PARA SEMAFORIT TË KUQ TË BE-së!


Numri i skeptikëve që nuk besojnë se Maqedonia e Veriut do të marrë datë për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian (BE) në qershor, sipas sondazheve të sektorit civil, është rritur nga 20 në 60 për qind.

Përderisa partitë në pushtet thonë se po bëjnë të pamundurën që të arrihet në kohë me reformat e parapara që të caktohet data në qershor, opozita vlerëson se në qershor nuk do të caktohet datë për fillimin e bisedimeve. Nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës thonë se dështimi i Qeverisë për të përmbushur kushtet e caktuara nga BE-ja, mund të rezultojë në një tjetër refuzim nga Këshilli i Evropës në qershor, dhe me këtë të mos caktohet datë për fillimin bisedimeve për anëtarësim.

“Një gjë e tillë do të sillte zhgënjim të madh në mesin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe për rrjedhojë, do të minonte mbështetjen popullore për projektin evropian në tërësi, në një shtet që nuk është në gjendje të afirmojë vlerat e përbashkëta të BE në funksionimin e institucioneve të saj”, deklaroi për gazetën KOHA, Flakron Bexheti, shef i departamentit për informim pranë ASH-së. Ai shton se ASH nuk beson se Maqedonia e Veriut mund të marrë datë për fillimin e bisedimeve me BE-në këtë vit.

Arjanit Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, thekson se edhe nëse nuk caktohet datë për fillimin e bisedimeve në qershor, kjo nuk do të thotë humbje shprese për progresin e shpejtë të shtetit. “Është fakt se i gjithë fokusi i aktorëve politik në vend ishte përqendruar në ndryshimin e emrit të shtetit si një nga pengesat kryesore për hapjen e negociatave për antarësim ne BE. Nëse do ndodhë që edhe kësaj radhe Maqedonia e Veriut nuk merr datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, kjo do të jetë edhe humbje e shpresës për progresin e shpejtë të shtetit. Edhe përkundër faktit se shumë çështje në aspektin legjislativ dhe konceptit të BE-së, Maqedonia e Veriut nuk i ka plotësuar, mendoj se duhet ti jepet shansi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE”, deklaroi Hoxha, për gazetën KOHA. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Emil Dimitriiev, konstaton se opinionit deri më tani nga elitat politike nuk i është dhënë përgjigje e vërtet se si qëndron Maqedonia në rrugën eurointegruese, gjegjësisht në dhënien e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në.StrugaLajm

“Qeveria duhet të ketë një qasje më serioze dhe të sinqertë rreth kësaj çështje, të del dhe të thotë ‘marrim datë për fillimin e bisedimeve’, ‘nuk marrim datë’, dhe arsyet për secilin nga dy rastet. Nëse ju kujtohet, ne kishim shumë diskutime dhe deklarata në këtë temë nga ana e Qeverisë se kemi marrë të ashtuquajtur datë për fillimin e bisedimeve, me veprim të vonuar, apo diçka të ngjashme. Informatat e mija flasin se Maqedonia në qershor nuk do të marr datë për fillimin e bisedimeve me BE-në, që sinqerisht shprehi keqardhje, për arsye se meritojmë ti fillojmë ato bisedime për anëtarësim të plotë në BE”, deklaroi për gazetën KOHA, Emil Dimitriev, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Ai vlerëson se kjo do të jetë një sinjal i qartë për të gjithë institucionet që ta kuptojnë punën shumë më seriozisht, të kenë një fokus më të madh në reforma që janë targeti kryesor në arritjen dhe marrjen e datës për fillimin e bisedimeve. Nga ana tjetër, juristi i së drejtës evropiane, Muhamer Pajaziti vlerëson se Qeveria e drejtuar nga kryeministri Zoran Zaev ka shprehur gatishmërinë për të realizuar reforma të thella në sistemin e jurisprudencës, por realiteti në terren dëshmon të kundërtën.StrugaLajm

“Gjatë kësaj qeverisje janë administruar një numër i madh i politikanëve të regjimit të kaluar. Peshqit e mëdhenj, të cilët kanë zhvatur popullin duke vjedhur miliona e miliarda vazhdojnë të bredhit të lirë, madje shpeshherë flasin edhe për parime e vlera demokratike. Reformat e arritura deri më tani vetëm sa kanë mundësuar ndërrimin e kapelës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët tani i shërbejnë pushtetit aktual. Prokuroria Speciale ka mbetur pa mandat dhe e gjithë kjo situatë mund ta dështojë datën për fillimin e bisedimeve me BE-në. Por nuk duhet harrojmë se zgjedhjet evropiane dhe Brexiti do të ndikojnë në këtë proces. Bashkimi Evropian gjatë vitit 2018 pati probleme të shumta duke filluar nga bisedimet për Brexitin, problemet tregtare me SHBA-të, fragmentimin politik brenda saj me fuqizimin e partive të ekstremit të djathtë dhe shumë probleme tjera në vendimmarrje”, thotë Pajaziti, jurist i së drejtës evropiane. Sipas tij, të gjitha këto probleme po e dëmtojnë rëndë procesin e thellimit dhe të zgjerimit të kësaj organizate supranacionale.

“Nuk përjashtohet fakti që në zgjedhjet e vitit 2019, në BE të fitojnë numër edhe më të madh të votave partitë e djathta populiste, të cilat kanë shprehur kundërshtime për anëtarësimin e shteteve të reja, përfshirë këtu edhe vendet e rajonit të Ballkanit. Nëse i besohet studiuesve të zgjedhjeve, atëherë numri i radikalëve të djathtë dhe populistëve deputetë në Parlamentin Europian do të rritet nga 10 që është sot në 20 për qind, pra do të dyfishohet. Fraksioni më i fortë nuk do të bëhen kundërshtarët e BE-së, por ata do të marrin më shumë ndikim dhe mund të zvarrisin integrimin dhe reformat”, potencon Pajaziti. Në këto rrethana, shprehet më tej ai, a janë të gatshëm shtetasit e BE-së, por edhe vet ky organizëm që të pranoj edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor me një mal kontestesh?.

“Kjo përgjigje sigurisht se do të varet edhe nga lidershipi i këtyre vendeve i cili duhet të shtoj përpjekjet për plotësimin e parimit të fqinjësisë së mirë, mbylljen e çështjeve të hapura dhe problemeve të brendshme”, nënvizon Pajaziti. Gazetari dhe analisti nga Tirana, Alfred Peza për gazetën KOHA, thotë se në një union gjithnjë e më të “çakorduar” në aspektin strategjik, sidomos përsa i përket politikave të zgjerimit, çdo gjë mund të ndodhë.

“Zgjedhjet e majit për në Parlamentin Europian (PE), sigurisht që e komplikojnë paksa situatën, sidomos në kushtet kur pritet që populistët dhe esktremistët të dyfishojnë numrin e deputetëve të tyre. Megjithatë, më 2 prill, Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn, gjatë punimeve të Komitetit Parlamentar të PE për Punët e Jashtme tha se: ‘Bashkimi Europian duhet të fokusohet në perspektivën afatgjatë të vendeve kandidate. Në Komision, në fund të majit do të prezantojmë progres-raportet për vendet e rajonit (Ballkani Perëndimor), plus Turqinë. Pres, që mbi bazat e asaj që kemi parë, të bëjmë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë’. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë hapa të jashtëzakonshëm në drejtim të realizimit të ‘detyrave të shtëpisë’ aq sa në disa raste, i kanë tejkaluar pritshmëritë në raport me detyrimet për prioritetet kyçe”, deklaroi Peza. Ai konsideron se vokacioni europian i dy popujve tanë nuk do të ndryshojë, pavarësisht se forcat e treta do të mundohen që të përfitojnë për ta penguar ecurinë e shpejtë të këtij procesi në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.

“E mira e të dyja vendeve tona, do të ishte që I gjithë ky proces, të ecte paralel dhe etapat e integrimit të vijonin nëpërmjet një rrugëtimi të përbashkët. Kjo për shumë arsye. Jo vetëm për shkak se shembujt e Bullgarisë e Rumanisë, apo Sllovenisë dhe Kroacisë e deri diku edhe Malit të Zi e Serbisë që kanë ecur paralel ose pothuajse paralel e kanë treguar këtë, por edhe për arsye të veçorive tona historike dhe afërsisë gjeografike. Nëse Shkupi dhe Tirana do të ecin paralel në këtë rrugëtim të pandalshëm, do të ishte më e thjeshtë jo vetëm për ne, por edhe për vetë BE-në që të na akomodojnë në të njëjtin vagon, duke shkëmbyer me njëra-tjetrën si eksperiencat pozitive, por edhe duke amortizuar defektet e pashmangshme. Nëse kjo ndodh, atëherë është radha e Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës për të përmbyllur procesin historik të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Në mënyrë që mes sfidës së europianizimit të Ballkanit apo Ballkanizimit të Europës, të triumfojë e para”, shprehet Peza. Ndryshe, data për fillimin e bisedimeve të BE-së, me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë varet nga konsensusi i vendeve anëtare, e jo nga rekomandimi i Komisionit Evropian, vlerësojnë analistët. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...