Nuk ka NATO dhe BE me 300 euro

 

Ajo që është më brengosëse për një shoqëri dhe shtet është se, ikja jashtë shtetit është kthyer në një modë dhe trend që ka kapluar jo vetëm profesionistët e të gjithë profileve, por edhe qytetarët që edhe këtu nuk ju mungojnë kushte solide materiale për jetesë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 11 maj – Biznesi kohën e fundit vazhdimisht ankohet se e ka mjaft vështirë të gjejë fuqi punëtore të kualifikuar. Nga ana tjetër, në periudhën e fundit – në vazhdimësi mund të dëgjojmë për ikjen e profesionistëve nga profesionet e ndryshme, ku për shembull – jo vetëm që ikin me qindra e qindra mjek apo motra medicinale, por kemi edhe dukuri që 30 vjeçarët marrin nga një diplomë të shkollës së mesme mjekësore dhe ikin për punë në Gjermani, shkruan gazeta KOHA.

Ekspertët thonë se Maqedonia e Veriut, ngjashëm me të gjitha shtetet e Ballkanit, ka një traditë të vjetër të kurbetit dhe se kjo nuk është një dukuri që por rrjedh prej dje, megjithëse vlerësojnë se ajo që është më brengosëse për një shoqëri është se ikja jashtë shtetit është kthyer në një modë dhe trend që ka kapluar jo vetëm profesionistët e të gjithë profileve, por edhe qytetarët që edhe këtu nuk ju mungojnë kushtet solide materiale për jetesë. “Është e ditur se migrimi nga Maqedonia e Veriut paraqet një proces që zgjat me dekada, mirëpo kohët e fundit të gjithë mund të vërejmë një trend tepër të madh të ikjes si njerëzve me fakultete ashtu edhe zanatlinjve, ku shpesh ikin jo vetëm ata që këtu nuk kanë të siguruar ekzistencën e tyre familjare dhe kanë paga të ulëta, por na ikin edhe ato qytetarë që nuk ka ndonjë zor të madh, por shkojnë si rrjedhojë e mungesës së perspektivës për ta dhe fëmijët e tyre, apo për shkak se nuk shohin ndonjë përmirësim më të madh të situatës ekonomike dhe politike në shtet”, thotë për KOHA, profesori universitar Neritan Turkeshi.

Sipas tij, pas përfundimit të proceseve të mëdha politike në shtet, tani është koha që të kemi rezultate më të mira në ekonomi dhe përmirësim të funksionimit të shoqërisë dhe shtetit në të gjitha sferat. “Të gjithë ne jemi edhe për NATO edhe për BE, mirëpo nuk shkohet në këto dy organizata të rëndësishme politike dhe ushtarake me 300 euro rrogë. Pra, duhet të rriten pagat më shumë që të joshim të rinjtë të qëndrojnë në vendlindje. Por jo vetëm kaq. Nevojitet të zbatohet edhe sistemi i meritokracisë, të stabilizohen rrjedhat shoqërore dhe politike që të kemi edhe një zhvillim më të madh ekonomik”, thekson Turkeshi.

Sipas tij, nevojitet një angazhim më i madh që të krijohet një ambient i favorshëm që do të shtyjë të rinjtë, që jo patjetër të mendojnë të marrin rrugën e mërgimit, por së paku një pjese e tyre të mendojnë se nuk e kanë patjetër të ikin jashtë për të qenë të suksesshëm. Nga ana tjetër, nuk ka rajon në shtet që nuk ankohet për mungesë të fuqisë punëtore, ndërsa sa vjen e më shumë po thellohet problemi i gjetjes së punëtorëve të nevojshëm për mbarëvajtjen e procesit të punës. Në këtë drejtim kërkohet një angazhim më i madh për rikualifikimin e të papunëve, por edhe një reformë afatgjate dhe serioze e sistemit arsimor.

“Nevojitet që patjetër të ndryshohet mënyra e të menduarit tek ne, për shkak se nuk mundet dhe nuk është patjetër të gjithë të përfundojnë fakultet. Këtë gjë duhet ta kuptojnë edhe prindërit që duhet të informohen se çka mund të punojnë fëmijët e tyre me përgatitje të mesme profesionale. Njëherësh, nuk duhet të shikohet me nënçmim edhe puna në zanat për shkak se një zanatli i mirë mund të fitojë shumë më shumë se një i punësuar në administratë”, thotë koordinatori i programit për mësim të përjetshëm, Vllado Dimovski. Sipas tij, problemi nuk qëndron as tek pagat e ulëta të nxënësve me shkolla të mesme, për shkak se një teknik apo saldator – fiton 500 deri 1000 euro në muaj.

Në ndërkohë, një çështje tjetër që kërkon zgjidhje në të ardhmen mbetet edhe fakti se, edhe pse në shtet kemi një papunësi historike të ulët prej 19.4 për qind, megjithatë problem mbetet struktura e 105 mijë të papunëve, për shkak se 42 për qind prej tyre janë më të vjetër se 50 vjet, 50 për qind kanë ose jo arsim fillor, ndërsa 26.5 për qind janë me shkollë të mesme, por jo nga shkollat teknike që kërkohen në treg. Pritet që në të ardhmen problemi me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar të zgjidhet përmes vendosjes së arsimit dual në shkollat e mesme profesionale, që nënkupton më shumë praktikë dhe më pak teori, si dhe me nxitjen e të rinjve të studiojnë në fakultetet teknike, si dhe me rikualifikimin e fuqisë ekzistuese punëtore.

In : Aktuale

Loading...
loading...