Origjina e fjalës “Shqipëri” dhe pse bota na quan “Albania

Dilemat mbi emrin dhe origjinën janë ato që na kanë shoqëruar gjithmonë. Në opinionet e Eqrem Çabej fjala “Shqipëri” dhe “Albani” marrin disa prejardhje të veçanta, të cilat i shpjegon në pjesëzën e mëposhtme. Shqiptari i thotë vetes shqiptar, vendit të vet Shqipëri, Shqipni, po populli njihet në botë, sikundër dihet, lashtërisht si Albanais, Albanese etj., dhe vendi i tij si Albanie, Albania. Ky emërtim i dyfishtë ka arsyet e veta. Ai ka lidhje me disa rrethana të karakterit etnografik, të cilat janë specifike për Shqipërinë e për të kaluarën historike të saj. Duke u nisur nga faktet, vihet re pikësëpari që vërtet në Shqipëri vetë si emër nacional i popullit zotëron sot gjithkund shqiptar, e si emër i vendit Shqipëri, Shqipni, po që m‘anë tjetër në kolonitë shqiptare që gjinden n‘Itali e në Greqi ky emër nuk njihet. Shqiptarët e Italisë jugore e të Siqelisë, pasardhës të shpërngulurish prej Shqipërie kryesisht gjatë luftërave të para me turqit nën flamurin e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) në shekullin e XV e të XVI, e quajnë veten e vet dhe përgjithësisht popullin e atdheut të tyre të vjetër arbëresh, dhe këtë atdhe Arbër, Arbëri. Këto emra përdorin gjer më sot dhe pasardhësit e atyre shqiptarëve që u shpërngulën pak më parë, në shekullin e XIV e të XV, prej Shqipërie për në Greqi, të cilët edhe ata nuk e kanë në përdorim emrin që zotëron sot në Shqipëri; edhe ata përdorin rregullisht arbëresh për “shqiptar”, arbërishte për “gjuhë shqipe”, arbërisht për “shqip, në gjuhën shqipe”. Këto të dhëna tregojnë qartë që emri i sotëm shqiptar, Shqipëri, Shqipni, në kohë të Skënderbeut ende nuk kishte dalë, ose të pakën nuk ish përgjithësuar, e që ky gjithsesi është më i ri se emri i parë. Kjo do të thotë që emri i vjetër nacional i vendit e i popullit ka qenë arbën, arbër, arbëresh, arbëresh. E meqë ky emër, sikundër shihet me vështrimin e parë, është identik me Albania, Albanese etj. që u përmendën më sipër, nga gjithë këto rezulton që shqiptarët në mesjetë e kanë quajtur veten e tyre ashtu si quhen edhe sot te popujt e tjerë. Sikundër është vënë re që nga gjysma e shekullit të kaluar, emri i vjetër i vendit, përveç se në kolonitë shqiptare, që sapo u zunë ngoje, është ruajtur edhe vetë në Shqipëri. Një katund në perëndim të Liqenit të Shkodrës mban emrin Arbnesh, dhe Arbënesh quhet edhe ishulli gjuhësor shqiptar që gjindet afër qytetit të Zarës në Dalmaci, themeluar në gjysmën e parë të shekullit të XVIII, prej të shpërngulurish nga anët e katundit në fjalë. Arbanë është një katund afër Tiranës. Më anë tjetër, në pjesën jugore të vendit, Arbër e Arbërí quhen krahina të ndryshme të trevës malore të Labërisë midis qyteteve të Vlorës dhe të Gjirokastrës e të Delvinës dhe arbëreshë e arbërorë banorët e tyre. Në vise të tjera të Shqipërisë, po ky emër, me trajta të ndryshme (arbën arbër, arbënesh arbëresh, arbnuer arbëror), përdoret në popull me një kuptim etnik, për të shënuar shqiptarin në dallim nga aromuni ose nga anëtari i ndonjë tjetre popullsi ballkanike. Sikundër shihet, emri i lashtë, në rrjedhë të kohës erdhi e u mbulua nga emri i ri shqiptar, Shqipëri, po ka mbijetuar gjer sot nëpër krahina të ndryshme të vendit. Përsa i përket emrit shqiptar, Shqipëri, Shqipni, ky si emër populli e vendi, si rezulton nga sa u shtjellua më sipër, zuri vend gjatë kohës së sundimit turk, pas shpërnguljes shqiptare për në Greqi e n‘Itali. Përhapja e tij si emër nacional dhe zhdukja e emrit të vjetër si i tillë, ka lidhje pas gjase me lëvizjet etnike e sociale të popullit gjatë mesjetës dhe kohës së parë turke, me shtegtime të brendshme, me formime fisesh të reja në ato perioda historike, veçse shtysat konkrete për një zëvendësim të tillë nuk mund të ndiqen. Përsa i takon emrit shqip, shqiptar, Shqipëri Shqipni, prej nga ka dalë edhe folja shqipëroj, shqipëlloj “spiegoj, sqaroj” e gjuhës popullore, ky emër mbetet me gurrë të dyshimtë.StrugaLajm

StrugaLajm
In : Aktuale

Loading...
loading...