Nikolla Gruevski:Jam i lodhur, të gjitha dyert më janë mbyllur

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në mbledhjen e komitetit ekzekutiv të mbajtur të martën në mbrëmje i ka njoftuar anëtarët që të përgatiten për në opozitë. Siç merr vesh gazeta KOHA nga burime partiake, Gruevski ndërkohë ka dhënë urdhër për mospendimin e procedurës së zyrtarizmit të Talat Xhaferit për kryetar Parlamenti dhe shpalljen e vendimit në Gazetën zyrtare. Të njëjtat burime partiake thonë se paraprakisht gjatë mbledhjes, ish kryeparlamentari Trajko Veljanovski prerë i ka thënë Gruevskit se nuk do të ulet më në karrigen e kryesuesit të senacës, kurse më vonë ai ka mbledhur gjësendet e veta nga kabineti. Anëtari tjetër i komitetit ekzekutiv, Nikolla Popovski, ka thënë se nëse para të enjtes së dhunshme 95 për qind e ndërkombëtarëve nuk na kanë mbështetur, tani 195 janë kundër nesh. Ka folur edhe Gruevski, i cili përveçse ka thirrur anëtarësinë të përgatitet për dorëzim pushteti, ka kërkuar që anëtarët e Komitetit të bisedojnë me bazën dhe të mundohen që të njëjtën ta mbajnë homogjene dhe të mos përçahet. Jam i lodhur, ka thënë Gruevski, ndërsa ka treguar se tre muajt e fundit, asnjë përfaqësues ndërkombëtar nuk ka pranuar ta takojë. Madje, Gruevski ka thënë se asnjë kërkesë e tij për vizita zyrtare jashtë vendit nuk është miratuar, ndërsa u ka thënë anëtarëve të Komitetit ekzekutiv që nga mesi i këtij muaji, edhe zyrtarisht VMRO do të kalojë në opozitë. Ai është treguar i gatshëm të tërhiqet nga posti i kryetarit ndërsa këtë ka paralajmëruar ta bëjë në Kongresin e jashtëzakonshëm që pritet të ndodhë shumë shpejt. Në ndërkohë, në VMRO tashmë kanë nisur të liferojnë emrat e mundshëm për zëvendësues të Gruevskit në postin e kryetarit. KOHA merr vesh se ndër më të përfolurit janë emrat e dy ministrave, atij për Punë të Jashtme, Nikolla Popovski dhe ai i Shëndetësisë, Nikolla Todorov. Në lojë është edhe emri i deputetit Vllatko Gjorçev, megjithëse për këtë të fundit nuk ka disponim të mirë në VMRO. (koha.mk)

Loading...
loading...











Loading…


loading…