“Për atdheun shitëm shtëpi e harxhuam pasuritë, këta po e vjedhin dhe shesin atdheun për t’u pasuruar vetë”

Bardhyl Berberi
Në Manastir para pak ditësh takova një burrë të moshuar. Është Pandi Qiriazi, pinjoll i familjes patriote që u shkriu gjithë pasuritë e tyre në Manastir duke ngritur shtypshkronjën ku shtypeshin abetaret dhe libra shkollore shqip dhe shumë materiale të tjera në shërbim të çështjes kombëtare. Gjatë ditëve të Kongresit të Manastirit, në hotelin e Qirjazëve qëndruan delegatët  e Kongresit…

Me sytë rrafsh me lot më thotë: – Ç’bëhet andej nga Shqipëria … Dëgjojmë lajme të këqia …Ne, për Atdheun tonë  Shqipërinë shitëm shtëpi harxhuam të gjitha pasuritë për çështjen kombëtare,  ndërsa këta politikanët e sotëm po shesin atdheun për t`u pasuruar vetë…Çfarë nuk dëgjojmë …

Paret e vjedhura shpenzohen në mënyra nga më të ndryshmet … Për të bërë qef nëpër lokale, hotele, plazhe, shkuma party, apo për të bërë spektakle mburravecësh nëpër dasmë … duke larguar sa më tepër punën dhe afruar qefin, për ta mbushur Shqipërinë jo me punëtorë dhe zanatçinj, por me qeflinj të dhjamosur e të rehatuar që i fitojnë paratë duke abuzuar me pushtetin me tendera apo koncesione. Kjo lloj paraje pa djersë ka një destinacion të caktuar… Po t’i hedhësh një sy raportit Statistikor  Europian sheh se në Shqipëri harxhohen më shumë para për aktivitete iligale për prostitucion, drogë dhe shumë më pak për ilaçe!

Askush nuk e ka të lehtë të fitojë para pa djersë me tendera dhe abuzime me pushtetin. Që nga ata lypsat e vegjël që të ngatërrohen çdo ditë nëpër këmbë, ai punëtori i ndershëm që e nxjerr paranë me gjak majë skelave dhjetra kate të larta duke rrezikuar jetën, që nga ai që rrezikon me biznesin e tij deri tek ai krimineli në emër të këtyre parave të fëlliquara merr jetë njerëzish…

Si mund të fitosh miliona euro me abuzime? Kjo para pa djersë përdoret edhe  për abuzime seksuale dhe qejfe të shfrenuara dhe orgji nëpër shtetet fqinjë… Janë ata që çunin apo gocën me paratë  vjedhura i çojnë nëpër shkollat më të shtrenjta nëpër botë, ata  nuk shkojnë pse kanë ndonjë talent apo ndonjë meritë, por vetëm për t’u ngrehur me paret e vjedhura të babit hajdut, puna që e kryejnë më së miri është ndihmesa e pakursyer që japin për t’i përhapur Shqipërisë namin e vendit të hajdutëve budallenjve me brirë. Për rezultate shkollore as që flitet, nga shkollat kthehen ashtu siç kanë shkuar dhe Shqipërisë i shtojnë rradhët e ushtrisë së mediokërve.StrugaLajm

Nëse me paret e vjedhura çuni dhe goca ndoshta nuk drogohen dhe as nuk shkojnë në shkolla të shtrenjta, por hapin një biznes, ata imitojnë babin: Nuk paguajnë taksa, nuk sigurojnë të punësuarit, ose dhe më zi, futen në politikë, duke sjellë pasoja katastrofike duke u ulur në parlament.

Ky takëm zengjinësh  blejnë makina dhjetra mijra euro që i ngasin me 150 në orë në mes të qytetit, vrasin edhe polica rrugorë.StrugaLajm

Në Shqipërinë e sotme ku sasia më e madhe e pareve në qarkullim është ajo nga vjedhja e pares publike, nuk të  gjen asnjë e keqe, nuk ka asnjë rrezik. Paren publike të vjedhur nga babi kalamajtë e babit hajdut mund ta shpenzojnë pa frikë.

Tek ne veset kthehen në modë dhe meritë dhe të gjithë garojnë të bëhen të tillë, shpenzimi i pareve të vjedhura  është diçka pa pasoja imediate, diçka që aty për aty nuk vihet re.

Epidemia e qefit me paret e vjedhuar ka plasur keq në mes të kësaj varfërie dhe taksash që lulëzojnë çdo ditë nga qeveria duke i rjepur lëkurën popullit. Janë taksa të gabuara që vë qeveria në një kohë të gabuar…

Falë pareve të vjedhura, Shqipëria po mbushet me drogaxhinj, qeflinj, parazitë, të sëmurë depresivë, burgaxhinj.

Nuk e dimë se në çfarë letargjie kemi rënë. Të vishen sytë nga zhgënjimet dhe nuk dimë se çfarë mallkimi patëm nga kjo klasë politike, në këto dekada postkomuniste… Nuk po heqim dot as pluhurin as dhe baltën. Ngelëm të përulur dhe të heshtur para botës në terr e në muzg…

Atdheu tonë e kanë marrë peng këta kusarë që nuk duan Vetingun,  Europën  dhe i japim mend Amerikës. Kemi mbetur një popull i heshtur dhe i përulur nga kjo klasë politike mediokre që vetëm një punë di të bëjë mirë atë të zhvatjes të popullit të tyre fukara. Atdheu ynë ka mbetur pengu i politikanëve mediokër dhe hajdutë …

In : Aktuale

Loading...
loading...