Një kërkim-falje

Është thënë se ndërgjegjja është dhuntia e vetëgjykimit, ndjenjës së pendimit dhe e keqardhjes kur ne bëjmë gjëra që janë kundër normave tona morale

Shkëlzen HALIMI

Rreth 2340 vjet më parë, mendja brilante e Aristotelit pati konstatuar se “shkëlqimi i moralit ndodh si pasojë e vesit. Ne bëhemi të drejtë duke bërë vepra të drejta, të përmbajtur duke bërë vepra të matura, trima duke bërë vepra guximtare”. Por çfarë mbeti nga ky konstatim 2340 vjet më vonë, pra në ditët e sotme. Sa shoqëria shqiptare në përgjithësi, e në veçanti protagonistët e politikës shqiptare, mund të krenohen se u ka mbetur diçka nga ky ves? Janë me qindra e qindra argumente që dëshmojnë se veprat e drejta, të matura dhe guximtare, tashmë rëndë realizohen ose, edhe nëse realizohen, kjo ndodh më shumë për shkak të një inercie të politikës ditore. Krejt kjo, si pasojë e mungesës se një kornize të qartë, të ndërtuar me letra të hapura dhe mbi verdiktin e popullit, me transparencë dhe e dukshme po nga populli, e jo që sajohet diku, prapa perdeve të zeza, ku shpejt e shpejt, bëhet një kornizë me dërrasa të kalbura dhe ku në sfond, brenda asaj kornize, qëndron portreti i interesit të ngushtë të një grupi, që ushtron zejen e manipulimit me emocionin e popullit.

Kur ndodh kjo e keqe, që tashmë është shndërruar në kod veprim dhe abuzimi, atëherë institucioni i ndërgjegjes bie në komë të thellë. Në fakt, është thënë se ndërgjegjja është dhuntia e vetëgjykimit, ndjenjës së pendimit dhe e keqardhjes kur ne bëjmë gjëra që janë kundër normave tona morale. Ndjenja të tilla nuk arrihen nga mendja, megjithëse ato mund të shkaktojnë që ne të “shqyrtojmë ndërgjegjen tonë” dhe t´i rishikojmë këto norma morale, ose ndoshta të arrijmë të shmangim përsëritjet e sjelljeve të tilla. Shumë njerëz mendojnë që ndërgjegjja është një shkallë e veçantë e vetëdijes njerëzore, që na shtyn, madje na detyron, nga shkaqe etike dhe morale, të kryejmë ose jo veprime të caktuara.

Pas pesë vjetëve, në një çerek lirie, pranë gjirit të tyre familjar, tashmë janë katër të pafajshmit e një procesi të montuar. Por, Hakiu, Fejziu, Agimi dhe Samiu, nuk do të jenë të qetë derisa e vërteta të dalë në shesh, derisa të zbulohen sajuesit dhe ekzekutuesit e kësaj shëmtie çnjerëzore. Paraqitja ”triumfaliste” e Gordana Jankollovskës (ish ministres së Punëve të Brendshme) dhe tajfës që qëndronte prapa saj, duke kumtuar se i kanë kapur “terroristët”, ende është e freskët.

Nëse diku ka ngelur një grimcë morali, një grimcë përgjegjësie, atëherë një kërkim-falje publike në adresë të të burgosurve të pafajshëm, familjeve të bastisura dhe maltretuara atëbotë, por edhe të burgosurve pas protestave që ndodhën si reflektim i kësaj ngjarje, do të ishte sado pak një shpëlarje e ndryshkut që ka kapluar ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare, në përgjithësi dhe protagonisteve të politikë shqiptare, në veçanti… (koha.mk)


Loading...
loading...