Ne budallejt

Nga Edison Ypi

Ne budallejt në takim me ju të squtët vijmë gjithmonë disa minuta para. Ju qerratenjt në takim me ne budallejt vini gjithmonë me vonesë.
Ne budallejt themi atë që mendojmë dhe e besojmë atë që na thoni. Ju skilet nuk thoni atë që mendoni dhe nuk e besoni atë që ne budallejt j’u themi.
Ne budallejt kemi bindjen se Italia është më afër se Arabia. Ju të inteligjentët thoni se Pakistani është më afër se Alaska.
Ne budallejt e kemi rë qartë se ata që mbajnë në këmbë ekonominë janë biznesmenët. Ju pehlivanat thoni proletarët. Thoni si të doni, veç mos u habisni kur lumpenat të zbresin në shesh të xhvasin gjithçka pa bërë asgjë.
Ne budallejt e kemi të qartë se analistat televizivë të së enjtes mbrëma janë pararoja e dallavereve dhe hajdutllëkut. Ju kopilat këtë bëni sikur nuk e kuptoni. Sytë j’u dalçin. Juve dhe atyre.
Ne budallejt përdorim nja treqint fjalë kur flasim dhe nja dy mijë kur shkruajmë. Ju eruditët as flisni as shkruani. Derisa të mësoni ca fjalë ju të squtët, do vazhdojmë të dërdëllisim ne budallejt.
Ne budallejt që nuk kemi asgjë dhe nuk fitojmë asgjë, faturën tatimore për çikërrimat që blejmë, e marrim. Ju që keni gjithçka, faturë tatimore as merrni as e jepni.
Ne budallejt nuk vjedhim. Ju gjenialët vidhni. Po të vidhnim ne, budallenj do ishit ju.
Ne budallejt lexojmë poezi. Madje ka ndër ne budallejt ca super budallenj që poezitë i dinë përmendësh. Poezitë më të bukura për ne budallejt janë ato që flasin për dallimin kolosal mes jush dhe nesh.
Ne budallejt femrave u bëjmë komplimenta. Ju të squtët femrave u mbani leksione. Prandaj femrat ne budallenjve na falin pyllin poshtë barkut, juve noc rrokun.
Ne budallejt nuk ikim nga Shqipëria. Ju ikni. Veç një gjë duhet të dini; Duke ikur ju, ne budallejt që tashpërtash jemi pakicë, dalngadalë bëhemi shumicë. Kur të ndodhi kjo, ne budallejt që nuk ikim do bëhemi të squtë, budallenj do bëheni ju të squtët që do mbeteni këtu.
Ne budallejt e dimë që era, shiu, breshëri, toka, qielli, deti, malet, kodrat, lumenjtë, përrenjtë, u përkasin juve të squtëve, por bota është e ne budallenjve.


Loading...
loading...