Patundshmëritë, investimi më i sigurt

Edhe pse të dhënat e Kadastrës tregojnë ulje të konsiderueshme të shitjes së banesave, shtëpive dhe hapësirave afariste në tre muajt e parë të vitit 2017, kur janë shënuar 2590 transaksione, që është për 50 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, megjithatë ekspertët vlerësojnë se  patundshmëritë mbeten zgjidhja më e sigurt për investime, shkruan gazeta KOHA. Ekspertët e tregut të patundshmërive, thonë se kërkesa, por edhe investimet në ndërtimin e patundshmërive, akoma janë në nivel të lartë. Vlerësohet se investimi në patundshmëri është kapitali më i sigurt në aspektin afatgjatë, andaj akoma është i lartë interesimi për blerjen e banesave në Maqedoni. Gjithashtu,  investimi në patundshmëri nuk varet vetëm prej interesimit për të dhënë banesën me qira, por edhe për t’i ikur qirasë mujore në vend të së cilës preferohet  të paguhet kësti mujor i kredisë. Gjithashtu, patundshmëria ka vlerën e saj  si kapital që çdo herë mund të shitet në rast nevojë, ndërsa paraqet edhe investim  në hapësirën për jetesë të gjeneratave të ardhshme. “Investimi në patundshmëri çdo herë ka qenë dhe do të jetë një nga zgjidhjet më të sigurta për investime, përkundër të gjitha rrethanave. Gjithashtu, qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë se ekziston ofertë e madhe dhe zgjedhje, çmimet për metër katrorë deri diku janë reale, andaj vlerësoj se tani është moment i volitshëm që të investohet në ndonjë patundshmëri”, thotë për KOHA, Oliver Dimitrovski, drejtor i kompanisë “Nju Vej Limited”. Sipas tij, në konferencën e parë për investime në patundshmëri, që u mbajt në muajin tetor të vitit të kaluar, u konstatua se tregu i patundshmërive në Maqedoni gjendet në periudhë të volitshme, që e shënojnë rritja e kërkesës për banesa, oferta e madhe e hapësirave banesore dhe afariste, si dhe kushte të relaksuara të bankave për marrjen e kredive banesore, ndërsa priten edhe tendenca pozitive në tregun e patundshmërive përgjatë vitit 2017.

Në muajt e parë të këtij vitit, shifra e transaksioneve të realizuara në tregun e patundshmërive tregon stagnacion të caktuar, duke marrë parasysh paqartësinë politike dhe ngjarje të caktuara nga aspekti ekonomik, që janë aktuale edhe në këtë periudhë dhe që kanë shkaktuar një pasiguri të te blerësit potencial. “Megjithatë, vlerësoj se qytetarët akoma i shikojnë patundshmëritë si zgjedhjen më të sigurt për investimin e mjeteve të tyre financiare. Të dhënat e Kadastrës vlerësoj se paraqesin trend afatshkurtër dhe pres që në gjysmën e dytë të këtij viti të kemi rritje të shitjes së patundshmërive”, vlerëson Dimitrievski. Në ndërkohë, njohësit e rrethanave ekonomike thonë se krahas blerjes së banesave apo dyqaneve, që çdo herë mund të shfrytëzohen për diçka, edhe blerja e truallit bujqësor apo ndërtimor, çdo herë paraqet një biznes që shpaguhet si në periudhë afatmesme ashtu edhe afatgjatë. “Këshilla jonë është se pasuria e patundshme paraqet çdo herë investim me kapital të vlefshëm. Në çdo kohë duhet të investohet në patundshmëri për shkak se kjo paraqet opsionin më të sigurt për investimin e parave. As bursa dhe letrat e saja me vlerë dhe as fitimi nga kamatat e bankave, nuk janë aq investim i sigurt siç është investimi në shtëpi, banesë, truall bujqësor apo ndërtimor apo hapësirë afariste. Në bursë mund të ketë luhatje të mëdha, ndërsa nga kamatat në kursime nuk ka ndonjë dobi më të madhe”, vlerësojnë ekonomistët. Në ndërkohë, në vitet e fundit rritet orientimi i qytetarëve të Maqedonisë që të blejnë banesa me hyrjen në borxh nëpër banka, në vend se ta hedhin në bunar të hollat që paguajnë për qira. Analizat tregojnë se shuma më e shpeshtë që miratohet nga ana e bankave është afër 30 mijë euro, për të cilën duhet të keni të ardhura, prej së paku 800 deri 900 euro për familje apo person. Se 90 për qind e banesave blihen me kredi, këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë. Sipas tyre, është dyfishuar numri i kredive banesore prej 264 milionë euro në vitin 2010 në mbi 510 milion euro në vitin 2016. Nga ana tjetër, krahas uljes së butë të kamatave për kreditë banesore, liberalizimit të kushteve për marrjen e kredive banesore, janë zvogëluar edhe çmimet mesatare të një metri katror në Maqedoni, prej 51.644 denarë në vitin 2009 në 43.091 denarë në vitin 2016.

In : Aktuale

Loading...
loading...