Për rrogë minimale askush s’dëshiron të punojë

Magazinues, shitës, instalues të rrymës, murator, pastrues, ekonomist, kimist- janë profesionet që më së shumti kërkohen nga punëdhënësit të cilët vazhdimisht publikojnë shpallje për pranimin e punëtorëve të rinj, shkruan gazeta KOHA. Për momentin, sipas Agjencisë për Punësim në Maqedoni (APM), aktive janë 6739 shpallje për punësim, ndërsa deri më tani askush nga 200 mijë të papunët sa janë të evidentuar në APM, nuk është paraqitur në këto konkurse. Nga APM informojnë se me muaj po përsëriten të njëjtat shpallje nga firma të ndryshme që kërkojnë  automekanik, punëtorë në ndërtimtari, vozitës kamionësh, rrobaqepës etj. “Gati me muaj të tëra po përsëriten të njëjtat shpallje. Vendet e reja të punës deri më sot assesi të plotësohen. Problemi qëndron në faktin se nga 200 mijë persona të evidentuar si të papunë në APM, 100 mijë prej tyre në mënyrë aktive kërkojnë punë. Problem plotësues se pse nuk mund të plotësohen këto 6700 vende të lira të punës se në tregun e Maqedonisë, është se kemi mungesë të kuadrit të cilët kërkohen nga firmat në Maqedoni, e në veçanti kur ky kuadër kërkohet nga investitorët e huaj”, thonë nga APM-ja. Ndërkohë, nga APM-ja presin që deri në fund të këtij viti, sipas planit operativ, të punësohen 10 mijë persona. “Rreth 10 mijë punëtorë të rinj do të duhet të punësohen deri në fund të këtij viti nëse do të plotësohen të gjitha vendet e lira të punës të shpallura nga firma të ndryshme që për momentin ofrohen në tregun e punës në Maqedoni. Pjesa më e madhe e këtyre shpalljeve ende janë aktive, prandaj apelojmë deri te të papunët që të konkurrojnë për këto vende të lira të punës”, thonë nga Agjencia për Punësim të Maqedonisë. Analistja ekonomike Bllagica Petreski, vlerëson se arsyeja që të papunët në Maqedoni nuk konkurrojnë në shpalljet e firmave për pranimin e fuqisë punëtore është për shkak se ekziston një hendek i lartë midis ofertave dhe kërkesave për vendet e reja të punës, si në aspektin e kuadrit kualifikues dhe në aspektin e sektorëve dhe se rrogat e ulëta minimale që ofrohen nga punëdhënësit, është arsyeja kryesore se pse nuk ka të interesuar për t’u paraqitur në këto shpallje. “Që të tejkalohet ky hendek është më se e domosdoshme të rritet produktiviteti dhe dalëngadalë të rriten rrogat. Në të njëjtën kohë duhet të promovohen profesione dhe të rinjtë të arsimohen për ato profesione që më së shumti kërkohen në tregun e punës në Maqedoni. Njëkohësisht rroga minimale që ofrohet prej 10.800 denarë është arsyeja se pse një numër i madh i të papunëve që janë të kualifikuar për ato vende të punës që kërkohen, nuk tregojnë aspak interes të paraqiten në këto shpallje”, thotë për KOHA, Bllagica Peterseki, analiste ekonomike. Ndryshe, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, shkalla e papunësisë në tremujorin e katërt të vitit 2016 në Maqedoni është 23,1 për qind, ndërsa numri i të papunëve në këtë tremujor paraqet 219.148 persona. Nga numri i përgjithshëm i të papunëve, 60,3 për qind janë burra, ndërsa 39,7 për qind janë gra. Sipas moshës, më së shumti të papunë ka nga 15 deri 24 vjeç, edhe atë 47,3 për qind, prej 25 deri 49 vjeç 22,3 për qind dhe prej 50 deri 64 vjeç ka 16,9 për qind të papunë. Në mesin e të papunëve 105.180 janë me arsim të mesëm të shkallës së katërt, 19.868 me arsim të mesëm me shkallë të tretë dhe me arsim të lartë 44.509 persona. Popullata aktive në Maqedoni numëron 950.255 persona, prej të cilëve të punësuar janë 731.107 persona. Më shumë nga të punësuarit janë në industrinë përpunuese-137.351, bujqësi, pylltari dhe peshkatari 121.068 dhe tregti 109.065 persona. Të dhënat e fundit të Ministrisë se Shoqërisë Informative dhe Administratë tregojnë se numri total i të punësuarve në sektorin publik kap shifrën prej 130 mijë administratorë.StrugaLajm

StrugaLajm
In : Aktuale

Loading...
loading...