Patriotizmi modern

Ksenofobia, as që ishte pjesë e natyrës së patriotit. Ashpërsia dhe poshtërsia s’kanë si të jenë detyra patriotike. E megjithatë, gjithkush është i lirë të dojë a të urrejë, ose thjesht të jetë moskokëçarës… Ka të drejtë Konica, kemi të drejtë e detyrë të ndjekim fjalët e tij, e Zoti mos dhëntë të jemi moskokëçarës se do na kushtojë shumë më shtrenjtë nga ç’mendojmë!

Nga dr.Arben TARAVARI

Çfarë është ky Patriotizëm që ka pushtuar Maqedoninë?! Skena patetike të grave që shtrihen në tokë duke përjetuar kriza të mirëfillta histerike vetëm sepse bëhet përpjekje ligjore për të mbrojtur një gjuhë që nuk është e saja, reagime patetike duke djegur flamuj në mënyrë të turpshme spektakulare…dëshira e çmendur e disa individëve për të shuar ekzistencën e një kombi të tërë…Gjykime të Padrejta me Verdikte të padrejta për shkak të paragjykimit patologjik etnik…

Kërcënimi patetik në foltoren e Parlamentit i një ish-Kryeministri që ka rreth një vit që është larguar nga detyra, e pikërisht ky njeri ka përfaqësuar edhe shqiptarët, a madje ka bashkëqeverisur me shqiptarët, ky njeri që u soll kaq egërsisht ditën që do të miratohej ligji për gjuhën shqipe…

Po populli? Shumica dërrmuese e tij, si shqiptarë, si maqedonas, si turq, si bullgarë, si të gjithë, çfarë bën?! Duke rënë në grackën e gjoja garës etnike nga politikat e deritanishme është përditë edhe më i varfër! Përditë bëhet më e vështirë të paguash taksat, më e vështirë të paguash faturat e ujit dhe të energjisë, më e vështirë të paguash barnat, rritjen e fëmijëve, si përfundim është bërë e vështirë të jetosh në Maqedoni!

Një etni gjendet në mbijetesën e dinjitetit kombëtar, pasi është gjendur përballë një klase politike udhëheqëse që e ka diskriminuar sistematikisht! Shqiptarët kanë qenë gjithnjë “armiqtë” për pushtetin! Janë trajtuar si inferiorë duke u mbajtur larg nga të gjitha të mirat e një shteti që kujdeset për qytetarët e tij! Dhe politika e mbrapshtë shoviniste ia ka arritur qëllimit duke shkaktuar tek shqiptarët ndjenjën e Viktimës pasi të tillë kanë qenë dhe janë! Viktima gjithnjë të politikës që mund t’i marrë dhe më qafë si do thoshte Faik Konica në kohë të tij, madje fatkeqësisht politika të mbrapshta që tashmë udhëhiqen nga shqiptarë…

Maqedonasit nga ana tjetër kanë 500 halle ekonomike, dhe atyre po ju ikin djemtë e bijat jashtë, dhe ata janë të lodhur nga gracka shoviniste që i futi një politikë e cila udhëhiqej nga njerëz që kanë nga 4-5 xhiro llogari bankare e ndërkohë ata (populli maqedonas) mundohen të përballojnë jetën në kushte mbijetese!

Mania për pushtet ka viktimizuar një popull të tërë! Për interesa perverse të një numri të vogël njerëzish (qeveritarët), shqiptarët kanë paguar dhe paguajnë me gjak, varfëri, denigrim, diskriminim, gjenocid, gjykime të padrejta aq sa Faik Konica tingëllon aktual më shumë se kurrë kur thotë: “Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon”… vetëm se shqiptari fisnik Konica e thoshte këtë citat të dhimbshëm në vitin 1898, nuk besoj se do e besonte që shprehja e tij do gjente vend edhe në 2018, plot 120 vjet më pas! Dramatike sa shumë kemi lejuar të pësojmë!

Edhe maqedonasit janë lodhur! Janë lodhur duke u mashtruar me suksese perfide! Synimet që politikanët iu vinin përpara ishin: le t’i shtypim shqiptarët! Le t’i varfërojmë! Le t’i diskriminojmë! Shqiptarët janë vrasës! Të udhëhequr nga kjo politikë shoviniste, iluzive, mashtruese, populli maqedonas duhej të trashëgonte për fat të keq urrejtjen krejt të forcuar ndaj shqiptarëve! Çfarë fitoi?! Asgjë! Humbi dhe humbet! Mijëra maqedonas të ndershëm kishin dhe kanë fatkeqësinë të përfaqësohen nga politika agresive, të turpërohen në sy të botës duke u shfaqur si kriminelë, ndërkohë që sigurisht ata nuk kanë lidhje me veprimet e një grupi mafiozësh që për orekse të tyre politike shkelin integritetin e çdokujt, pa kursyer as shqiptarët, as turqit dhe padyshim as maqedonasit!

Etnitë që jetojnë në këtë shtet janë kuptuar gjithnjë si marioneta me role të paramenduara! Përfundimi është që të gjitha palët duan të braktisin shtetin e tyre! Drita në fund të tunelit po zbehet gjithnjë e më shumë! Flamuj që digjen nuk po sjellin dot asnjë denar më shumë në xhepat e popullit! Të lodhur nga pseudo-patriotizmi njerëzit kanë nevojë për Patriotizmin e vërtetë që është: një shtet që e duam sepse na do! Patriotizmi i vërtetë është përmirësim sa më urgjent i kushteve ekonomike, Edukim dhe Arsimim sa më i kualifikuar, Shëndetësi që parandalon dhe kujdeset për shtetasit me humanizëm dhe dedikim, Drejtësi të Pavarur dhe të painfektuar nga korrupsioni e aq më shumë nga histeria! Këto do ishin hapat e një shteti që kujdeset, kjo do ishte një politikë Patriotike. Sërish do citioj Faik Konicën pasi një pjesë e mirë e politikës amerikane e ka marrë për shembull shqiptarin e zgjuar dhe më duket se ne kemi nevojë për fjalët e tij, Konica do të thoshte: “Botëkuptimi i një patrioti të vërtetë: të ngjallësh tek kombit tënd – me shijen e mendimit intelektual dhe me ndjenjë të fuqishme dinjiteti kombëtar – dëshirën e zjarrtë për përparimin e shoqërisë në kuptimin e plotë të fjalës”.

Ksenofobia, as që ishte pjesë e natyrës së patriotit. Ashpërsia dhe poshtërsia s’kanë si të jenë detyra patriotike. E megjithatë, gjithkush është i lirë të dojë a të urrejë, ose thjesht të jetë moskokëçarës… Ka të drejtë Konica, kemi të drejtë e detyrë të ndjekim fjalët e tij, e Zoti mos dhëntë të jemi moskokëçarës se do na kushtojë shumë më shtrenjtë nga ç’mendojmë!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...