Mos duartrokisni piromanët!

 

Të nderuar qytetarë të Komunës së Strugës, ditëve të fundit jemi dëshmitarë të një akti të shëmtuar që solli djegien e deponisë së qytetit për tre ditë rresht. Administrata komunale, Njësia e zjarrfikësve dhe kompania që mirëmban deponinë, për tre ditë rresht po mundohen të largojnë problemin. Shqetësimet e qytetarëve janë të kuptueshme dhe çdo kritikë e pranueshme. Por në mediat lokale, persona dhe subjekte të caktuara të njohur për opinionin strugan, po përpiqen të përfitojnë nga kjo fatkeqësi, deri në atë shkallë sa që duartrokasin edhe piromanët.

Të nderuar, Komuna e Strugës mban përgjegjësi të plotë për menaxhimin me deponinë e qytetin dhe pranon fajin mbi çdo problem të shkaktuar prej saj dhe që mund të evitohet nga ne, por Ju lutemi mos duartrokisni dhe mos bëni tifo për piromanët. Komuna nuk mund të mbajë përgjegjësi edhe për ato që i vënë flakën deponisë, apo edhe palmave nëpër qytet, djegien e kontenjerëve brenda qytetit dhe djegien e karrikeve nëpër shëtitore dhe pranë plazhit.
Të gjitha këto bëhen qëllimshëm dhe me porosi nga dikush që nuk ia do të mirën Strugës dhe që i pengon menaxhimi më këtë komunë. Për katër vite rradhazi, disa herë i është vënë zjarri deponisë, janë djegur disa kontenjerë nëpër qytet, janë shkatërruar e djegur dhjetra ulëse në shëtitoret e qytetit, palma e pemë në pronë publike po digjen përditë e së fundmi po digjen edhe tallat e kallamet në bregun e liqenit. Të gjitha këto raste vazhdimisht paraqiten në organet e rendit.
-A e dini se sa persona për këto 4 vite janë kapur dhe janë dënuar nga policia?!
-Zero!
Askush nuk është dënuar!

Të nderuar, e kuptojmë shqetësimin Tuaj dhe Ju ftojmë që bashkë ti luftojmë ngjarjet e tilla dhe të protestojmë së bashku kundër zjarreve.
Ju e dini se këtë deponi, kjo strukturë e administratës komunale e ka trashëguar nga administrata e kaluar lokale. Ju zotërinj duhet ta dini se problematika e tillë zgjidhet përmes institucioneve të pushtetit qëndror si Qeveria dhe Ministria e Ekologjisë.
Ne si komunë jemi zotuar që të njejtën ta dislokojmë në Mali Vllaj dhe po bëjmë përpjekjet maksimale edhe përkundër pengesave të mëdha nga pushteti qendror.
Komuna e Strugës është e gatshme dhe e hapur të japë llogari për çdo problem që i tangon qytetarët e saj dhe i fton të gjithë faktorët relevantë që të mos bëjnë politikë në kurriz të qytetarëve të Strugës.

Komuna e Strugës


Loading...
loading...