Pasi të vdesin, bëhemi sikur po i çmojmë!

Epokat e njerëzimit u mbushen me kujtime të trishta për vepra që shpesh u penguan me tehun e shpatës dhe me gjuhën e zjarrit. Por, njerëzimi vazhdoi të shuaj etjen në burimet e kristalta të dijës e bukurisë që trashëgim mijëravjeçarë na e lanë poetët e filozofët. Ndër ta, është edhe Fatos Arapi, një emër i madh në shpatullat tona të hajthme dhe të pafuqishme për ta mbajtur e respektuar sa qe gjallë

Nga Emin AZEMIStrugaLajmStrugaLajm

Largimi i njerëzve nga kjo botë, përpos zbrazëtisë që lënë, na bëjnë të ndjehemi keq për shumë çka, por mbi të gjitha largimi i tyre nxjerr në pah hipokrizinë e atyre që mbesin gjallë. Tash së fundmi na u largua edhe poeti Fatos Arapi, prishësi i kanoneve socrealiste të poezisë shqipe, por pak ditë më parë dikush nga personat publikë në Shqipëri u ankua në shtyp se poeti i madh gati ishte harruar nga njerëzit, sidomos nga kolegët dhe institucionet. Ne kujtohemi se është dikush gjallë, vetëm kur ai të vdes. Sa paradoksale! Ne edhe me vdekjet e njerëzve duam të bëjmë njëfarë kapitali moral. Bile të gënjejmë paturpësisht se e kemi pasur edhe mik të afërt… Tash, Fatos Arapin të gjithë e vajtojnë. Edhe ata që s’u kujtuan t’ia çelin derën sa ishte gjallë. Kështu vepruan edhe me Teki Dërvishin, Kasëm Trebeshinën, Frederik Reshpjen… Disidentët e letrave po deshka të vdesin që të na tregojnë se sa të rëndësishëm janë, por vetëm si të vdekur. Sa janë të gjallë ne i mbysim me xhelozi, me mospërfillje, me konkurrencë false… Sa keq na vjen për vdekjen e tyre! A thua pse nuk mundemi ende t’i shfrytëzojmë? Apo t’ua bëjmë jetën edhe më zi?
“Nuk mund të bëhesh profet në vendlindjen tënden”. Është kjo një thënie e lashtë, sa vet njeriu që luftoi për të fisnikëruar vrazhdësinë e gjërave që e rrethonin. Poetët dhe filozofët në Antikë kishin një vend të privilegjuar shoqëror, sidomos ata që kishin statusin e oborrtarit, por ata assesi nuk lejoheshin të udhëhiqnin shtetin. Frika nga poetët kishte detyruar shumë sundimtarë të shpiknin mekanizma e metoda të ndryshme perfide, që i paraqisnin si gjoja kujdes ndaj tyre. Në të shumtën e rasteve ata shpikën mospërfilljen, si mënyrën më të mirë të largimit të njerëzve të dijes nga vendimmarrja, sepse vetëm në atë mënyrë vendimmarrja bëhej më pak e denjë për vlerësim, e më shumë si gjakim për lakmi.
Poetët, filozofët, shkencëtarët, fundja nuk kanë kurrfarë nevojë të meritojnë lavde e elozhe nga vdekatarët e zakonshëm. Ata nuk kanë nevojë edhe për dhembjen tonë të shpifur, sepse ata kanë një dhembje tjetër që ne s’e shohim e dëgjojmë. Prandaj, ata shkojnë të vetmuar dhe kthejnë kokën prapa, jo për të parë se kush po i vajton rrejshëm, por për t’u habitur se pse disa epigon mediokër nuk mundën më të shkruajnë asnjë rresht pas vdekjes së tyre. Epigonizmi në letrat shqipe ende nuk është studiuar me themel, por vdekja e Fatos Arapit tash, dhe e Teki Dërvishit disa vite më herët, na e kujtoi faktin që paraqitja e krijuesve të rrejshëm ka qenë hije e atyre që ne sot i vajtojmë, jo për humbjet që pësoi letërsia, por për mungesën e ndikimeve të tyre të fshehura në vargjet e epigoneve tanë të fëlliqur, që sot si mumie qëndrojnë prapa statujave të heshtura të “idhujve” të tyre të dikurshëm.
Epokat e njerëzimit u mbushen me kujtime të trishta për vepra që shpesh u penguan me tehun e shpatës dhe me gjuhën e zjarrit. Por, njerëzimi vazhdoi të shuaj etjen në burimet e kristalta të dijës e bukurisë që trashëgim mijëravjeçarë na e lanë poetët e filozofët. Ndër ta, është edhe Fatos Arapi, një emër i madh në shpatullat tona të hajthme dhe të pafuqishme për ta mbajtur e respektuar sa qe gjallë. (koha.mk)StrugaLajm


Loading...
loading...