Një Çernobil i vogël lokal në Strugë-Agim Vinca

Nga Agim VINCA

Të nesërmen e ardhjes në pushime në Strugë (gjysma e dytë e korrikut), në mëngjes herët dola në ballkon dhe ndjeva erën e fortë të diçkaje të djegur. “Do t’i jetë vënë zjarri ndonjë koshi plehrash”, mendova. “Ndoshta është djegur bari i thatë i çerdhes së fëmijëve. Ose ndoshta nuk është në rregull diçka brenda banesës”.  Nuk ishte asnjëra nga këto, por diçka krejt tjetër: deponia e qytetit, që është problemi numër një i kësaj vere në Strugë dhe temë e përditshme e çdo bisede të banorëve të saj. Kisha dëgjuar dhe lexuar për problemin e deponisë së Strugës, por tani për herë të parë po e prekja me dorë, në të vërtetë me hundë! Dhe, për herë të parë në jetë ajri i Prishtinës, ku jetoj, m’u duk më i pastër se ai i vendlindjes. Hëpërhë, në fakt, edhe është i tillë, më i pastër, edhe pse Struga s’ka Obiliq as termoelektrana. Era e bërllokut të djegur, ku nuk mungojnë as kafshët e ngordhura, ndihet më shumë në qetësinë e natës dhe në orët e hershme të mëngjesit sesa në zallamahinë e ditës. Dhe më e keqja nuk është era e keqe, e pakëndshme, por fakti që këto janë materie toksike, helmuese. Erë të pakëndshme në Strugë prodhojnë në çdo hap edhe restorantet pa pajime përkatëse, por deponia prodhon helm që dëmton shëndetin e banorëve të qytetit buzë Drinit dhe veçanërisht të fëmijëve, grave shtatzëna, pleqve dhe të gjithë të tjerëve.

Deponia e Strugës po shndërrohet në një Çernobil të vogël lokal, që rrezikon një qytet të tërë. Dhe mendoni që ky është një qytet turistik, të cilit natyra i ka falur bukuri të rralla, të cilat dora e njeriut po i shkatërron për çdo ditë. Ajri i pastër, krahas ujërave të Drinit dhe të liqenit, janë vlerat me të cilat janë mburrur gjithmonë Struga dhe struganët, miti i tyre. Po tani? Ajri u ndot përfundimisht, kurse plazhet e liqenit dhe brigjet e Drinit po uzurpohen gjithnjë e më shumë nga bizneset e pangopshme… Struganët deponinë e kanë dhuratë nga ish-kryetari i komunës (tani ministër i BDI-së në qeverinë e Maqedonisë!) dhe dikush, natyrisht, duhet të mbajë përgjegjësi për të, por problemi i deponisë është në thelb problem mbipartiak. Ai u përket të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia etnike, konfesionale, politike dhe ideologjike. Ajri është i të gjithëve. Toka dhe uji, të lidhura ngushtë me të, gjithashtu. Strugës dhe banorëve të saj duhet t’u kthehet ajri i pastër si kusht për jetë normale.StrugaLajmStrugaLajm

Banorët e përhershëm të Strugës, por edhe ata që vijnë t’i kalojnë pushimet në vendlindje,  në radhë të parë mërgimtarët e shumtë nga kjo trevë, meritojnë të thithin ajër të pastër, ashtu siç meritojnë t’u plotësohen edhe shumë kushte të tjera: para së gjithash një jetë më e pasur e më të organizuar kulturore dhe, gjithsesi, edhe më cilësore. Të themi shkarazi se Struga është qytet pa kinema (salla ekziston, por në të nuk shfaqen filma) dhe pa librari. Në mes të qytetit 24 orë në ditë shiten libra fetarë, mevludë e ilmihalë, kurse shitësit ambulantë të librave letrarë, artistikë e shkencorë, që vijnë kryesisht gjatë sezonit veror nga Tirana e Tetova, vizitohen rrallë, shumë rrallë, edhe për shkak se janë të detyruar të zhvendosen në vende më pak të përshtatshme dhe të qëndrojnë pa “kulm” mbi krye. Të themi se në Strugë, që ta marrin vesh edhe ata që s’kanë pasur rastin ta vizitojnë në kohë të fundit këtë qytet, rreziten në diell jo vetëm njerëzit, por edhe librat. “Ferri” i Dantes me bestselerët e Den Braunit, romanet e Kadaresë me ato të Ben Blushit dhe libra të tjerë, me e pa vlerë, të tillë çfarë botohen për çdo ditë në Maqedoni (e gjetkë), ku ndodh të promovohen si “shkrimtarë” edhe njerëz që nuk e dinë mirë jo vetëm drejtshkrimin, por as alfabetin e gjuhës shqipe.StrugaLajm

Por kjo është një temë tjetër, që  do të duhej të trajtohej në mënyrë të veçantë në tërë kompleksitetin e saj.  Fjala më e shpeshtë që dëgjohet në Strugë këto ditë të nxehta vere është fjala deponi. Për deponinë flitet kudo: në rrugë, në kafene, në shtëpi e, madje, edhe në dasmat e shumta. Flitet e shkruhet ngapak për këtë problem edhe në shtypin lokal dhe në atë qendror në Shkup. Përpjekjet e pushtetit aktual vendor për t’i zbutur sadopak pasojat e problemit të trashëguar të deponisë (fikja e zjarrit, që shkaktohet me e pa qëllim dhe, si preventivë, rojat 24 orëshe), nuk kanë munguar, por  ky problem kërkon zgjidhje afatgjatë dhe të përhershme.  Nuk mungojnë as iniciativat qytetare, të shoqërisë civile: protestat, mirëpo në këto protesta marrin pjesë vetëm dhjetëra vetë, prandaj edhe ndikimi i tyre, sado pozitiv, është pothuajse i pahetueshëm. Struga, me pozitën gjeografike që ka dhe me bukuritë që i ka falë natyra, është dashur të jetë qytet ekologjik. E tillë ajo ka qenë, pak a shumë, në të kaluarën, në kohën kur mungonte liria, por jo pastërtia. Ndërsa sot, njëzet e shtatë vjet pas rënies së sistemit të dikurshëm represiv, në vitin 2017, për shkak të deponisë së egër, jolegale e të pastandarde, të ngritur në kënetën e dikurshme malarike, është shndërruar në një vendbanim me ajër të ndotur, të helmuar, me një fjalë në një mjedis toksik.  “Të kesh qejf të ikësh!”, thonë vëllezërit tanë të zeshkët të Ohrisë, ata që e mbajtën gjallë gjuhën shqipe në qytetin e lashtë të Gropajve atëherë kur “aristokratët” shqiptarë, të shndërruar së voni në “atdhetarë”, i shkollonin fëmijët e tyre maqedonisht.  Këtë shprehje, njerëzit e këngës dhe të qejfit, e përdorin për një vend ku njeriut nuk i pëlqen të rrijë. Të kesh qejf të ikësh nga Struga e jo të vish, për shkak të deponisë monstruoze, e cila, duke helmuar ajrin, ka nisur t’i helmojë gjithnjë e më shumë edhe shpirtrat e njerëzve.


Loading...
loading...