Papunësia ulet nga ikja e të rinjve, jo nga shteti


“Në kohë që ne kemi rreth 20 mijë aplikime brenda vitit në ambasadat e huaja, ndonëse në bazë të informacioneve që kam vetëm në ambasadën gjermane kemi afër 12 mijë aplikime të proceduara nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut për të ikur nga shteti është paradoksale të flitet për politika efektive në planin ekonomik dhe ulje të shkallës së papunësisë”, thotë Ademi

Shkup, 18 mars – Ulja e papunësisë është si rrjedhojë e ndryshimit të procedurave administrative për regjistrimin e personave të papunë si dhe rënies së numrit të popullsisë aktive që kërkon punë dhe fare nuk ka të bëjë me krijimin e vendeve të reja të punës, thonë ekspertët e ekonomisë. Këto reagime vinë pas deklarimeve të Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, e cila udhëhiqet nga kryeministri Zoran Zaev se falë reformave të qeverisë shkalla papunësisë është ulur nën 20 për qind.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, pret të vazhdojë ulja e papunësisë si rezultat i krijimit të një klime pozitive, e cila ka çuar hapjen e vende të reja të punës kryesisht në sektorin privat. Por, ekspertët e ekonomisë thonë se edhe kjo përbërje qeveritare shërbehet me po të njëjtat mekanizma administrativ që para syve të opinionit të krijojë pasqyrë joreale se në vend po ulet shkalla e lartë e papunësisë ndërkohë që Maqedonia e Veriut shënon migracionin më të lartë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. “Në kohë që ne kemi rreth 20 mijë aplikime brenda vitit në ambasadat e huaja, ndonëse në bazë të informacioneve që kam vetëm në ambasadën gjermane kemi afër 12 mijë aplikime të proceduara nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut për të ikur nga shteti është paradoksale të flitet për politika efektive në planin ekonomik dhe ulje të shkallës së papunësisë”, thotë Visar Ademi, ekspert i ekonomisë.

Kjo lloj ulje e papunësisë, siç thotë ai, me gjasë ka të bëjë me shlyerjen administrative të personave që largohen nga Maqedonia dhe të cilët nuk duan të kenë asnjë lloj raporti me Maqedoninë e Veriut si shtet dhe për të marrë ndihma sociale. “Kjo është e para dhe e dyta, sikur të ishte e vërtetë kjo që thotë partia në pushtet dhe Qeveria, atëherë ne do të duhej të shikonim në çdo hap të vendit nga një fabrikë apo zonë industriale ku këta persona do të punësoheshin. Ndërkohë që këto fabrika mungojë dhe vazhdon trendi i largimit nga vendi veçanërisht të të rinjve”, thotë shprehet Ademi.

Nga ana tjetër, Bllagica Petreski, nga instituti “Finance Think” për hulumtime ekonomike në Shkup thotë se Qeveria duhet të fokusohet në realizimin e investimeve kapitale duke lënë anash mburrjet dhe siç i quan ajo “sinjalet tejet të hershme” sa i përket stabilitetit ekonomik në vend. “Punësimet në sektorin publik duhet të ulen në minimum. Për një treg të qëndrueshëm të punës, politikat ekonomike duhet të orientohen në krijimin e një tregu të qëndrueshëm të punës në sektorin privat dhe jo siç është aktualisht, punëdhënës kryesor mbeten institucionet shtetërore”, thotë Bllagica Petreski.

Ndryshe, nga selia blu, ajo e Lidhjes Social-Demokrate, kanë theksuar në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, përkatësisht 2018, është vërejtur ulje e papunësisë në 19,. për qind që është niveli më i ulët që nga pavarësia e shtetit. Por, partia shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët, konsideron se pushti manipulon me numrat përderisa mungon një pasqyrë e qartë e largimit të një pjese të madhe të popullatës për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. Edhe nga partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE kanë theksuar se Maqedonia është shumë larg uljes së punësisë.

VMRO-DPMNE ndërkohë konsideron se për shkak të politikave të këqija ekonomike një pjesë e madhe e të rinjve kanë braktisur vendin dhe në këtë mënyrë është ulur përqindja e papunësisë. (REL)

In : Aktuale

Loading...
loading...