Një libër nga Shkëlzen Halimi, vepër që demaskon dalldinë për pushtet

(Shkëlzen Halimi: “Manipulimi i emocionit apo tranzicioni (shqiptar) në labirint”, botoi Logos-A, Shkup)

Xhevat HALILI

Në “honet” e fletëve të librit (publicistik) më të ri të Shkëlzen Halimit me titull, “Manipulimi i emocionit apo tranzicioni (shqiptar) në labirint”, janë përfshirë artikuj, shkrime, të shkruar, të botuar e të pabotuar, në periudha të ndryshme. Disa nga këta artikuj-shkrime kanë qenë të botuar në shtyp, të shpërfaqur nëpër portale në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri e gjetiu, ndërkaq disa sosh janë shpaluar në murin e fejsbukut të vetë autorit jo të rehatshëm. Të kësaj “milingone” që lëvron e nuk pushon së punuari, sa në poezi, në prozë, në dramaturgji e në publicistikë, sot e shumë vite më parë. Ky libër si i këtillë paraqet një vepër që do të plotësonte hapësirën e të ashtuquajturës ResPublica, të këtyre Dy Fjalëve për librin, që janë çështje pushteti, çështje e organizimit të jetës në shoqëri. Temat me të cilat rroket autori janë të nduarnduarta. Këto tema tani autori i vë si në një “tufë”, si bohçe sendesh të vlefshme. Megjithatë janë do fije që tiren në ind, që bëhen cohëra për kostume kombëtare, kuq e zi. Janë hallet dhe qorrollisja e njeriut tonë tok me subjektet politike në tranzicionin marramendës që birret nëpër labirinte të kohës e që neve, shqiptarëve, gjithandej po na kushton shumë shtrenjtë. Hamendjet dhe sorollatjet individuale dhe grupore janë pikat që i sulmon autori, me të vetmin qëllim të gjendet diagnoza për shërim sa më të shpejtë, sot se nesër mund të jetë vonë.

Kur është fjala për shqiptarët në Maqedoni autori thekson “domosdoshmërinë për të ndriçuar vizionin që aspirojmë”, ngjashëm me atë të shumë e shumë personaliteteve të Rilindjes Kombëtare. Të mos sillemi në “rrethin e mallkimit” si në legjendën shqiptare të murimit. Të vetëdijesohemi e të shporrim larg vetëmashtrimin në këtë hapësirë kaq të ngushtuar të agorës ku gjithsecili e njeh gjithsecilin. Alkimia e politikës si e tillë dhe ajo e politikës shqiptare në veçanti, nuk do të duhej të ishin caqe për standarde çoroditëse që me një të prekur me thupër ebaniti, të shndërrohet në pasuri personale apo grupore. Në këtë vijë u shmangën, u margjinalizuan apo u harruan krejtësisht vlerat e mirëfillta nëpër të gjitha fushat e jetës. Mungesa e ideve të shkoqitura mirë e mbarë, të përpunuara, të shndërruara në programe reale politike janë dobësi që vetiu kanë sjellë konfuzion në politikën shqiptare gjatë këtyre dy tri dekadave të shkuara. Një ecje somnambulë e paparë kund!StrugaLajm

Shkëlzen Halimi në librin e tij, më saktësisht në njërin nga artikujt, trajton edhe dukurinë e çekuilibrimit si strategji që ka çorientuar veprimin e politikës shqiptare këtu ndër ne. Kjo, thotë autori, ka qenë dhe mbase vazhdon të jetë, do të shtoja unë, metoda më e përshtatshme për të përçarë, për të rrënuar me djallëzi çdo gjë të ngritur me mund e sakrificë, ndërkaq si shembull ilustrues jepet “Afera e armëve” aq e përfolur të fillimet e viteve të nëntëdhjeta. Të kësaj natyre ose të ngjashme janë edhe dhjetra të tjera që si lëndë gjyqësore ngrehen zvarrë nëpër korridoret dhe zyrat e organeve përkatëse të (pa)drejtësisë, pa u zbardhur e pa epilogë.

Me kalimin e kohës shqiptarët dhe politika e tyre, thotë diku autori, për të shpëtuar nga vetvetja u “strehuan në kalanë e lakmisë (për pushtet e privilegje) dhe vetëpëlqimit” narcisoid, them unë. Kjo lakmi, kjo ëndje, kjo këndë e pasosur si krimb e vemje, do të brejë substancën e shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Kështu do të fillojë shmangia, largimi dhe ikja e të rinjve që nuk pajtoheshin me politikën e partizuar, punësimet me libreza partiake, e që nuk mund t΄i bënin rezistencë luftës së pakompromis, sidomos asaj mes llojit. Ky fenomen do të krijojë zbrazëti profesionale e më pastaj edhe hapësirë për injorancën me plot të dëgjueshëm dhe injorantë. Kjo, thotë më tutje autori, do të hapë dyert e ndërgjegjes të “zombit shqiptar në politikë” dhe gjetiu në të gjitha fushat. Shi për këtë zbrazëtia nuk mbushet e as plotësohet me zbrazëti, me kotësi e dëngla, me çatra-patra politike. Si te vepra “Vdekja e Akanit” të A. Demollit që me motive zë fill te Bibla, edhe te libri “Manipulimi i emocionit…! që do të shëmbëllente me Çështjen Kombëtare, spikaten tragjikomedia apo komedi-tragjedia politike e shqiptarëve në Maqedoni me plot lakadredha. Rroken këtu fytas fati i individit me dominimin e dyfishtë, me intrigat e pushtetit dhe të pushtetarëve mospërfillës të sojit tonë. Andaj, kjo politikë është e rrasët me mashtrime, ndërskamsa, truqe e veprime lakmitare të pista. Në këtë tufë tekstesh të shkruara me nge, të ngjeshura me mjeshtri, lexuesi i vëmendshëm e i kujdesshëm, duke lexuar katërcipërisht, do të hetojë kurthet dhe pusitë që ngrehen në politikë, e veçmas te kjo ndër ne që autori do ta emërtojë si “politikë biznesi”, “politikë anarkike”, “politikë e padefinuar”, “politikë lypsare”…ndërkaq unë do të shtoja emërtimet: politikë servilizmi e politikë vazalizmi (Sic!).StrugaLajm

Injoranca, diletantizmi, ambiciet e sëmura dhe epitete të tjera të kësaj natyre, Halimi do t΄i përdorë në shtrirjen e tërësishme të teksteve të librit për të nxjerrë përfundime logjikë-plota sesi operohej indi kombëtar shqiptar pa anestezion, meqë gjendja jonë ishte si në hipnozë. “Mendjet e robëruara” që në politikë u futën kinse për ta “shpëtuar” shtetin, deklarata këto që bëheshin përpara ndërkombëtarëve dhe veçmas trupit diplomatik të akredituar ose atyre të “shuttlediplomacy”- (shatëll diplomaci-së) si dhe mentaliteti anarkik me shumë gabime e faje, kanë dëshmuar se kjo shturë trumcakësh politikë, ky zhgan kusarësh e intelektualësh laramanë “pa dhembje e fundosën çështjen shqiptare”, që në kapërcyell të shekullit sa pati filluar të merrte të mbarën. Në “Demokracinë e xhunglës” u bë rrënimi i shoqërisë shqiptare. Periudhën e (palo)pluralizmit pas të nëntëdhjetave, autori do ta konsiderojë, me të drejtë, si “periudhë  e ngecjes së shoqërisë shqiptare”, shi kur u harrua apo kinse u harrua qëllimi i krijimit të vetë subjekteve politike. Dhe kjo, fatkeqësisht, prore vazhdon.

Politikë është vetë jeta. Me fjalë të tjera, politika me një energji negativiteti në këtë rreth kohor përfshiu çdo pore të jetës. Më së keqi e pësoi kultura, e cila me mendjelehtësi e vrazhdët u kuptua si “këngë që këndohet me dy-tri akorde”, shkruan diku në libër autori. Në mungesë e në pamundësi të dijes e të guximit, në skenë zhagun e mbajtën “defaxhinjtë”, “daullexhinjtë”, “zurlexhinjtë” me mbështetjen dhe përkrahjen e manipulueseve të strukur kruspull në limere hajdutësh, rrinë të tulatur nëpër strofka grupesh e grupimesh. Dhe, nga veprime të këtilla të padenja, u lindën demagogët që vunë në rrezik mirëqenien e të gjithë neve. Prandaj, ky tufan i furishëm i përgatitur që moti dhe i ndihmuar nga vetvetja solli dukurinë e akulturimit, një shpëlarje truri me pasoja të pariparueshme që ende, sot e sot, nuk ia shohim shenjat e këndelljes. Dhe nëse nuk angazhohemi e nuk bëhet luftë për demokraci sa më të thellë, për të mirë të popullit, asgjë nuk do të ketë kuptim. Në të kundërtën, angazhimet dhe veprimet pa përmbajtje, me folklorizëm të thatë e optimizëm të rremë, nuk paraqesin asgjë tjetër, veçse ambicie të sëmura, vanitete e kotësi, me të vetmin qëllim dëshirën dhe dalldinë për pushtet. Këto janë politikat e errëta të mbetura në labirint, e të cilat me qesëndi i gozhdon autori i librit dhe prej nga kuptojmë se politikanët e kësaj periudhe u shndërruan në personazhe që me kohë i përbuznin qytetarët.

Për fund të them se ky shtrim i çështjes është një si egzegezë me shpjegime përimtuese jo edhe sa duhet, por një sprovë e një lexim, mbase gjithsesi. Urojmë që autori në të ardhmen, me shkrimet e tija, të jetë edhe pakëz më i shlirë e më konkret në vlerësime, me qëllim që edhe lexuesi i rëndomtë të mund të komunikojë, po ashtu, me mendimin e “ngrehur” si velë lundrimi në oqeanin e jetës plot dallgë.


Loading...
loading...