Nuk është rastësi që Ali Ahmeti dhe krerë të tjerë të BDI-së notojnë në pasuri !


Nuk është rastësi që Ali Ahmeti dhe disa krerë të tjerë të BDI-së notojnë në pasuri marramendësi, ndërkohë që qytetarët ikin se nuk kanë më shtet që i do! Por tash pyetja madhore është: kush e ka drejtuar Ali Ahmetin drejt një strategjie të tillë?! A thua që të ketë qenë vet ai, apo është bërë marionetë, vegël e taborit të tij, si ndodhë rëndomtë me ata që rrinë në pushtet?!

Nga Dr. Arben TARAVARI

Nëse i hedhim një sy statistikave të atyre që e kanë braktisur këtë vend, me hir dhe me pahir, padyshim rezulton që 3 dekadat e fundit, regjistrojnë ikje rekord të qytetarëve, me një tendencë që ka njohur progres duke ecur para në kohë. Domethënë ata që e ka lëshuar vendin sa kanë ardhur dhe janë shtuar. Sigurisht që asnjë prej atyre që ka emigruar nuk e ka bërë këtë punë, sepse nuk po i pëlqente më tenisi në Maqedoni apo se zakonisht e premtja nuk durohej këtu! E kanë bërë për arsye shumë më racionale, objektive, bazike dhe vitale! Kanë ikur dhe ikin se nuk kanë para për bukë, se nuk kanë dinjitet, se nuk kanë punë dhe se fëmijët e tyre nuk kanë të ardhme! Domethënë kanë qenë dhe janë të detyruar të ikin! Po nga kush?! A është e mundur që realiteti i dekadave të fundit në Maqedoni të ketë qenë vetëm një rastësi?! Dmth a është e mundur që anashkalimi I të drejtave të shqiptarëve, militantizmi politik gati-gati si aderim në grupe terroristësh, shkatërrimi i sistemit të arsimit, shkatërrimi i sistemit shëndetësor të jenë vetëm rastësi?!

Kjo pyetje më kujton një gojëdhënë që e tregon një miku im, musliman i mirë, i cili sa herë takon jofetarë apo agnostik, me pak fjalë njerëz që nuk pajtohen me Zotin apo fenë, ai thotë: Dy miq ecnin me njëri-tjetrin. Njëri besonte shumë në Zot, falënderonte, lutej dhe falej kurse tjetri nuk besonte. Tjetri ngulte këmbë se gjithçka në këtë botë kishte qenë rastësi! Atëherë njëherë shoku musliman i tregoi një shtëpi në mes të shkretëtirës, e pyeti- si të duket? Tjetri që besonte në rastësi iu përgjigj i entuziazmuar se ishte një vepër arkitektonike e jashtëzakonshme, nuk ndalonte së lavdëruari arkitektin për mjeshtërinë e tij. Mirëpo miku i tij fetar, e ndërpreu duke i thënë- ah jo! Kjo shtëpi nuk është ndërtuar nga asnjë arkitekt! Është ndërtuar nga rastësia!

Një ditë pati një tërmet dhe u hapën themelet, pastaj rastësisht pati stuhi dhe erëra të forta që sillnin nga qielli rastësisht tulla, të cilat rastësisht vendoseshin në rend e mbi njëra-tjetrën, e ashtu rastësisht erdhi çdo gjë e detaj që e bënë këtë kryevepër… Shoku që deri dje kishte qenë ithtar i rastësisë pa me sytë e ndezur dritë nga rrëfimi i mikut të tij, dhe kërkoi falje për verbimin e tij me gënjeshtrën e rastësisë! E pra! Megjithëse është një rrëfim që dëshmon qartë ekzistencën e Zotit që është e qartë si uji, nga ana tjetër rrëzon fort dhe teorinë e Rastësisë!

Sepse, nuk mund të jetë rastësi që, gjatë kohës që Ali Ahmeti qëndron prej dy dekadash në pushtet, largohet numri më i madh i qytetarëve që kanë ikur ndonjëherë! Ai ka qeverisur keq dhe jo rastësisht! Nuk është rastësi që Ali Ahmeti dhe disa krerë të tjerë të BDI-së notojnë në pasuri marramendësi, ndërkohë që qytetarët ikin se nuk kanë më shtet që i do! Por tash pyetja madhore është: kush e ka drejtuar Ali Ahmetin drejt një strategjie të tillë?! A thua që të ketë qenë vet ai, apo është bërë marionetë, vegël e taborit të tij, si ndodhë rëndomtë me ata që rrinë në pushtet?! A është Ali Ahmeti një burrë i cili ka pastruar tokat nga shqiptarët, duke përqendruar sulme të paimagjinueshme ndaj tyre, sepse këtu e ka çuar strategjia amatoreske e tij, apo janë edhe më të thella punët?! Sigurisht që ky është një hetim që duhet t’a bëj dhe do e bëj patjetër Diplomacia Ndërkombëtare, në mos e ka bërë, por një gjë është e sigurt: Asgjë nuk është rastësi!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...