Populli Shqiptar mes gërshërëve historike!

Lebit Murtishi

Ricopëtimi i Truallit të Kosovës, dëshmoi katërcipërisht, se Shtetet e Perëndimit kanë qënë dhe mbeten konsekuente në mbrojtjen e politikave të tyre antihumane, kur vjen në diskutim çështja shqiptare. Pra, deshëm a s’deshëm, duhet të pranojmë realitetin, që kemi përballë një Perandori Osmane moderne!
Presioni i jashtëzakonshëm i BE-së dhe i SH.B.A-së mbi deputetët e Kosovës detyroi një numër të madh të tyre të gjunjëzohen dhe të falin një pjesë të Atdheut, duke marrë kështu edhe vulën e pashlyeshme të tradhëtisë mbi shpatullat e veta.
Asgjë më shumë s’bënë osmanllinjtë, madje në shumë drejtime ishin më njerëzorë dhe më të kulturuar nga diktatorët e botës së sotme moderne. Osmanllinjtë na shpëtuan nga asimilimi i pashmangshëm i fqinjëve sllavë dhe grekë, ata mbushën oborrin perandorak me sadriazemë e me ministra të rangjeve më të lartë e gjer tek ata më të ulëtit, me pjesëtarë të Popullit Shqiptar, por penguan kategorikisht e çnjerëzisht, formimin e Shtetit Kombëtar Shqiptar, siç po veprojnë edhe sot Shtetet e Mëdha Perëndimore. Por kur kupa filloi të derdhet, kur osmanllinjtë filluan të shesin e të falin tokat tona, sa herë që humbisnin ndonjë betejë prej ushtrive të carëve të kohës, dolën në shesh burra të tjerë, pa shallvare e pa paleta sulltani mbi sup. Për këtë janë dëshmitare një varg kryengritjesh të përgjakshme, që nga koha e Skënderbeut gjer në shpalljen e pavarësisë më 1912.
Servilë, tradhëtarë e prapanicëshitur ka patur secila kohë, por ka ardhur një çast historik kur fenomenet e këtij lloji kanë marrë drejtimin e natyrshëm. Jepni fund talljes me lojëra zjarri me Popullin Shqiptar, zotërinj, na jepni pak hapësirë të marrim vet frymë në TRUALLIN TONË, dhe do ta shihni një ditë, që vetëm mbi këto raporte miqësore do keni vërtet miq të besës. Në të kundërtën, të jeni të sigurtë, se shitja ose falja e trojeve shqiptare për interesa të kujtdoqofshin, dikujt do t’i mbetet në fyt!

In : Aktuale

Loading...
loading...