Në Shqipëri edhe të vdekurit votojnë!

Shkruan: Adriana Istrefi

Gjithmonë kemi ëndërruar se një ditë Shqipëria jonë e vogël do të jetë një vend, ku të gjithë do të gëzonim, ashtu sikurse ardhja e demokracisë në kohët e trazirave. Ne kemi menduar se demokracia është shpresa jonë për të jetuar të paktën dy ditë si një qytetar i botës. Por ja që sot, gjendemi në një furtunë, ku ka humbur vetvetja, ëndrra dhe shpresa.  Ne jemi një popull ëndërrimtarë se gjithmonë kemi menduar se një palë këpucë të një marke të huaj dhe 50 euro në xhep do të na bënin fiks si qytetari i Perëndimit, sepse ne kemi ëndërruar gjithmonë të jemi diçka tjetër përveçse qytetarë të kësaj Shqipërie.

Ne u rritëm me ëndrrën se një qytetar model quhesh kur ke një dynym tokë dhe kështu arritëm të bëheshim vandalë të demokracisë për pak tokë sepse ëndrra jonë ishte e tillë, ne ëndërronim të ishim pronarë. Dhe menduam se u bëmë me ligjin 7501.  Por ëndrra jonë e qytetarllëkut u kris, pikërisht kur kuptuam se kishte plasur lufta me pronarët e vërtetë dhe kështu ëndrra jonë u shemb.

Shqiptarët ëndërronin, madje ëndrrat tona me sy hapur u kthyen në projekte idealizmi ndaj rrëmbyem rrobat e trupit dhe emigruam tej detit e oqeanit duke u bërë europianë të gomoneve dhe skafeve që iknin duke u zhdukur nën dallgë. Ëndrrat tona u rritën aq shumë saqë harruam shqipen, shtëpinë, familjen dhe identitetin.

Ëndrra jonë e demokracisë rritej brenda territoreve tona saqë në momentin kur kuptuam Shtetin, u gjendëm përballë komshiut me armë nëpër duar sepse liria pas totalitarizmit na mësoi se i lirë je, kur tregon forcën e krahut dhe armëve. Kishim jetuar një përrallë komunizmi dhe për të hedhur poshtë kultin e individit, ne përqafuam kultin e presidentit, kryeministrit dhe i faleshim partive duke pretenduar se po formonim Demokraci.StrugaLajm

Ne vazhduam akoma të besonim se demokracia ishte kjo, madje ne ëndërronim kaq shumë saqë mikpritjen e shqiptarit e kthyem në bankete e qerasje për fondacionet e huaja që vinin këtu duke na bërë moral. Ne ëndërruam se ky moral ishte rruga që të shpie në Europë dhe shitëm çdo gjë, duke mbetur pa ëndrra. Por ëndërrat tona u kthyen në makthe të pushtetit, dhe ëndrrat filluan të na blenin ne.

Ëndrrat e shqiptarit rriteshin me mendimin se pushteti ishte demokracia e ndërsa lufta ishte ajo e kapitalizmit. Europa nisi të thurte ëndrra për ne duke përjetuar edhe njëherë iluzionin e ëndrrës se demokracisë. Sot ëndrrat tona janë kthyer në një totalitarizëm të shoqërisë. Sot jetojmë në një shoqëri shqiptare ku të bësh një vepër të mirë të quajnë të marrë, të protestosh të quajnë të çmendur dhe të mos ngrihesh për asgjë të shajnë pse nuk u ngrite? Ku edukimi është ç´edukim sepse shkolla e rrugës është ligji i të fortit e ndërsa librat janë thjesht aksesorë raftesh.StrugaLajm

Mjeku është thjesht një kasap, politikani është një hajdut profesionist, arkitekti një hidraulik dhe Mësuesi është shkatërrimtari i njerëzimit. Ëndrrat tona sot blihen lirë.

Sot shqiptarët ëndërrojnë për një asistencë për të mbajtur shpirtin gjallë, ëndërrojnë për thesin e miellit saherë votohet, ëndërrojnë për të bërë një foto me ndonjë deputet, ëndërrojnë të shajnë me fis për partitë politike, ëndërrojnë një punë në shtet pa u rritur, ëndërrojnë një doktoraturë për tu bërë të ditur, ëndërrojnë të bëhen gazetarë për të fituar një reklamë në portale, ëndërrojnë të jenë shkencëtarë në një pirg mbeturinash dhe gjithologë.

Ëndrrat tona sot janë shuar, madje sot ëndërrohet për një çmim partiak. Ne kemi humbur besimin, vlerat dhe moralin. Tek ne armiqtë e shteteve shihen si filantropë, organizatat si bankomate,  universitetet si diplomore, shteti si xhandarmëri. Tek ne, ligji është thjesht një paragraf me fjali që dënon të varfërit, komisionet janë thjesht gjyqe publike, televizioni është propaganda e ndërsa fjala e lirë quhet turp.

Ëndrrat e shqiptarëve nuk janë më revolta për demokraci, por sot një popull revoltohet për Kryetarin e Partisë dhe jo për të drejtat e tyre. Në shoqërinë shqiptare të gjallët dhe të vdekurit janë të barabartë madje nëpër zgjedhje, të vdekurit votojnë. Sot tek ne edhe vdekja është kthyer biznes, të gjallët blejnë varre për vdekjen e tyre akoma pa vdekur dhe ne endemi akoma rrugëve të Europës duke shpresuar…

Ëndrrat sot nuk kanë më moral, nuk kanë më liri, nuk kanë më shpresë… ëndrra europiane, ëndrra amerikane, ëndrra gjermane na kanë thithur, skllavëruar me ëndrrën e pushtetarëve tanë që luajnë me fatet e shqiptarëve duke e kthyer dështimin në sukses dhe demokracinë një reformë që nuk reformon dot shpirtrat njerëzorë… dhe ja ku jemi me ëndrrat e thyera për të ngjallur demokracinë që kurrë nuk e jetuam gjer më sot.

In : Aktuale

Loading...
loading...