Parti e re!?

Entuziastët e ndryshimit nevojiten brenda partive politike, ato janë katalizatorët dhe gjeneruesit e ideve të reja …çdo periferim i tyre e rëndon partinë, e ngrys, e bën monolite, bajate, luftënxitëse! Ndërsa NDËRVEPRIMI është art i së mundshmes në një parti politike! Ai formacion i ri politik që mbarset përmes forcës së ndërveprimit, ka shansin të sfidojë veten …çdo gjë tjetër është farsë, pakënaqësi dhe prandaj – demagogji!

Nga Adelina MARKU

Me të dëgjuar e kam, ose për të qenë më e saktë, entuziastë themelues edhe më kanë qasur për mendim! …Pra, me të kuptuar e kam se në rrugë janë edhe tre parti politike shqiptare të reja…! Dmth sipas esapit tim, pesë janë ekzistuese ( apo gjashtë!?) , plus dhe tre, bëhen nëntë! Oh, sigurisht janë më shumë ! Por, ç’mendim iu jap tek bisedojmë !? Jo shumë! Miqësisht jua shpalos instinktin tim fillestar ndaj idesë së tyre për themelim të partisë së re tu alarmu se po gabojnë kështu me këtë lloj entuziazmi energjik, i cili përmban edhe vetullngrysje , edhe gisht’tregues kryeneç, edhe fajësim e baltosje të tjetrit por megjithatë e mbi çdo gjë edhe një idealizëm për të bërë gjëra të mira për shqiptarët në Maqedoni! Pastaj kur kthehem në shtëpi, shaj veten për demberllëkun tim e të miqve të mij! Kaq vite bashkë e mos të kujtohemi të bëjmë një parti politike!? Hmmm, ka të bëjë me kalkulimin racional , megjithatë !

Kur entuziastëve jua them mendimin, e mira asht se nuk të hidhërohen kur e dëgjojnë vëzhgimin tim, por edhe nuk bëzajnë më gjatë për të pyetur se përse iu kundërvihem me argumentat që iua shpalos. A thu, t’i kem shtyrë t’a rimendojnë e t’a shtresojnë sërish entuziazmin?! Hmmmm, oj joooo! Kam përshtypjen se çdo racionalizim të entuziazmit të tyre në atë çast – nuk duan t’a pranojnë! Legjitime a! Në këtë moment ndodh dhe ndarja , apo! Miqësore,- po shtoj! Shpresoj miqësore , -po shtoj edhe këtë! Nejse…StrugaLajm

Por çka flet fenomeni i krijimit të vazhdueshëm të partive politike shqiptare këtu në Maqedoni? Një analizë tregon për dy faktorë nxitës që bijnë në jetën paralele e të vazhdueshme të dy lloj emocioneve: pakënaqësinë vetëgjeneruse dhe e dyta forcën për krijim ( psh.të një formacioni të ri). Faktorët nxitës të emocioneve janë poaq të lidhura me pakënaqësinë e përbrenduar tanimë! Kur këta dy emocione ndërveprojnë, dalin të jenë thika- thik ndaj njëna tjetrës. Sepse kur vetëgjeneron pakënaqësi, forcën për krijim e sh’ndron në pakënaqësi të serishme ! Kështu ripërsëriten ciklet patetike të pakënaqësisë së vazhdueshme ! Biles, në vazhdimësi e me posesivitet të theksuar ‘’për” e ‘’ndaj” Pakënaqësin(s)ë! Sikur da(ë)shu(i)rojmë të pakënaqemi! Të gjith’ ngulun pingul në rrethet e pakënaqësisë! Edhe kur pimë çaj ne flasim për pakënaqësi. Edhe kur kafe , pakënaqësi! Edhe kur në xhami për t’u falur ne flasim me pakënaqësi. Edhe nw shkollë e universitet, me pakënaqësi. Edhe kur anëtar partie në pushtet, ne flasim me pakënaqësi! Por, se sa brenda vetes këto formacione të reja politike, PAKËNAQËSINË dinë ose sa duan t’a shndërrojnë në Aftësi për Ndryshim , kjo është temë për t’u vënë në diskutim e vetëmbarsur. Ne bëhemi radikalë përmes vijës së thellë të pakënaqësisë tuj qenë të paaftë të përmbushim idenë e qëllimin! (prandaj të gjitha partitë, të rejat ose të vjetrat , kanë po të njëjtën ideologji -rezultat pakënaqësie, e po të njëjtin program politik!)

Në esencë ndryshimi kërkon një gjë: AFTËSINË PËR TË REALIZUAR, për të PËRMBUSHUR QËLLIM! Të gjithë faktorët që sjellin deri tek krijimi i një formacioni të ri politik , janë pikërisht ato arsye rrethanore që nevojiten të shërbejnë si Forcë për Ndryshim! Në esencë , formacionet e reja priten të krijohen jo si rezultat pakënaqësie , por si forcë për të krijuar politika që përmbushin jetën e njeriut me vlera ekonomike e të lirisë së veprimit. E quaj unë këtë moderim force krijimi e madje shkëputje nga motivet e së kaluarës që tërheq teposhtë! Megjithatë , historia jonë më e re e organizimit politik, vazhdon të zhvillohet përmes një linje të simuluar të pakënaqësisë. Është një simulakrum ky që krijohet brenda partisë dhe posesiviteti për të braktisur simulakrumin , nxit idenë për krijim të një partie të re! Nuk e kam të plotësisht të qartë se përse është aq e vështirë të reformohen partitë e vjetra! Jo jo, nuk dua të përqesh me cinizëm i nderuar lexues, sepse gjendja jonë tanimë është e rrëndë e prandaj vazhdimisht përçarëse ! E përçarja nuk krijon liberalizimin e veprimit, por një liberalizim të përsëritshëm të pakënaqësisë. Sillemi thellbësisht rretheve të pakënaqësisë. Pra, ose ose totalitarizmi i lidershipit kap nivel patologjik, vulgar, dhe eliminues ose ose mosprezenca e kulturës transformative përbrenda është indikacion i mjaftueshëm se partitë tona nuk kanë sistem e nuk e kuptojnë funksionalitetin përmes sistemit . Është e thjeshtë , sistemi në parti thjesht bazohet në aftësinë për veprim të moderuar, aftësinë për solidaritet dhe aftësinë për inkluzivitet! Flasim për centrifugim emocionesh e jo për centripetim nga orbita e fuqisë e vendimmarrjes! Kur ndodh e kundërta , këtu e kështu gjenerohet dhe efekti i keq e vetëluftues! Pra, ndodh dalja nga partia e vjetër e katapultimi në një formacion të ri , të sapokrijuar! Gjithmonë e përherë faktori psikologjik ka shumë rrëndësi , sepse kjo ndjenjë e pakënaqësisë së vazhdueshme e vendos frustrimin si pararojë veprimi, e kjo pavetëdijshëm krijon blloqe, kufizon energjinë dhe inhibon komunikimin strategjik! Hmmm, pastaj gjen veten tuj përsërit gabimin e formacionit të vjetër ku ishe! Në anën tjetër , le të analizojmë se sa janë aftësitë fizike për të Përmbushur Ndryshimin e në përkthim kjo ka të bëjë me faktorin numër . Nëse ky numër përmbushet nga po të njëjtët njerëz që kalojnë nga një formacion në tjetrin/ -ose nëse ky formacion i ri mbush kapacitetin e vetë me resurse të reja? Në të shumtën e rasteve përgjigja qëndron tek kalimi i njerëzve të njëjtë nga një parti (formacion) në tjetrën dhe ky kalim në të vërtetë nuk duhet lexuar si motivacion për ndryshim , por vetëm si grumbullim i ri i pakënaqësisë tanimë i zhvendosur fizikisht në një forum të ri. Të krijosh një nivel të ri të performancës politike do të thotë të kesh aftësinë të nxitësh një rini të tanë me u kyç në radhët e tua. Tjetër është ambicia e tjetër flet përditshmëria. Statistikat flasin për një korridor të ri të grumbullimit të të rinjve e po aq produkt i pakënaqësisë! Ky korridor këta të rinj nuk i vendos(kanalizon) nëpër këto formacione të reja politike , por i katapulton jashtë shtetit! Atëherë si të ushqehen kapacitetet e partive të reja politike që synojnë të bëjnë ndryshimin (ose atë që partitë e vjetra nuk arritën t’a bëjnë)? Kush do bëka inovacionin e kreativitetin politik? Faktori i tretë e me rrëndësi për formacionin e ri politik në krijim është faktori kohë! Ndërsa koha kapet e organizohet kur me pjekuri sh’ndrohen në politika produktive kontekstet e përditshmërisë së votuesit! Do më mjaftonte të përmendja tre politika aktuale të cilat kërkojnë veprim në kohë e në çast: politikat bujqësore, politikat ambientale dhe politika e “brain gain versus brain drain” ( e të rrinjve) . Asnjëherë , e jam tuj kap dekadën e pestë të jetës sime , nuk kam dëgjuar ndonjëri nga deputetët tanë të flasë për politika bujqësore ( e jo përmes pakënaqësisë populiste mbi agrarin) , ose të flasë për politikat ambientale ( e jo për pakënaqësisë populiste mbi deponitë) ose të flasë për politikat e kthimit të të rinjve në vend e që do thoshte , politika të krijimit të vendeve të reja të punës jashtë administratës shtetërore. E sëf undmi po numëroj edhe një faktor të rëndësishëm për jetën e partisë së re politike, e ky është faktori PARA, resurset financiare. Jetojmë në një epokë të digjitalizimit të shpejtë, i cili vazhdimisht të imponon rritëm lodhës! Paratë janë të nevojshme jo për ditën kur votohet e kur partitë korruptojnë votuesin, por paratë janë të nevojshme për të ndërtuar komunikim me votuesin, për të dizajnuar politika financiare që garantojnë ekonomi të mirë, …paratë janë të nevojshme për angazhim ekspertësh në parti që do shtronin rrugën me hapa pasa hapash e jo me rrena kapërcimesh e galopimesh populiste .StrugaLajm

Ndërsa GJITHFAKTORI përmbledhës i këtyre më lartë ka të bëjë me Liderin / Lideren! Ky/ kjo nevojitet të llogarisë mirë rreziqet dhe përparësitë e faktorëve më lartë: atë psikologjikun , fizikun, kohën dhe resurset! Kjo matje është kapital për formacionin e ri politik e jo vetëm emocion! I dyti, emocionali ose idealisti shpejt mund të prodhojë dështimin dhe liderin/lideren t’a vetëizolojë. ‘’Vetëizolimi duhet shikuar nga këndi i ngecjeve në zhvillimin e gjithanshëm të një populli, të shtetit, të institucioneve dhe të faktorëve të tjerë që janë promotorë të progresit. Njeriu bëhet introvert kur nuk arrin të përballojë NDËRVEPRIMIN . Ai/ajo izolohet duke prodhuar parime të kota nga frika e dështimit. Fatkeqësia më e madhe për liderin/lideren është humbja e diçkasë që e do me thellësinë e qenies…prurjen e ndryshimit dhe të mirës së përgjithshme ! Izolimi dhe vetëizolimi janë si enët e lidhura në kimi, njëra prodhon tjetrën‘’- ( ‘’A. Xhaferi në kërkim të kuptimit”, fq 47, . E. Robelli)

Prandaj entuziastët e ndryshimit nevojiten brenda partive politike, ato janë katalizatorët dhe gjeneruesit e ideve të reja …çdo periferim i tyre e rëndon partinë, e ngrys, e bën monolite, bajate, luftënxitëse! Ndërsa NDËRVEPRIMI është art i së mundshmes në një parti politike! Ai formacion i ri politik që mbarset përmes forcës së ndërveprimit, ka shansin të sfidojë veten …çdo gjë tjetër është farsë, pakënaqësi dhe prandaj – demagogji!

(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)


Loading...
loading...