Para apo dije?

Në 2014, top 1%-shi i pasanikëve në SHBA kishte harxhuar 860% më shumë se mesatarja kombëtare për arsimin e fëmijëve, thotë Business Insider. Dhe që ta sqarojmë dhe këtë fakt. Nuk bëhet fjalë për para shkollimi formal, që nënkupton disi se fëmijët e të pasurve do të shkojnë në shkolla të mira e të shtrenjta, por në investime të tjera ku tashmë prindërit pasanik duan që fëmijëve të tyre tu lënë privilegj dijen, kulturën e shëndetin. Një djalë i një pasaniku te ne, ndërkohë më tha se s’kishte mbaruar as shkollën e mesme. S’besonte që do vazhdojë universitet sepse “s’ishte për shkollë”!

Nga Nazim RASHIDIStrugaLajm

Takova një ditë një djalë të një personi që merret me biznes dhe si rrjedhojë dhe me pasuri të konsiderueshme. Në fakt asnjë nuk i ka parë llogarinë bankare, por nga makina që kishte, dhe krejt elementet shoqëruese rreth tij ishte e qartë se babi ai tij fitonte shumë.
Ky takim me këtë djalë, që ndodhi mbase disa muaj më parë, mu kujtua sepse vetëm pak ditë më parë lexova një artikull se si elita e pasur e botës, tashmë ka lënë gjësendet materiale si simbol i statusit të tyre, por këtë e tregon me veprime që janë diskrete dhe investimet tashmë janë në gjëra shpirtërore: Arsim dhe shëndet!
Mu kujtua ky djalë sepse kur e pyeta se ku studionte, më tha se ende ishte duke mbaruar shkollën e mesme, edhe pse dukshëm më i rritur se gjimnazist. Me krenari gjithashtu më tha se e kishte kuptuar se nuk ishte “për shkollë” dhe se do merrej me biznesin e babës.
Sa do që të duket një qartësi në vendime më shumë mu duk një arrogancë, sepse gjithçka që kishte, shtrenjtësirat rreth tij, sugjeronin idenë se për se do harxhonte kohë, kur kishte para por dhe status se këtë ia tregonin veshjet e shtrenjta, ora apo dhe vetura.
Por ja ku është diskrepanca.
Në 2014, top 1%-shi i pasanikëve në SHBA kishte harxhuar 860% më shumë se mesatarja kombëtare për arsimin e fëmijëve, thotë Business Insider.
Dhe që ta sqarojmë dhe këtë fakt. Nuk bëhet fjalë për para shkollimi formal, që nënkupton disi se fëmijët e të pasurve do të shkojnë në shkolla të mira e të shtrenjta, por në investime të tjera ku tashmë prindërit pasanik duan që fëmijëve të tyre tu lënë privilegj dijen, kulturën e shëndetin.
Ajo që pasanikët e kohës po bëjnë është të shfaqin simbole statusi me profesionalizmin dhe dijen që duan tua lënë fëmijëve, me kapitalin kulturor duke i mësuar se materialja s’është esenciale madje duke i ç’mësuar edhe nga sjelljet e tyre blerëse.
Koncepti i kohës së re për status shoqëror, dhe kjo ka rëndësi më shumë sepse vjen prej pasanikëve, është njeri i formuar, profesionalisht, kulturalisht por dhe me lidhje të forta. Sipas tyre këto janë elementet që të mundësojnë ngritje në shkallët e shoqërisë.
Ajo që po duket thelbësore është se shfaqja e pasurisë nuk është mënyra se si tregohet se je i pasur.
Të jemi të qartë, flasim për pjesën më të pasur të shoqërisë, që thelbësisht mund të kenë ç’të duan, dhe pasuria e të cilëve siguron breza të tërë.
Por sërish këta prindër fëmijët i pasurojnë me udhëtime, me idenë e të jetuarit shëndetshëm, me marrje me sport, me ndërtimin e miqësive dhe lidhjeve që krijohen nëpër shkolla, me idenë e zhvillimit.
Dhe me bëri kjo gjë përshtypje, sepse kur ndava këto të dhëna me një shok timin, ai më tha se bëhet fjalë megjithatë për një shtresë të shoqërisë që ka kaluar nevojën për të treguar pasurinë e suksesin.
Por, a është kështu?
Personalisht vij në kohën e brezit ku nxitja për tu profesionalizuar ka qenë shtysa kryesore që na kanë bërë prindërit dhe mësuesit.
Ma merr mendja që edhe ai biznesmeni i përket po atij brezi dhe nuk ka se si të mos i ketë ushqyer të njëjtën kulturë djalit të tij.
Por, realiteti i hidhur është se rreth nesh ka përplot të pa aftë e të pazotë që mbase arritjet në jetë i kanë bërë vetëm me idenë e lidhjeve, miqësive dhe parave.
Kjo më pas krijon atë mendësinë se nëse ke të ardhura, sidomos nga babai, nuk të duhet asgjë tjetër, sepse edhe ashtu të gjitha përfitimet t’i sjell paraja dhe politika.
Për pasanikët e botës të kesh një makinë Bugatti apo dhe çanta Louis Vuitton nuk është më “sexy”, mbase për këtë shtresë realisht s’është problem edhe t’i kenë këto sende të shtrenjta materiale, por për këtë shtresë s’është problem as të fitojnë ndikim, sepse para kanë plot. Por jo mendësia e ndryshuar e tyre tregon se edhe të tjera gjëra marrin vlerë, e ata me sa duket nuk janë më materiale.
Artikulli që lexova flet për kujdesin që prindërit e pasur kanë ndaj fëmijëve e kjo është dëshira për t’ju lënë si pasuri vlerat.
Nga analizat që mund të bëhen, kjo mbase vjen dhe për faktin se shtresa e lartë e mesme dhe pasanikët, tashmë mbase dhe mund të posedojnë të njëjtat gjëra. Mbase edhe për faktin se ekskluziviteti të kesh objekte luksi, mbase nuk është vetëm tek të pasurit. Por si do që të jetë kthimi tek çështjet bazike ka rëndësi, sepse kështu ndikohet tek gjithë shtresat. Modelet për ata që duan të ndjekin suksesin duhet të jenë të mbarë.
Duhet të jetë i qartë fakti, se të jesh i zoti por dhe mbi të gjitha që të fitosh respekt në shoqëri duhet të kesh dijeni dhe profesionalizëm.
Këto lëvizje konceptesh tek shtresat super të pasura, mbase dhe ndikojnë për të vënë rend në sistemin e vlerave edhe tek ne.
Problemi prej kohësh ka qenë i qëndrimit të shoqërisë ndaj dijes dhe nxënies.
Na duhet një rikthim total drejt kësaj mendësie.StrugaLajm

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...