Për gjashtë vite është shpërngulur një qytet

Në gjashtë vitet e kaluara, në mesatare prej 8000 deri 9000 persona brenda një viti në Maqedoni i janë nënshtruar migrimit të brendshëm. Në këto migrime dominon migrimi nga një komunë në tjetrën dhe më pak është prezent migrimi brenda një komune, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të Entit të Statistikës, në periudhën 2012-2016, kanë ndërruar adresën e banimit afër 41 mijë banorë, që është shifër e barabartë me një qytet jo edhe të vogël në përmasa të Maqedonisë. Në vitin 2016, në Maqedoni gjithsej 9170 persona janë shpërngulur në emigrimet e brendshme, prej të cilave 6869 kanë ndërruar vendin e jetesës prej një komune në tjetër, ndërsa 2018 kanë ndërruar vetëm vendbanimin në të njëjtën komunë, ndërsa janë shënuar edhe 283 migrime të qytetarëve të shpërngulur prej jashtë në Maqedoni.

TË DHËNAT STATISTIKORE

Në ndërkohë, vajtjen për një vend më të mirë pune në Shkup nga komunat e tjera në Maqedoninë Perëndimore, e tregon edhe numri prej 66 personash me shkollë të lartë apo fakultet në Komunën e Çairit në totalin e 192 të shpërngulurve lidhur me migrimet e brendshme në Maqedoni dhe atë vetëm në vitin 2016. Ndërsa nga ana tjetër, në Pollog dominon migrimi i personave me arsim të mesëm. Këtë e tregojnë të dhënat statistikore, sipas të cilave, në Tetovë, prej 153 shpërnguljesh, 34 kanë qenë nga persona me arsim të lartë, ndërsa në Gostivar prej 146 shpërnguljesh, 16 kanë qenë nga persona me arsim të lartë. Kjo shpjegohet me faktin se Shkupi ofron më shumë vende pune në raport me të gjitha qytetet e tjera në Maqedoni, duke qenë edhe selia kryesore e të gjithë institucioneve administrative, shtetërore, ekonomike e kështu me radhë, andaj edhe nuk çudit migrimi në i madh i popullatës shqiptare me arsim të lartë në Shkup.

Nga ana tjetër, përcjell KOHA, të dhënat për migrimet e brendshme të Entit të Statistikës për vitin e kaluar tregojnë se qyteti i Shkupit dominon me 2882 qytetarë të shpërngulur, që me më shumë se 90 për qind janë nga komunat e tjera. Prej komunave të Shkupit, sipas numrit të migruesve, me 637 persona dominon Aerodromi, pason Karposhi dhe Kisella Voda me nga 410 dhe 372 persona. Në Komunën e Çairit, në vitin e kaluar janë shpërngulur 194 persona, që të gjithë nga komunat e tjera, në Saraj janë shpërngulur 81 persona, prej të cilëve 52 nga komunat e tjera, ndërsa të tjerët kanë lëvizur brenda të njëjtës komunë. Në Haraçinë janë shpërngulur 38 persona, prej të cilëve 35 prej komunave të tjera, ndërsa në Komunën e Studeniçanit janë shpërngulur 14 persona, kryesisht nga komunat e tjera. Njohësit e demografisë thonë se shifrat për lëvizjen e popullatës brenda komunave shqiptare, duhet marrë me rezervë për shkak të hezitimit të shqiptarëve, që përkundër ndërrimit të vendbanimit, të ndërrojnë edhe zyrtarisht adresën në dokumentet personale.

Nga komunat më të mëdha shqiptare, në Tetovë, në vitin e kaluar janë shpërngulur 199 persona, prej të cilëve 153 prej komunave të tjera. Në Komunën e Gostivarit regjistrohet një shpërngulje më e madhe me 387 migrime, prej të cilave 230 janë shpërngulje brenda komunës nga një vendbanim në tjetrin si rrjedhojë e shpërnguljes nga fshatrat malore në ato të rrafshit si dhe në qytetin e Gostivarit.

Trend i ngjashëm shënohet edhe në Komunën e Vrapçishtit, ku janë regjistruar 145 shpërngulje, prej të cilave 81 janë brenda kësaj komune. Prej komunave të tjera në Maqedoninë Perëndimore. Që me më shumë se 100 qytetarë të shpërngulur brenda një viti, dallohet edhe Kërçova me 107 shpërngulje, prej të cilave 32 janë qytetarë të shpërngulur prej jashtë Maqedonisë, ndërsa të tjerët kanë lëvizur brenda komunës. Në Komunën e Kumanovës, ku banon një popullatë prej afër 30 për qind e shqiptarëve, në vitin e kaluar ka pasur 445 migrime të brendshme, prej të cilave 249 kanë qenë brenda komunës, ndërsa të tjerat nga komunat jashtë Kumanovës. Në Komunën e Likovës ka pasur 146 shpërngulje në vitin e kaluar, ku me 81 migrime dominojnë ato nga jashtë kufijve administrativ të saj. Në Komunën e Strugës gjithashtu dominojnë shpërnguljet nga jashtë komunës në këtë qendër urbane, ku nga 322 migrime të banuesve të rinj, 222 janë prej jashtë territorit komunal të Strugës.StrugaLajmStrugaLajm

SHPËRNGULJEN NGA FSHATI NË FSHAT

Sipas njohësve të demografisë, në vendbanimet shqiptare dominon shpërngulja nga fshati në fshat në raport me atë nga fshati në qytet, si rrjedhojë e mentalitetit që kërkon akomodimin më të lehtë në fshatrat e rrafshit të banuesve nga fshatrat malore. Faktor tjetër është çështja e perspektivës që ata kryesisht e shikojnë në mërgim, duke ndërtuar shtëpi në fshatrat e Tetovës dhe Gostivarit dhe atë kryesisht në afërsi të autostradës.StrugaLajm

Gjithashtu, çështja tjetër që dikton që shqiptarët të preferojnë shpërnguljen nga fshati në fshat është ajo e perspektivës, ku migrimin e brendshëm të popullatës shqiptare e dominojnë mërgimtarët që perspektivën e tyre e shikojnë jashtë shtetit, por që ndërtojnë shtëpi në vendbanimet rurale të rrafshit, ndërkohë që perspektivën e jetesës në qytet më shumë e shikojnë shtresa më e shkolluar e popullatës. Analizat e Entit të Statistikës tregojnë se lidhjet e reja bashkëshortore dominojnë shpërnguljet, në rast se flitet për totalin e rasteve të migrimit të brendshëm  në tërë Maqedoninë.

“Me 48.8 për qind, sipas shkaqeve të shpërnguljen është martesa, pasojnë me 28 për qind shkaqet familjare, punësimi më afër 8 për qind, shkollimi me afër 1 për qind dhe rastet e tjera me 14.5 për qind“, thuhet në publikimin e fundit të Entit të Statistikës kushtuar migrimeve të brendshme nëpër komuna.  Statistika më tej tregon se nga 2783 të shpërngulur në Shkup, bile 1089 janë me fakultet, 242 janë me master dhe 25 janë me doktoraturë.

Vajtjen për një vend më të mirë pune në Shkup nga komunat e tjera në Maqedoninë Perëndimore, e tregon edhe numri prej 66 personash me shkollë të lartë apo fakultet në Komunën e Çairit në totalin e 192 të shpërngulurve lidhur me migrimet e brendshme në Maqedoni. Ndërsa nga ana tjetër, në Pollog dominon migrimi i personave me arsim të mesëm. Këtë e tregojnë të dhënat statistikore, sipas të cilave në Tetovë prej 153 shpërnguljesh, 34 kanë qenë nga persona me arsim të lartë, ndërsa në Gostivar prej 146 shpërngulje, 16 kanë qenë nga persona me arsim të lartë. Ekonomistët vlerësojnë se migrimet janë ngushtë të lidhura me kushtet e jetesës, si dhe ngjarjet ekonomike, politike dhe shoqërore.

KUSHTE TË MIRA JETESE

Shpërnguljet e mëdha në çdo shtet zakonisht ndodhin gjatë ndryshimeve të mëdha politike, ndryshimeve të rendit shoqëror, siç ishin shpërbërja e ish shtetit jugosllav apo konfliktit i vitit 2001 dhe të ngjashme. Por që vazhdojnë me intensitet më të lartë apo më të ulët edhe për çdo vit. Shkaqet e migrimeve të brendshme, në një pjesë të madhe janë të nxitura nga nevoja e njerëzve që të sigurojnë kushte më të mira jetese. Popullata nga vendbanimet kodrinore-malore me kushte më të rënda të jetesës migron në qytet që si rrjedhojë ka uljen e numrit të popullatës në fshatra. Demografët thonë se ndër shkaqet kryesore të migrimeve janë shkaqet ekonomike, ku popullata shpërngulet si rrjedhojë e kushteve të këqija ekonomike dhe në kërkim të standardit më të mirë të jetesës, me kushte më të mira banimi si dhe një vend punë më të mirë. Vlerësohet se migrimet në përgjithësi të brendshme dhe të jashtme krijojnë hapësira me koncentrim të madh të popullatës, krijojnë zona të depopulluara dhe paraqesin  procesin e de-agrarizimit të hapësirës rurale. Migrimet mund të ndikojnë edhe në rritjen apo uljen e numrit të popullatës në rajone të caktuara dhe ndikojnë në madhësinë e amvisërive, strukturën gjinore dhe të moshës së popullatës, si dhe në shpërndarjen e fuqisë së aftë për punë. Gjithashtu, migrimet në mënyrë indirekte ulin apo rrisin shtimin natyror në hapësirat emigruese dhe imigruese.

Ekonomistët thonë se për uljen e shkallëve të migrimit të brendshëm, nevojitet përmirësimi i infrastrukturës dhe kushteve të jetesës në zonat rurale, si dhe mbështetja e themelimit të bizneseve prodhuese apo shërbyese, bizneseve familjare dhe mënyrave të tjera të punësimit të popullatës në vendbanimet që i nënshtrohen shpërnguljes, plakjes së popullatës dhe viseve rrallë të banuara.

In : Aktuale

Loading...
loading...