Pesë vjet nga luftimet e Kumanovës, as hetim ndërkombëtar dhe as gjykim të drejtë!

Zenel MIFTARI
Kumanovë, 9 maj – Sot bëhen 5 vite nga përleshjet e armatosura dyditëshe më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, ku në Lagjen e Trimave në Kumanovë, mbetën të vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur i njohur si “Grupi i Kumanovës”. Pesë vite më pas, asnjë hetim ndërkombëtar dhe asnjë vendim i drejtë gjyqësor në vend, shkruan gazeta KOHA.
Pesë vite dhe “mjegulla” vazhdon të qëndrojë mbi këtë ngjarje tragjike të zhvilluar në lagjen e banuar kryesisht me shqiptarë e ku u shqiptuan dhjetëra dënime me qindra vite burg për vepër penale “terrorizëm”.

DORËHEQJA E JANKULLOVSKËS, MIJALLKOVIT DHE PREMTIMI I ZAEVIT
Atëkohë, me policinë udhëhiqte Gordana Jankullovska, ndërkohë me shërbimin sekret – DSK, Sasho Mijallkov. Me Agjencinë e Zbulimit udhëhoqi Naqe Çulev, ministri aktual i Policisë në Qeverinë teknike të sotit. Mijallkovi dhe Jankullocska, disa ditë pas përleshjes së armatosur, dhanë dorëheqje. Opozita e atëhershme, LSDM akuzoi se lufta e Kumanovës është skenar i VMRO-së pikërisht në kohën kur Zoran Zaevi po publikonte të ashtuquajturat “bomba” – mbi 25.000 përgjime ilegale të kryera nga shërbimi sekret i udhëhequr nga Mijallkovi. Madje, vet Zaevi 10 ditë pas rastit, vizitoi Lagjen e Trimave dhe premtoi hetim të drejtë me mbështetje ndërkombëtare. Premtime për hetim ndërkombëtar pati dhënë edhe BDI e Ali Ahmetit. Por, pesë vite më pas, premtimet kanë mbetur vetëm deklarata të regjistruara.StrugaLajm

SKENARI I SHËRBIMEVE QË NUK U VËRTETUA ASNJËHERË
Avokati mbrojtës i të akuzuarve në rastin “Lagjja e Trimave”, Naser Raufi, dënimet e shqiptuara vazhdon ti cilësojë si shumë të rënda, duke theksuar se ky rast ka qenë i inskenuar nga ana e shërbimeve sekrete të shtetit.
“Ne si palë mbrojtëse kemi dëshmi, madje këto dëshmi se ky skenar është i shërbimit sekret. Kemi informata serioze si dëshmi që dëshmojnë se struktura të shërbimit sekret janë të involvuara në skenarin e këtij rasti”, këmbëngulte avokati Naser Raufi.
“Ne besojmë se pas këtij aktgjykimi, i cili nuk është korrekt dhe me shqiptimin e dënimeve drakonike përfaqësuesit ndërkombëtarë do të ndërmarrin masa dhe praktikisht do të involvohen në zbardhjen e këtij rasti të montuar”, është shprehur Raufi. Megjithatë, edhe pse gjithandej përflitej se në këtë rast ka gisht shërbimi sekret i Maqedonisë, kjo nul u vërtetua asnjëherë.
Ndërkohë, Gjykata Themelore e Shkupit më 2 nëntor 2018, i dënuoi me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015.
Për veprën terrorizëm janë akuzuar gjithsej 37 persona, prej të cilëve 7 me burg të përjetshëm. Të dënuarit me burgim të përjetshëm janë: Andi Krasniqi, Dem Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajra dhe Fejzulla Rushitovski.
Trembëdhjetë janë dënuar me nga 40 vjet burg: Esat Kafegjolli, Adrian Bujari, Shefqet Hallaqi, Sami Ukshini, Betim Kabashi, Genti Sefaj, Enver Hoxha-Klajn, Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari dhe Fatmir Recica, përderisa 6 prej 37 të akuzuarve janë dënuar me nga 20 vjet burg.
Të dënuarit me nga 20 vjet burg janë: Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdija, Lendrit Rustemaj, Mirsad Qerimi dhe Qenan Hiseini.
Kurse të akuzuarit e tjerët janë dënuar me nga 18 vjet e më poshtë. Ragmi Latifi është dënuar me 18 vjet heqjen lirie, Irfan Lutfiu me 14 vjet, Arsim Bajrami me 13, Musa Pajaziti me 12, Seadudin Abdullahu 14, Elham Arifi me 13 dhe Ebib Alimi me 12 vjet burg.
Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës, të cilët edhe llogariten si organizatorë të ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
Gjykata Penale i ka liruar si të pafajshëm Ibrahim Murtezanin, Besnik Bajramin, Fazli Osmanin dhe Besnik Ajdinin.StrugaLajm

GUSHINCA, AKSIONI QË I PARAPRIU LAGJES SË TRIMAVE
Grupi kishte deklaruar se vendosja e tij në Kumanovë ishte bërë për shkak të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.
Ndryshe, më 21 prill 2015, afër 20 pjesëtarë të UÇK-së në krye me Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj sulmuan policinë kufitare në Goshnicë afër kufirit me Kosovën. Fatmirësisht nuk pati të vdekur as të lënduar, por vetëm u konfiskua armatimi i policëve në karakollin e Gushincës. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...