmbysur tezat: «E gjithë historia e bolshevizmit rus», thotë Latifi, «është produkt i dilemës në mes lidershipit kolektiv të partisë dhe lidershipit autokratik të saj». «Kulti i personalitetit do të thotë besimi në gjithëditurinë, gjithëmirësinë dhe pagabueshmërinë e udhëheqësit. Në fjalorin tonë patriarkalo-fisnor këtij kulti i themi . Ajo që sot po ndodhë në Vetëvendosje është një përsëritje, në formë të butë dhe komike, kuptohet, e këtyre situatave të praktikës së partive të dikurshme komuniste. Albin Kurti duket se ka vendosur t’i japë fund lidershipit kolektiv në Vetëvendosje dhe ta zëvendësojë atë me lidershipin e vet autokratik…».

E vërteta është krejt ndryshe: Albin Kurti kërkonte që, në një proces të hapur demokratik, sipas parimit, një anëtar-një votë (i vetmi subjekt në Kosovë që zbaton këtë parim), dhe në përputhje të plotë me statutin e Lëvizjes Vetëvendosje, të konkurrojë, pra të jetë një kandidat i mundshëm për kryetar të saj. Ndërkaq, kundërshtarët e tij kishin vetëm një kusht: që Albin Kurti të mos konkurronte. Pra, një anëtari të LVV, i mohohej e drejta më elementare e garantuar me statut: të zgjedhë dhe të zgjidhet! Dhe për t’i shkuar deri në fund analizës bolshevike të Blerim Latifit, Dardan Molliqaj po na del të jetë Leon Trocki i Vetëvendosjes, ndërsa Albin Kurti – Stalini i saj!

Çuditem se si është e mundur që një profesor universiteti, që ka pasur mundësi ta lexojë Voltaire dhe Sartrin, të jetë, në këtë masë, politikisht, intelektualisht e moralisht i çakërdisur. Ndërkaq nga shkrimi i tij, po del se ideator i dacibaove «nuk ka babë, por ka ide!» nuk qenkësh ndonjë partizan i Molliqajt, por Vishinski, alias Eduard Kardeli i Kadri Veselit, dora vetë.

Qasje krejt të ndryshme ndaj përçarjes në Vetëvendosje kishte «kolegu» i Blerim Latifit, Agon Hamza, i cili në analizën e tij «Njëherë si farsë, pastaj si komedi» (Koha ditore, 17 mars 2018), ndër të tjera, shkruan:

«Është goxha simptomatik fakti që pas leximit të vëmendshëm të letrave të dorëheqjes, nuk arrihen të kuptohen arsyet politike të këtyre largimeve nga organizata. Nuk ka një platformë, nuk ka një ide, nuk ka parime dhe orientim politiko-ideologjik që i jep kuptim politik idesë së shkëputjes. Kjo shkëputje nuk është ndarje. Po të ishte e tillë, do të mundë të flisnim për sektarizëm, i cili minimalisht presupozon një orientim bazik ideo-politik.

Asnjë dorëheqje e vetme nuk arrin të artikulojë politikisht dorëheqjen. Të gjitha arsyetimet janë të artikuluara mbi premisa morale, përvoja individuale, spekulime mbi të ardhmen që nuk erdhi kurrë, dhe disa ekskursione pseudo-teorike, sikurse parulla ».

Kur flitet për përçarjen në Vetëvendosje, duhet vënë në spikamë përgjegjësinë dhe moralin e munguar të mediave tona. Sepse ato, të thuash, en bloc, mbështetën të dorëhequrit, pa kërkuar gati asnjëherë prej tyre që të shpërfaqin platformën e tyre ose, të paktën, një analizë vetanake për veprimet politike të subjektit, të cilin ata realisht e udhëhiqnin vetë!

Një faktor tjetër që nuk duhet harruar, janë rrjetet sociale, të cilat kanë luajtur një rol veçanërisht të pistë. Është fjala për brigadat e snajperistëve të dreqit e të birit, por në rastin konkret, kryesisht të SHIK-ut, të cilët me emra të saktë e të rrejshëm, në mënyrë të organizuar, prej vitesh e ndotin ambientin shqiptar me broçkullat e tyre diabolike. Në një masë është fjala për psikopatë, që gjëllijnë në llumin e ligësisë së vet, e të cilët janë mbërthyer prej vitesh në zgjedhën e kriminelëve të veshur me pushtet dhe nuk lënë gjë të zezë pa bërë dhe pa thënë.

Tollovia në Vetëvendosje për këta lugetër të internetit ka qenë një karneval festiv për të dëshmuar aftësitë e tyre prej piromanësh. Një ekspert që merret me fenomenin e urithve të internetit, më ka thënë se kishte identifikuar të paktën dy grupe që, në mënyrë të organizuar, kanë marrë pjesë në fushatat përçarëse me objektiv shpartallimin e Lëvizjes VV. Njëri grup që ka sulmuar të dorëhequrit, ndërsa tjetri që i ka mbrojtur. Ai kishte konstatuar në mënyrë absolute se të dy grupet praktikisht punonin prej vitesh për të njëjtin padron, SHIK-un.

Debati i munguar

Përçarja në Lëvizjen Vetëvendosje ishte atipike. Këtu, siç u përmend disa herë, nuk ishte në pyetje një platformë, një pikëpamje, një vijë tjetër, siç do të duhej të pritej në një subjekt politik. Me një fjalë nuk kishte debat mes protagonistëve as në strukturat e Lëvizjes e as në medie. Të dorëhequrit kishin vetëm një kusht, madje në formë shantazhi: Albin Kurtit duhej ndaluar kandidimi për kryetar të Lëvizjes!

Pikërisht ky fakt mund t’i zhvesh të dorëhequrit nga çdo moral politik dhe qëllimet e perspektivën e tyre i bën të duken të dyshimta. Me këtë, ata rrezikojnë të varrosin perspektivën e tyre politike. Sepse janë larguar me shijen e keqe. Siç dihet, mospajtimet janë gjëja më normale sidomos në politikë. Dhe ato nuk duhet fshehur, sepse janë pjesë e «ujësjellësit» që freskon mendimin e çdo subjekti politik dhe eviton përgjumjen e tij.

Në këtë vijë një debat i fortë brenda strukturave të Vetëvendosjes, për të gjitha çështjet, qoftë edhe duke kontestuar njëri-tjetrin do të ishte shumë i shëndetshëm për jetën politike në Kosovë, do ta ndihmonte VV-së të qartësojë taktikat dhe objektivat e saj, do t’u ndihmonte të dorëhequrve të jenë dhe të duken më të besueshëm. Përfundimisht do të dëshmonte se të dy taborret janë demokratë të mirëfilltë dhe se nuk është fjala për luftë bërrylash, por për përballje pikëpamjesh për çështje tepër serioze.

Temë e këtij debati do të duhej të ishte, ta zëmë, sidomos çështja e bashkimit kombëtar, të cilin Lëvizja Vetëvendosje e nxjerr në pah si temë qendrore, nevojë e panevojë. Ndërkohë që, si subjekt politik vital që është, mjerisht i vetmi i tillë në të gjitha hapësirat shqiptare, para se të flasë për bashkimin kombëtar – së pari do të duhej të përqendrohej në shtetformimin definitiv të Kosovës, dhe, njëherit, ta thotë me zë të lartë një fakt që flet më shumë se çdo parullë politike: Bashkëpunimi ekonomik i Shqipërisë është shumë më i gjithanshëm dhe shumë me intensiv me Serbinë se sa me Kosovën!

Ky realitet kërkon një shpjegim, një analizë të thellë sepse, detyrimisht, shtrohet pyetja: a mund të bashkohesh me dikë që me fjalë thotë po, ndërsa në vepër e bën sistematikisht krejt të kundërtën? Pa folur këtu për rolin destruktiv të shtetarëve të Tiranës në bisedimet e fshehta me Beogradin për ndryshimin e kufijve të Kosovës, që është një temë tjetër, por që çdo shqiptar e shqiptare do të duhej ta shqetësonte seriozisht.

Një temë tjetër për një debat serioz brenda VV-së, dhe jo vetëm brenda saj, do të duhej të ishte sidomos çështja e religjionit te shqiptarët, konkretisht rreziku që paraqet për ne islami politik. Është fjala për një murtajë që përpiqet në të gjitha format të na imponojë mendësinë, sjelljen, traditën dhe veshjen e një civilizimi tjetër, të huaj dhe të rrezikshëm për ne. Ai që nuk e kupton se islami politik është po aq i rrezikshëm për shqiptarët sa edhe kleri ultranacionalist ortodoks serb, ai nuk e njeh Kosovën, nuk i njeh sfidat me të cilat ajo dhe shqiptarët kudo që janë do të përballen gjithnjë e më shumë.

Definitivisht, ai subjekt politik që nuk është i qartë dhe i vendosur në këtë pikë, nuk duhet të lejohet të udhëheqë Kosovën. Pra, kishte dhe ka përplot tema po aq të rëndësishme që një subjekt politik serioz, siç është VV, do të duhej t’i debatonte në vazhdimësi.

Të dorëhequrit e kanë huq më se njëherë këtë rast, sidomos duke u larguar nga logu pa asnjë sqarim të besueshëm dhe sidomos pa lamtumirë.

Përfundim

Minimi i Lëvizjes Vetevendosje është një shembull shkollor se si në një shtet të kapur nga mafia të gjitha mjetet janë të lejueshme; se çdo kundërshtar i pushtetit posa të hapë gojën do të përballet me strukturat e kriminalizuara të shtetit. Dhe rezultati i kësaj përballjeje dihet. Implikimi i personave që punojnë në organet e shtetit, në organet vitale të tij, në një veprimtari kriminale me qëllim shkatërrimin e një subjekti legal politik është tepër i rrezikshëm, sepse cenon seriozisht themelet e rendit kushtetues, rrezikon perspektivën e vendit, krijon bindjen se në Kosovë gjërat nuk do të ndryshojnë kurrë, se ajo është zaptuar përgjithmonë nga një klan që u shkojnë skeletet mbas, deri në varr.

Mjafton një analizë e përciptë për të kuptuar se asgjë që ndodhte në VV nuk ishte e rastit. Çdo gjë ishte e koordinuar; përhapja e thashethemnajës, amplifikimi i saj përmes mediave mercenare që mbështesnin pa hamendje të dorëhequrit, arrestimi i Albin Kurtit në kulmin e përçarjeve, fushatat e rrjeteve sociale etj., kishin për qëllim përshkallëzimin e krizës në këtë subjekt, përthellimin dhe zgjatjen e anarkisë. Ndërkohë që kryetari, të cilin krejt opinioni e dinte për burrë serioz, me papërgjegjësi të pabesueshme, shpërfillte organet e partisë më të madhe në vend, me qëllimin e vetëm që vetes dhe të dorëhequrve të tjerë t’ua servonte fitoren në pjatë.

Krejt kjo histori i ngjante një komploti të shëmtuar me pjesëmarrjen e funksionarëve të shtetit. Ishte një përpjekje kriminale për përmbysjen e demokracisë së re të një shteti të brishtë, të mbërthyer keq nga mafia.


Loading...
loading...