Plani i dështuar i Kimit dhe dështimi i huliganëve ndaj Ziadinit!

Kam kaq ditë që po mundohem të shkruaj diçka e nuk di se ku dhe si t’ja filloj. Deri sot. Derisa lexova ca rreshta të shkruar nga një mendje e prishur, e plakur dhe rritur më shumë seç duhet.
Nuk mund të lexosh ironinë e shpifur të Kim Mehmetit e të rrish pa reaguar. Nuk mund të rrish rehat teksa sheh se si njëfarë Xhevdeti nga Kosova i ka ngjarë aq shumë të atit biologjik, saqë po luan rolin e të atit shumë më mirë se vetë ai.
Dhe përfundimisht nuk mund të mos shkruaj teksa broçkullat e këtyrë të dyve, zën vend në portalin dhe murin e “facebookut” të asaj që shumëkush do ta merrte si shembull kariere. Rudina Xhunga, e njohur ndër ne, nuk mund të rrinte e të mos i bënte nder mikut të saj të vjetër, Kimit. Edhepse me këtë rrezikon të humb atë pak besim dhe respekt që ajo ka, të paktën ndër shqiptarët e Maqedonisë.
Këta të tre, por me orkestrim të atij të madhit, më të prishurit, mundohen të njollosin edhe gjakun e derdhur të një shqiptari, pas sulmit të disa egërsirave me dy këmbë. Aq të prishur jeni ju, saqë mes rreshtash kuptohet inati, zilia dhe ligësia që mbani brenda trupit. Keni gjetur moment të gabuar për shkrime të tilla. Nuk ju beson njeri. Madje ju shohin ashtu siç jeni. Pa maskë. Ju ka rënë teksa keni kurdisur planet e dala nga ajo mendja e prishur.
Dhe për inatin tënd o Kim, planin që e nise ti një vit më parë, e vazhdoi Gruevski me huliganët e tij. Këta të fundit për pak desh ia arritën qëllimit. Them për inat sepse e di që ke pas dëshirë të kenë sukses. Por siç e sheh, dështuat të dy.

Që prej 27 Prillit, bashkë me shumë shokë, kemi qëndruar pranë Ziadinit, deri në momentin e arritjes së tij pranë familjes. Pata rastin të shoh fytyrën e tij të gjakosur, të enjtur e të nxirë që në çastet e para kur po luftonte për jetë në Spitalin “Nënë Tereza” në Shkup. E shihnim përditë atë fytyrë, i bënim fotografi për çdo ditë që qëndroi në spital. E përditë po krahasonim fotografitë dhe ndryshimin që gjenim mes tyre. Dhe përditë në bisedë e sipër i përsëritnim fjalët “e ka shpëtuar Zoti”, “falë Zotit ka mbetur me kaq”. Me dëshirën e tij, familjes dhe bashkëpunëtorëve politik, vendosëm që asnjë fotografi e tillë të mos qarkullonte në media dhe arsyet ishin të shumta dhe shumë njerëzore.
“Nuk na duhet të jemi të përçarë në këto momente. Duhet të jemi unik si shqiptarë. Nuk guxojmë të bëjmë politikë ditore me këtë rast”- ishin fjalët e tij, fjalët e doktor Taravarit dhe bashkëmendimtarëve.

Isha aty, kur Feta trimi erdhi në spital për ta vizituar. Pash momentin kur ky trim u largua nga dhoma sepse nuk mbante dot lotët dhe fshihej, që mos e shohim duke qarë.
Në të njëjtën ditë, erdhi edhe një djalë i ri, ishte mjek. Doktor Ylberi nga Shkupi. Ishte mjeku që i kishte ofruar ndihmë mjekësore brenda Parlamentit. Ai nuk fliste shumë. Dridhej i tëri dhe të vetmet fjalë që tha gjatë vizitës dyminutëshe ishin: “më falni, nuk mund të shprehem, bëra detyrën time”.
Isha aty edhe kur për vizitë erdhën deputetët e partisë së këtij shkrimtarit. Edhe ata e panë se në ç’gjendje ishte Ziadini. Çudi, s’ju paskan treguar! Pres që të paktën ata të të demantojnë. Veç nëse iu konvenon edhe atyre shkrimi yt.

Kam shumë për të shkruajtur, por siç e thash më lartë, është kohë e gabuar. Të vërtetën e panë dhe e ndjenë të gjithë ata që thellë brenda vetes e quajnë veten shqiptarë. Atë e dini edhe ju, por ama nuk e ndjeni si gjithë të tjerët. Nuk e ndjeni sepse qëllimet i keni të dyshimta dhe tepër të ulëta.

Albrim Hoxha

Loading...
loading...











Loading…


loading…