O popull, sa shumë gjëra bëhen në emrin tënd

“O popull sa shumë gjëra bëhen në emrin tënd, bile edhe naltmadhnia flet në emrin tënd” Nga filmi “Gjeneral Gramafoni” 1978.  

Gjatë shekullit të 20-të janë numëruar plot raste trajtimesh barbare ndaj personave që dyshoheshin me sëmundje mendore. Mjekë të famshëm të kohës propozonin trajtime çnjerëzore për ditët e sotme, por që atëherë konsideroheshin efektive. Ka ndodhur që për probleme të shëndetit mendor, të kryheshin ndërhyrje kirurgjikale si heqje të bajameve, tëmthit, stomakut, testikujve dhe çdo pjese tjetër trupore që mjeku besonte se ishin burim i problemeve sjellore. Në këtë periudhë u aplikua edhe lobotomia në kurimin e skizofrenisë. Gjithashtu azilimi i personave me probleme mendore, që ishte një lloj izolimi nga të afërmit dhe komuniteti janë aplikuar dhe kritikuar në të njëjtën masë. Të gjitha këto trajtime nuk ishin zgjedhje mes shumë mundësive, porse deri aty kishte arritur mendimi dhe zhvillimi i psikiatrisë, dhe nëse kishte ndonjë mendim kundër këtij trajtimi dhe idera të tjera të reja, ato mbyteshin nga mendimi i grupit dominant të shkencës.

Kur e gjykojmë të shkuarën nga pozitat e sotme, ne vërejmë gabimet dhe qeshim a qajmë për llojet e sfidave që ka kaluar njerëzimi. Por nëse do të jetonim në ato kohëra, pak kush do qeshte apo qante përballë trajtimeve të Dr. Cotton apo Dr. Freeman me shokë, sepse të bëhesh palë me opinionin mbizotërues, aq më tepër atë shkencor është vendimi më inteligjent dhe pa telashe për këdo.

Pak a shumë kështu edhe sot. Shumica nuk del dot kundër masave ekstreme që rekomandohen për COVID-19 (në vende si Shqipëria për shembull) nga frika prej gijotinës sociale që i imponon njeriut heshtje a konformizëm, ndëshkimi i ligjit apo sepse nuk janë ekspertë të fushës. Reagimi i pritshëm dhe i rekomanduar për ta është të binden ndaj pushtetit të specialistëve, por edhe të qeverisë që qëndron mbi kokat e tyre.

Të mbash nën kontroll turmën përmes pushtetit të ekspertit është manovra më e zgjuar. Edhe trimi më i madh dridhet prej sëmundjeve që ndiqen prej shifrave të vdekjes. Madje edhe mbretëresha para mjekut e heq kurorën, sepse mjeku shndërrohet në Perëndi për të sëmurin.StrugaLajm

Por ama ekspertët e shekullit 21 nuk po shfaqin ndonjë dije më të madhe sesa pionieri i larjes së duarve Dr. Ignaz Philipp Semmelweis, mjeku hungarez i shekullit të 19-të që insistonte në larjen e duarve si masë parandalimi infeksioni. Dikur ky mjek përqeshej nga kolegët e tij. Historia ka treguar që edhe mjekët gabohen.

Larja e duarve i ka rezistuar kohërave, po karantina masive? Në debatin liri apo izolim askush nuk e di me siguri se cila zgjedhje është më me interes për shëndetin. Ekspertët që kanë pushtetin për të nxjerrë udhëzime në këtë pandemi janë ata që përfaqësojnë qeveritë ose grupet e interesit. Këta thonë izolim. Kur del ndonjë specialist i pavarur, e thotë liri me masa mbrojtëse e vetëndërgjegjësim, ai konsiderohet me cen në biografi e tjetri akuzohet si nxitës i sjelljeve vetëshkatërruese.StrugaLajm

Realiteti është se përveç sëmundjes që ekziston dhe po merr jetë njerëzish, (për shifrat janë ngritur dyshime), njerëzve po u merret mundësia për të siguruar jetesën. Ka syresh që kanë humbur punën dhe llogarisin bukën e ditës. Jo të gjithë e kanë jetën të lidhur me internetin, dhe jo të gjithë figurojnë në rregjistra bashkie.

Në vende si Shqipëria, që janë të zhytura në borxhe me vlera shumë poshtë zeros, me akademikë që vegjetojnë zyrave, nuk është marrë asnjë masë afatgjatë mbështetëse e lehtësuese. Asnjë, vetëm orare ndalim qarkullimi, leje kalimi me firma e vula e justifikime, etj, duke vulosur përfundimisht regjimin despotik nën maskën e mbrojtjes së interesit publik. Por që të duken sikur kanë bërë edhe këta diçka në sytë e botës e të përfitojnë ndonjë kacidhe më pas, ofrojnë popullatën e tyre të jenë kampionë në eksperimentin e protokolleve të trajtimit të COVID-19.

Mendoni pak një prind, që mbijetesa, buka e çiliminjve, i rri si çekan mbi kokë. Nëse i lejohet të dalë nga shtëpia për punë, me kusht që të bëjë kujdes me kontaktet me njerëzit, ai sigurisht që do e zbatojë. Ky njeri, do mendojë për fëmijët e tij. Dhe ky nuk është krim, por e drejtë për të jetuar. Të ishte ndryshe, do quheshin rrezik publik të gjithë punonjësit e vijës së parë që dalin çdo mëngjes e kthehen në mbrëmje pranë të afërmëve. Mos janë këta imun ndaj sëmundjes? Jo, thjesht bëjnë kujdes dhe duartrokiten për këtë. Kaq kanë nevojë të dinë e aplikojnë të gjithë. Jeta duhet të vazhdojë se përndryshe pandemia e urisë dhe e zemërimit do trokasë. Shikoni se si po shfaqen vatra proteste në vende të ndryshme. Kjo sepse njerëzve po u humb durimi dhe besimi. Tashmë ka zënë vend dyshimi. Kjo nuk ka lidhje me konspiracione, por me transparencën dhe efektshmërinë.

Në epokën 5G masat që rekomandojnë mjekët për pandeminë janë më të hershme se epoka e Dr. Cottonit, ndërkohë që trajtimi është ende në fazë kërkimi. Por nëse dikur lajmi donte ca kohë të shpërndahej, e pacientët i varnin shpresat të kufizuara tek ata mjekë që kishin, sot pritshmëritë janë më të mëdha.

Ligjërimet e liderëve botërore kur thonë se jemi të gjithë së bashku në këtë pandemi duhet të mbështeten me fakte. A ka ndonjë bashkëpunim kokash botërore në fushën e mjekësisë t’i japin fund një kërcënimi global? Duket se jo përderisa çdo shtet i fuqishëm po alokon fonde për kërkimin shkencor brenda territorit të tij. Kjo do të thotë se nuk ka solidaritet ose dije të mjaftueshme, ose dakordësi. A punon shkenca në dobi të njerëzimit, biznesit apo të qeverive? Po kush na siguron se qeveritë veprojnë në të mirë të popujve? Në emër të popullit janë kryer edhe krime!


Loading...
loading...