Reklamo ketu!

Ne kemi politikanë që duhet ‘mjekuar’, e jo votuar!

Shkruan: Kim Mehmeti

Kryeministri i Shqipërisë i shkruan letra opozitës dhe duket sa nuk e ka shkruar letrën më të sinqertë që ua ka borxh shqiptarëve, e nëpërmjet të cilës do ua thotë të vërtetën se gjithë këto vite ai është tallur me ta. Dhe pse të mos shkruaj letra kur kaluan gjashtë vite e shqiptarët nuk ia dolën ta ‘lexojnë’ të vërtetën se vendi ende drejtohet dhe kontrollohet nga ‘mafia’ leniniste e enveriste dhe se Kryeministri i sotëm i Shqipërisë është vetëm i ‘deleguari’ i kësaj ‘mafie’.

Pasi i dështoi copëtimi i vendit, Presidenti i Kosovës vazhdon të tallet me popullin e vet, duke e argëtuar tani me idenë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Dhe pse mos tallet me ne që na ka mbërthye heshtja, me çka i ngjajmë në mendjelehtë që nuk e kanë kuptuar se kanë rënë në duart e disa ‘komandantëve’ të deridjeshëm, e politikan të sotëm, që duan t’u takojë edhe lavdia e djeshme edhe pasuria e sotme, e të cilët nuk e kanë kuptuar se kur je injorantë dhe i pavlerë, si dhe kur ‘lavdinë’ e djeshme e përdorë si ‘kartë-kredie’ për ta mbuluar hajninë dhe për ta blerë të sotmen politike, herdo-kurdo ‘kartela’ të zbrazet dhe përballesh me të vërtetën se nuk ka pasuri apo pushtet, që ta mbulon ‘varfërinë’ morale dhe njerëzore

Pas thuajse dy dekadave vasalizëm ndaj partive maqedonase dhe, pas një dekade pjesëmarrje në regjimin antishqiptarë VMRO-BDI, Bashkimi Demokratik për Integrim paralajmëron ‘vejting’ për funksionarët e saj, me qëllim që të largohen të korruptuarit dhe ata që kanë lidhje me krimin, duke vazhduar kështu me përbuzjen e intelegjencës së shqiptarëve të Maqedonisë! Dhe mbase ka të drejtë të sillet me mospërfillje ndaj popullit të vet, sepse shqiptarët e këtushëm shkelën mbi çdo gjë të vlefshme që kishim, duke e lënë fatin e vet në duart e banditëve partiak që lejuan të ndodh ‘Sopoti’, ‘Brodeci’, ‘Monstra’, likuidimi i Harun Aliut me shokët, rasti i Kumanovës…, e që sot lëvdohen se janë pjesë e ‘qeverisë reformuese’ dhe që paturpshëm shtiren se nuk e dinë se i prodhoi, i forcoi dhe i bëri të pushtetshëm regjimi kriminel DPMNE-BDI!

Po pra, shqiptarinë e kanë ngulfatur politikanët si Kryeministri aktual i Shqipërisë, të cilët posa bëhen burrështetas, e humbin pushtetin mbi vetveten! Dhe si të tillë, çdokund rreth vetes, ata shohin individ me të meta fizike e mendore, e me të cilët mund të tallen sa të duan, e kur të duan. Pra si të tillë ata çdokund shohin kazanë ku kalben kundërshtarët e tyre politik, si dhe tepsi me bakllava, që u takon vetëm atyre.

Politikanët e tillë ia dolën që paturpësinë, papërgjegjësinë dhe krimin t’i ngrenë në ‘vlera’ politike, me çka debatin politik e zbritën në rrafshin e zënkave nëpër plazhet nudistike dhe nëpër bordele. Dhe ndodh që politikanët e tillë të jenë zbavitës dhe ekzotik për perëndimorët, por fatkeqësi e madhe e popullit dhe vendin që drejtojnë, ngaqë kanë tipare të kundërta nga ato të qenit besnik: u lëpihen të huajve dhe e lehin dhe e kafshojnë të vetin!

Shqiptarisë nuk i mungojnë as burrështetas të llojit të Presidentit të sotëm të Kosovës, i cili shtetin e sheh si pronë të veten private. Dhe duke e konsideruar vendin si pasuri të veten, ata besojnë se edhe kufijtë e tij ndërrohen si ato të livadheve që i ke trashëguar nga të parët e tu! Dhe ndërtojnë shtet të pabanueshëm për popullin , por parajsë për të afërmit e tyre.

Nëpër ‘Shqipëritë’ tona ka shumë politikanë, të ngjashëm me drejtuesit e BDI-së, të cilët besojnë se posa e vë kravatën e politikanit, nga injorant bëhesh më i mençuri i botës! Dhe politikanët e tillë jo vetëm që e marrin në qaf popullin, por duan ta arrijnë të pamundurën: tu takojë edhe lavdia edhe hajnia!

Thënë shkurt e shqip: ‘Shqipëritë‘ tona ende drejtohen dhe kontrollohen nga ‘mafia’ leniniste e enveriste, ato kanë përplot politikanë që duhet mjekuar e jo votuar, që janë fati i fqinjëve tanë dhe i të huajve, por fatkeqësia jonë! Andaj duhet që një ditë e më parë atyre me ligj t’u ndalohet të merren me politikë! Dhe këtë duhet bërë edhe kur kjo nuk u pëlqen miqve tanë perëndimorë, të cilët kanë filluar të besojnë se shqiptaria është një kopsht i mbrojtur nga mjeranë të paaftë ta njohin dhe ta murojnë mirëqenien e vet.